Njerzit e mirë i manifestojnë vlerat kudo. Ato e tregojnë vlerën e tyre në familje, në komunitet, në shoqëri, në drejtim, në vendet ku merren vendime. Këto pavarësisht posteve e shkollimit e bëjnë diferencën dhe kjo nuk është rastësi! Mund të duket si e tillë një një vështrim të parë. Por jo! Kurrësesi nuk është e tillë. Energjitë pozitive janë ndjenjë e brendëshme dhe si të tilla nuk mund të shfaqen rastësisht, së jashtmi. Kështu e njoha më mirë Cenin, gjatë kohës kur ai ishte kryeplak i fshatit Beshë dhe punuam me Të. Ai rrinte nga fundi i sallës, fliste rrallë, gjithmonë i qartë në mendime, i matuer, kërkues për banorët e tij dhe rrezatonte gjithnjë energji pozitive. Kështu ndodhi ekzaktësisht edhe në një reagim të Tij, në rastin tim. Unë në një mbledhje të Këshillit të Komunës dhashë dorëheqje të parevokushme. Ceni kërkon fjalën, çohet në këmbë dhe shprehet: “Zoti kryetar dorëheqja juaj nuk duhet të jetë e parevokueshme. Nuk ke asnjë arsye ta bësh një gjë të tillë. Shihe dhe një herë këtë vendim, “bela”, shprehje që ai e përdorte shpesh. Ne duam të jesh ti, çdo gjë e ke bërë siç duhet me ne, ke qenë i drejtpërdrejtë, komunikues parimor me të gjithë”. Një zë i veçantë qe Ceni! Sa bukur më tingëllojnë sot, në shtëpinë e tij në Besh livadhe, këto fjalë të mençura të asaj dite, ku kam shkuar për ngushëllime në familjen e tij… Pavarësisht se unë dorëheqjen e konsideroj edhe sot “institucion” më vete e shumë parimor, Cen Hoxha e bëri punën e tij… Në këtë mëngjes të datës 12.10.2021, ai na mungon fizikisht në këtë bisedë për Të, mua Myslymit, Shpëtimit që e kisha thirrur enkas, Mexhitit, Dilaverit dhe familiarëve të tij… Natyrisht ai do të mungojë gjithmonë… Në qoshen ku rrinte vazhdimisht në të gjallë, tani dukej bukur foto e tij me atë buzëqeshjen dhe çiftelinë që nuk e lëshonte kurrë nga dora… Njerëz si Ceni ikin fizikisht por mbeten gjithmonë në kujtesë me personalitetin e tyre.
Hysen Musa Hoxha lindi në Beshë më 08. 02. 1941 në një familje të madhe, me tradita, dhe e njohur në krahinë dhe më gjerë. Ceni si fëmijë qe mjaft inteligjent. Arsimin fillor e mbaron në Beshë me mësuesit Seit Mansaku, Bajram Moqi dhe Selman Muça, me rezultate shumë të mira. Shkollën 7-të vjeçare e mbaron në Zall-Dajt. Duke qenë familje me shumë fëmijë nuk i’u dha mundësia të vazhdonte arsimin e mesëm ditën. Në vitin 1979 ai mbaroi shkollën e mesme me shkëputje nga puna në Zall-Dajt. Shërbimin ushtarak e kreu në Vlorë në marinë në vitin 1962. Atje dallohet si ushtar shembullor dhe është vlerësuar disa herë me fletë nderi. Pas ushtrisë ai ka punuar në ekonominë bujqësore Zall-Dajt në disa pozicione pune për kohën, si: llogaritar, ekonomist, arkëtar, brigadier etj. Po kështu Hyseni ka qenë kryetar këshilli në fshatin Beshë në vitet 1984 -1988, anëtar i këshilli në vitet vitet 1997-2005, kryeplak fshati në vitet 1997-2000.
Kudo që punoj dhe shërbeu, Ceni qe mjaft komunikues, dashamirës me njerëzit, i prirur për të bërë mirë dhe për të zgjidhur hallet e problemet e popullit. Ndaj kjo më obligon të shkruaj këto radhë për Të, në shenjë nderimi dhe respekti për figurën e tij. Krahas kësaj veprimtarie Ceni qe dhe një veprimtar shumë i mirë në fushën e kulturës dhe veprimtaritë artistike. Ai qe një valltar shumë i mirë, instrumentist në veglën muzikore të çiftelisë. Ka qenë pjesë e Grupit Artistik Zall-Dajt, dhe na ka përfaqësuar në shkallë rrethi. Ceni ka marrë pjesë në FFK-të Gjirokastrës në vitin 1968 si kërcimtar së bashku me laurantin nga Dajti, Abaz Dajti. Vite të bukura në fushën e kulturës, hiq këtu politizimet e kohës… Ceni ka qenë për disa vite antar i kryesisë së Shoqatës “Bena”, me themelues dhe kryetar të saj për shumë vite, të ndjerin, Musa Abazi. Në kuadër të shoqatës, Ceni ka qenë aktiv dhe ka zgjidhur shumë probleme . Në jetën e përditshme Ceni qe vetvetja. Ai qe gjithmonë i qeshur, liberal, qefli ahengu dhe kishte shumë alegri. Këndonte dhe i binte çiftelisë në shtëpi, në gëzimet familjare, në dasma e kudo gjendej. Ai qe edhe shumë mikpritës në shtëpi, ka pritur dhe pëcjellë shumë njerëz, dhe do të mbetet model edhe në këtë drejtim. Në aspektin familiar ai është martuar me Loken në vitin 1966. Kanë lindur tre djem të cilët tani kanë krijuar familjet e tyre. Ceni vdiq nga infarti më 15 gusht 2021. Përcillet me nderime për në banesën e fundit nga familja, miq, shokë e dashamirës. Njerëz me virtute të tilla do mbeten gjatë në memorjen e brezave.


Ibrahim Kabili
Tiranë më 14.10.2021