NJË PËRÇMIM INSTITUCIONAL NDAJ LIBRIT

Letër nga Shkupi
NJË PËRÇMIM INSTITUCIONAL NDAJ LIBRIT


(Si kaloi dita e parë e një nisme institucionale – “Panairi studentor i librit”, organizuar nga Biblioteka
Nacionale dhe Universitare “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup, mbajtur në hapësirat e po këtij Institucioni)
Elion Jusufi, student
Në Bibliotekën Nacionale dhe Universitare “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup, për herë të parë u mbajt një
panair i librit, i cili, meqë organizohet dhe mbahet në një institucionin universitar, u quajt si “Panairi
studentor i librit”! Si çdo fillim, edhe kjo nismë u përcoll me një sërë lëshimesh, të cilët nuk do t’i bënin
nder madje as një asociacioni amator! Nisma nuk pati ndonjë apel të gjerë për përfshirje sa më të
madhe të botuesve të librit. Krijohet përshtypja se gjithçka ka qenë në mënyrë interne dhe selektimi ka
qenë mbi baza miqësore. Nga shtëpitë botuese shqiptare kanë qenë të ftuar vetëm dy të tilla, (Albasi
dhe Logos A), të cilat jo se u ndjenë fort rehat në këtë panair, pa pjesëmarrjen edhe të shtëpive të tjera
simotra shqiptare. Nga kontaktet me disa shtëpi botuese shqiptare që veprojnë në Maqedoninë e
Veriut, mësohet se asnjëra nuk ka pasur as thirrje, por as dijeni rreth një organizimi të tillë!
“Panairi studentor i librit” dallohet për nga panairet e tjera, sepse kjo ngjarje mëton distribuimin sa më
të madh të librit, qoftë kjo edhe përmes dhurimit për ata që e duan librin, por nuk kanë mundësi për ta
blerë, sidomos komuniteti studentor. Stendë ka pasur edhe organizatori, pra BNU “Shën Klimenti i
Ohrit”, e cila ka dhuruar libra nga fondi i grumbulluar nga dorëzimi i detyrueshëm i ekzemplarëve të
botimeve vjetore nga shtëpitë botuese të vendit, si në gjuhën maqedonase po ashtu edhe në atë shqipe.
Mënyra e organizimit, madje tërë organizimi i kësaj ngjarje më tepër krijon përshtypjen e një
matrapazllëku (shpëlarje parash nga ndonjë projekt i sponsorizuar) se sa ndonjë përkushtim serioz ndaj
librit!
Biblioteka shtrihet pranë një korpusi universitar të frekuentuar nga mijëra studentë, ku janë të punësuar
qindra profesorë, është po ashtu shumë afër Universitetit “Nëna Tereze”, por edhe Universitetit të
Evropës Juglindore! Përkundër këtij fakti, panairi i librit nuk është vizituar as nga pesëdhjetë studentë.
Nuk janë dhuruar më shumë se dhjetë-pesëdhjetë libra, ndërsa nga titujt shqip janë shitur vetëm tre
libra!
Studentët e intervistuar thonë se as që kanë dëgjuar për organizimin e këtij panairi, as që ka pasur
reklamë e as që është publikuar ndonjë njoftim apo apel për ta vizituar panairin, ku vizitorët do të mund
të marrin edhe falas libra!
Kjo Bibliotekë pa dyshim që është Institucion nacional i Ministrisë së Kulturës, pra organizëm që mbahet
nga buxheti shtetëror vetëm e vetëm të përkujdeset për LIBRIN! Nga ana tjetër, kjo ngjarje stihike,
seleksionuese dhe, njëkohësisht edhe përjashtuese, a nuk është një tallje institucionale me librin? Apo,
më mirë ta luhatim derën kot, se sa të rrimë kot! Optimistët do të thoshin se të gjitha këto lëshime vijnë
nga “druajtja e fillimit”! Atëherë, mbarësi në të ardhmen!