Lionel Messi është bërë lojtari i parë jugamerikan që i shënon 80 gola ndërkombëtarë. Ylli i PSG-së i ndihmoi Argjentinës ta mposhtë bindshëm 3:0 Uruguain në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2022.


Kapiteni Messi e kaloi Argjentinën në epërsi me një pasim ajror i cili e mashtroi disi portierin dhe përfundoi në rrjetën e portës së Uruguait.

LEXO EDHE:
Reja: Sulmuesit bëhen mbrojtës kur e kërkon situata, ndaj Polonisë duhet përqendrim
Rodrigo de Paul e dyfishoi epërsinë e argjentinasve pak para pushimit mes pjesëve, ndërsa Lautaro Martinezi e shënoi të tretin në pjesën e dytë.

“Bëmë lojë madhështore. Çdo gjë shkoi në mënyrë të përsosur”, tha Messi pas ndeshjes.

Argjentina është e pamposhtur në 24 ndeshje tani dhe kjo fitore e rrit trysnin ndaj Brazilit në grupin kualifikues të Amerikës Jugore për Kupën e Botës.

Brazili është lider me 28 pikë, i ndjekur nga Argjentina me 22.

Ekuadori është i treti me 16 pikë, sa ka edhe Uruguai, ndërsa Kolumbia është e pesta me 15 pikë.