LIBRI I NDALUAR DHE LIBRI I PËRBUZUR

Libri i ndaluar në sistemet e vrazhda diktatoriale (komuniste) ishte libri që lexohej me admirim dhe në fshehtësi, dhe herë herë duke kaluar dorë më dorë. Libri i ndaluar, siç do të tregojnë shembuj të ndryshëm, për shumë individë do të bëhet mallkim, shkak për pësime të rënda, mbase pati edhe të atillë që e paguan me kokë.
Libri i ndaluar reflektonte frikën e sistemit diktatorial komunist që mëtonte të krijojë njeriun e kontrolluar lehtësisht nga aparatet e sigurimit të shtetit.
Sot libri nuk është i ndaluar, është i lirë, por çuditërisht gjithnjë e më shumë i përbuzur. Nuk lexohet, nuk shfletohet dhe sikur ka humbur peshën e rëndësisë. Te një pjesë e shoqërisë shqiptare libri ka filluar të mbulohet me pluhurin e harresës.
Sepse, për shkak të injorancës aty këtu po trajtohet si diçka që krijon refuzim, që nuk tërheq vëmendjen. Libri është bërë një produkt që, fatkeqësisht, ka filluar të përfundojë edhe në kontejnerë, bashkë me plehrat.
Prandaj gjithnjë e më vështirë është të gjendet fija ndarëse mes diturisë dhe injorancës. Nëse asgjë tjetër, atëherë duhet të na frikësojë fati i tij, aq më tepër tani në epokën e mediave sociale, kur edhe koha e leximit është zëvendësuar me kohën e argëtimit…
Libri më nuk është i ndaluar, por i përbuzur. Kjo e fundit dhemb shumë… (HEJZA)