“Nejse, për veti e kanë”, kandidati me Ferrari vazhdon spektaklin në rrjetet sociale pas përfundimit të zgjedhjeve

Kandidati i Nismës për kryetar të Podujevës, Xhemajl Hasani, gjatë një debati televiziv, kishte tërhequr vëmendjen me deklaratën e tij pasi pyetet nga moderatorja e emisionit se çfarë veture vozitë.


Përgjigja e tij ishte “veturë modeste”, Ferrari. Moderatorja e pyet për vlerën e veturës, Hasani thotë se kushton 70/80 mijë euro dhe kjo deklaratë e Hasanit ngjalli të qeshura në emision.

Tutje, ai nuk posedonte as planprogramin për qeverisjen katër vjeçare në Podujevë, duke thënë se tashmë qytetarët e kanë në duar dhe e kanë mbështetur plotësisht.

Por, pas publikimit të rezultateve të KQZ-së, Hasani mori vetëm 0.54% të votave të përgjithshme në këtë komunë.

Në shaka Xhemajl Hasani në një emision prezantoi programin e Besnik Tahirit si të tijin

Një ditë pas zgjedhjeve, ( të hënën), Hasani ka publikuar disa statuse në llogarinë e tij në Facebook.

Ai thotë se po pret rezultatet përfundimtare, pasi nuk i beson atyre preliminare të KQZ-së.

Tutje, tregon se njerëzit i kanë premtuar për votë, por se prap nuk e ka problem që e kanë gënjyer.

“Rezultateve preliminare nuk duhet me ju besu shumë. Ne po i presim rezultatet përfundimtare e të shohim se çka ka mujt me ndodhë…Krejt me kanë thanë se të kryme e ke këtë farë pune po nejse për veti e kanë”, shkroi Hasani.