Me negociatat për të vazhduar kontratën e tij me Liverpoolin, e cila skadon në qershor 2023, Mohamed Salah dëshiron të jetë lojtari më i paguar në Premier League.

Sipas Mirror, 29-vjeçari egjiptian, golashënuesi më i mirë në ligën angleze (10 gola në 9 ndeshje) është në dispozicion për t’u rinovuar me Reds, për sa kohë që paga e tij vjetore i afrohet 30 milionë eurove, tre milionë me shumë se merr belgun Lukaku, i cili fiton te Chelsea rreth 27 milionë euro dhe që e bën për momentin futbollistin më të paguar në Premier League.

Salah tha para disa ditësh për Sky Sports se do të donte të qëndronte deri në fund të karrierës së tij në “Anfield”.

“Nëse më pyetni mua, do të doja të qëndroja deri në ditën e fundit të karrierës sime futbollistike, por nuk mund të them shumë për këtë – nuk është në duart e mia.Varet nga ajo që dëshiron klubi, jo nga unë. Për momentin nuk mund ta shoh veten duke luajtur kundër Liverpool-it. Kjo do të më trishtonte. Është e vështirë, nuk dua të flas për këtë, por do të më trishtonte shumë”, tha Salah.