Në anekdotat për Nastradin Hoxhën është dëgjuar se kur ai nisi së ndërtuari shtëpinë e re mori vendim që atë ta ngrit në rrota.

Kjo sepse fqinjët po i paraqitnin opsione të ndryshme se nga ta kishte pamjen shtëpia. Kështu ai vendosi që t’ua bënte qejfin të gjithëve!

Ngjashëm e në të vërtetë ka vepruar një burrë në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Ai për hir të bashkëshortes ka bërë shtëpinë lëvizëse, në mënyrë që asaj të mos i bëhej bajate pamja.

Duke kërkuar të kënaqë gruan e tij, e cila kishte dëshiruar një pamje më të larmishme të shtëpisë së tyre, novatori boshnjak, autodidakt ka ndërtuar një shtëpi rrotulluese, nga e cila mund të shohësh lindjen e diellit në një moment dhe kalimtarët në një tjetër.

“Jam lodhur nga ankesat e saj dhe rinovimi i shpeshtë i shtëpisë sonë dhe i thashë: Unë do t’ju ndërtoj një shtëpi rrotulluese që të mund ta rrotulloni si të dëshironi”, ka thënë Vojin Kusic, 72 vjeç, për Reuters, duke qëndruar para shtëpisë së tij të re, e cila tërheq vëmendjen e vizitorëve.

E vendosur në një fushë pjellore në Bosnjën veriore pranë qytetit Srbac, shtëpia rrotullohet rreth një aksi prej shtatë metrash të projektuar nga Kusic, me pamjen e arave të misrit dhe tokës bujqësore që ndryshojnë në pyje dhe lumë me një shpejtësi të dëshiruar.

“Shtëpia mund të bëjë një rreth të plotë për 24 orë kur është me shpejtësinë më të ngadaltë, ndërsa me rrotullimin më të shpejtë mund të bëjë një rreth të plotë në 22 sekonda”, është shprehur Kusic.

Gruaja e tij nuk donte të jepte ndonjë koment për shtëpinë e re.

Kusic ka thënë se ai ishte frymëzuar nga shpikësit serbo-amerikanë, Nikola Tesla dhe Mihajlo Pupin, dhe se ardhja nga një familje e varfër pa pasur mundësinë e një arsimimi të mirë e kishte detyruar atë të kërkonte mënyra për t’i bërë gjërat vetë.

“Kjo nuk është një risi, ajo kërkon vetëm vullnet dhe njohuri, dhe unë kisha kohë dhe njohuri të mjaftueshme”, ka theksuar ai, duke shtuar se shtëpinë e kishte ndërtuar plotësisht vetë.

Projekti zgjati gjashtë vjet për ta përfunduar, përveç kohës së kur u desh të shtrihej në spital për shkak të problemeve me zemër.

Kjo shtëpi është më rezistente ndaj dëmtimeve nga tërmeti sesa shtëpitë e palëvizshme, ka thënë ai.

“Unë u kërkova mjekëve të përpiqen të më zgjasin jetën time për të paktën një vit sepse e kam këtë projekt në kokën time, dhe … askush nuk do të dijë se si ta përfundojë atë”, ka përfunduar ai.