Ministrat e mbrojtjes të 30 vendeve anëtare të Aleancës gjatë takimeve dyditore të Këshillit Veriatlantik i miratuan qëllimet e aftësive për Maqedoninë e Veriut, për herë të parë pas anëtarësimit të RMV-së në Aleancë.

Siç njoftojnë nga Ministria e Mbrojtjes, qëllimet e aftësive e tregojnë drejtimin në të cilin do të zhvillohen forcat dhe kapacitetet e armatave të NATO-s. Ata janë pjesë e procesit të planifikuar të Aleancës dhe vendeve anëtare dhe detyra e tyre bazë është që ta përforcojnë mbrojtjen kolektive të NATO-s.

“Ky proces mundëson që vendet anëtare mes vete të mbështeten dhe të ndihmohen në përballjen me sfidat e ardhshme, veçanërisht duke e pasur parasysh se çdo vend zhvillon kapacitete specifike, të cilat së bashku e bëjnë Aleancën më të fuqishme dhe më të gatshme për ta garantuar sigurinë dhe stabilitetin në fushën euroatlantike”, theksojnë nga ministria.

Ministrat e Mbrojtjes në takime biseduan edhe për Afganistanin dhe nevojën që të mos lejohet më kurrë që ky vend të jetë bastion i terrorizmit. Në një operacion kompleks, por të mirë-koordinuar të NATO-s, më shumë se 130,000 njerëz janë evakuuar nga Afganistani, të cilët kanë ndihmuar forcat e NATO-s në vend për dy dekadat e fundit. Maqedonia Veriore, shtoi Ministria, dhe në këtë rast, me pranimin e përkohshëm të një numri qytetarësh afganë, ka treguar se është një aleat në të cilin Aleanca mund të mbështetet.

Në margjinat e këtyre takimeve, ministrja Radmilla Shekerinska realizoi shumë takime me ministrat e vendeve aleate në të cilat është konfirmuar angazhimi për zhvillimin e marrëdhënieve reciproke bilaterale mbrojtëse. Shekerinska në Bruksel, u takua edhe me sekretarin e përgjithshëm të Shërbimit evropian për veprim të jashtëm, Stefano Sanino ku e përcolli mesazhin se Maqedonia e Veriut ka treguar rezultate dhe se është e nevojshme që Unioni sa më shpejtë të jetë e mundur ta hapë rrugën drejt anëtarësimit të plotfuqishëm.