Midis nesh

LIBRI DHE BARBARIA DOGANORE

Pesëdhjetë udhëtarë në një autobus do ta kalonin kufirin pa pengesa dhe me dinjitet,
kurse në vend të udhëtarëve, sikur të viheshin nëpër karrige pesëdhjetë libra shqip,
autobusi nuk do të mund ta kalonte kufirin e Maqedonisë së Veriut, por do të kthehej
prapa, ose do të duhej të paguhej doganë për atë tirazh librash
Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, në bazë të marrëveshjeve bilaterale, deri më tani
kanë realizuar edhe mbledhje të përbashkëta qeveritare, në të cilat janë nënshkruar një
duzinë marrëveshjesh. Natyrisht, marrëveshje bashkëpunimi janë nënshkruar edhe me
Malin e Zi dhe me Serbinë! Marrëveshjet bilaterale konsistojnë kryesisht në lehtësime sa
më të mëdha të qarkullimit të mallrave si dhe të njerëzve, bashkëpunimet ekonomike,
tregtare si dhe në fushën e turizmit të mos kenë kurrfarë pengesash doganore. Janë të
llojllojshme edhe marrëveshjet kulturore, iniciativa të përbashkëta, thirrje për projekte
kulturore ndërshtetërore, bashkëpunime në nivel institucionesh kulturo-arsimore.
Megjithatë, edhe më tej ngelë e pashlyer një njollë shoviniste sllave mbi librin shqip, si
pasojë e politikave jugosllave, të cilat librin shqip e trajtonin si mjet propagandistik
armiqësor! Kjo politikë shoviniste është në fuqi edhe sot e kësaj dite në Maqedoninë e
Veriut, në Malin e Zi dhe në Serbi. Shqiptarët e këtyre viseve e kanë problem ta
qarkullojnë librin shqip si nga Shqipëria dhe Kosova, po ashtu edhe nëpër këto tri shtete.
Këtë qasje përçmuese ndaj librit shqip policët dhe doganierët e këtyre shteteve e
kamuflojnë me dofarë ligjesh idiotike, të cilat librin e trajtojnë si mall që duhet t’i
nënshtrohet “trajtimit” doganor!
Jo pak raste kemi pasur kur nga panairet ndërkombëtare të librit kanë munguar botues
shqiptarë, sepse janë kthyer mbrapa nga kufiri, meqë nuk i kanë pasur listat e librave që
duhet t’i paraqesin në doganat respektive. Në Panairin e Tetovës nuk mund të marrin
pjesë botuesit nga Shqipëria dhe Kosova nëse nuk i dorëzojnë listat e librave në doganë.
Edhe botuesit shqiptarë nga Maqedonia e Veriut i nënshtrohen të njëjtës procedurë
doganore për të dërguar tirazhe të konsiderueshme të më shumë titujve në panairin e
Ulqint. Ka raste kur botuesit janë detyruar të paguajnë doganë për librat, ose janë
urdhëruar që të kthehen nga kanë ardhur, ose edhe t’i hedhin librat në kontejnerë dhe të
vazhdojnë e ta kalojnë kufirin si turistë “të mirë e të lirë”!
Secili botues niset nëpër panaire me qëllim për ta prezantuar produktin e vet, për të
lidhur marrëveshje në mes të shtëpive botuese, për t’u njoftuar si me botues ashtu edhe
me tituj të rinj që janë në qarkullim! Natyrisht, nëse do të arrijnë të sheshin ndonjë libër,
kjo do t’ua kishte zbutur shpenzimet. Pjesëmarrjet nëpër ngjarje të tilla të librit janë të
kushtueshme, shtetet ku organizohet prezantimi në masë i librit, përfitojnë nga këta
pjesëmarrës të cilët paguajnë për akomodim, shpenzojnë për haje e pije, por edhe
paguajnë qira për stendat apo për hapësirat që u duhen për t’i ekspozuar botimet e veta!
Jo një herë është shkruar për këtë dukuri që rëndon sidomos mbi librin shqip! Tani është
koha e panaireve të librit! Ministritë përkatëse do të ishte mirë që këtë shqetësim të

botuesve shqiptarë ta ngrenë si problem serioz nëpër mbledhjet qeveritare dhe të
intervenohet që përfundimisht edhe libri të trajtohet si udhëtar, jo si mall.
Pesëdhjetë udhëtarë në një autobus do ta kalonin kufirin pa pengesa dhe me dinjitet,
kurse në vend të udhëtarëve, sikur të viheshin nëpër karrige pesëdhjetë libra shqip,
autobusi nuk do të mund ta kalonte kufirin e Maqedonisë së Veriut, por do të kthehej
prapa, ose do të duhej të paguhej doganë për atë tirazh librash!
Kohë më parë, opinioni i gjerë shqiptar është trishtuar nga ajo që ka përjetuar një autor
shqiptar, i cili është detyruar që t’i kthejë në Kosovë pesëdhjetë ekzemplarë nga libri i vet
të botuar në Shqipëri. Doganieri maqedonas është sjellë ndaj shkrimtarit sikur ai të
tentonte t’i fusë në Maqedoninë e Veriut pesëdhjetë armë të kalibrave të ndryshëm, apo
pesëdhjetë kilogram lëndë narkotike! Doganierët shqiptarë e kishin përcjellë këtë skenë
me shumë keqardhje, porse ligji është ligj, i njëjtë për të gjithë, kërkon zbatim nga të
gjithë! Mbledhjet e përbashkëta ndërqeveritare duhet të keni parasysh eliminimin e
këtyre ligjeve diskriminuese dhe jo të nënshkruajnë marrëveshje të cilat, deri në realizim,
mund të kërkojnë edhe paketë të tërë masash ligjore dhe, si rrjedhojë, të harrohen fare
apo të ngelin, si rëndom, letra të zhubravitura në dosje të pluhurosura. (HEJZA)