HEJZA me Halil Matoshin, shkrimtar

Halil Matoshi tashmë është shkrimtar dhe publicist i mirënjohur dhe prezent prej shumë vitesh në
mediat e Kosovës. Është autor i shumë veprave me poezi, tregime e ese. Matoshi, veç tjerash botoi’
“Frymë varresh në dallgore” (poezi) 1988; “Udhëtim nëpër ëndërr të keqe”, 1994; “Lajmësi memec”
(tregime); 1996; “Udhëtim nëpër zhgjëndërr të keqe” 2000; “Hija e Krishtit” (poezi), 2004; “Katedralë
letre” – Një ese për qytetin dhe tregime tjera; 2011; “N’zanafillë”, 2013;… Libri i fundit i tij është vëllimi
poetik “Gdhendje drite”…

HEJZA: A mjafton fakti se sot, meqë kemi shumë shkrimtarë që “po shkruajnë”, mund të konstatojmë se
po bëjmë letërsi?

MATOSHI: Jo. Sot shkruhet më pak se dje!? Befason kjo, por shekulli 21 nisi me bestsellers, qysh me bâ
pare, e qysh me u bâ i famshëm, pra me shkrime për idenë e pushtetit mbi njerëzit, kurse letërsia ma e
mirë e shekullit 20 (Sartre, Camus, Borges, Coetze, Szymborska, Tranströmer…) përthekonte lirinë dhe
magjinë estetike.
Tik-tok dhe rrjetet sociale, ku me nji manir dikush i humbun bâhet i famshëm, ose kusherinjtë tanë të
fshatit ndihen pjesëmarrës në skenën e hapun botnore, kjo âsht ajo që sot i joshë njerëzit me besue në
diçka që nuk âsht ma Zoti.
Eseisti nder ma t’mdhajt e shekullit 20 Umberto Eco (bashk me Ortega Y Gasset e Elias Canetti-n) e
përkufizon kohën tonë si epokë kur njerëzit besojnë në çdo gjâ.
Në këtë kontekst, simas Eco-s, besimi në Zot nuk âsht aq sfidues sa besimi në shkathtësitë e njeriut
anonim që shfaqet në botë për nji minutë dhe thotë nji histori çfarëdo, (duhet të përmbajë dhunë ose
teknologji shkatrruese, trup femre, pare…) s’âsht e thânun me qenë e vërtetë, sepse jetojmë në epokën
e pas të vërtetës.
Rrena virale âsht po aq e besueshme sa të vërtetat e fjetuna në raftet e bibliotekave.
Pra sot kemi besimtarë të rinj që nuk lexojnë letërsi dhe shkrimtarë mesatarë por jo ma Shakespeare ose
Göete!?
As Borges.
Dhe natyrisht shkrimtarë ka gjithnji e ma pak. Fare pak shkruhet letërsi, sepse magjia e shkrimit kërkon
përpjekje dhe edukim estetik, kurse tregimet e rrjeteve sociale krijohen shpejt e lehtë, në kuzhinë, në
banjo ose në dhomë fjetje e në qendra fitnesi! Dhe recepienti nuk lodhet me i gjetë të vërtetat estetike,
të mbikohëshme.

HEJZA: Pse sot nuk kemi gjenerata krijuesisht si dikur, që në viset etnike jashtë atdheut, po shënonin
“epoka letrare”: gjenerata e Pasluftës së Dytë Botërore, gjenerata e viteve 70-80-90! Ku qëndron
problemi: te shkëputja e kontaktit krijues-lexues, te “heshtja krijuese” si pasojë e shkëputjes kohore, e
cila kërkon një hedhje të hapit gjigant në krijimtarinë letrare, apo si pasojë e “vdekjes” së kritikës
letrare?

MATOSHI: Na e periodizojmë letërsinë simas epokave politike e jo simas rrymave e prumjeve letrare.
Epoka e Rilindjës, e viteve ‘30, e Realizmit Socialist, e pas-revolucionit, etj. Nuk ka breza letrarësh e
letërsishë, nuk e përcaktojnë ngjarjet politike letërsinë! Në Kosovē, viteve ‘70-80 të shekullit 20 kur nisi
letërsia ma e mbrrime, ishte epoka e kërkimit të lirisë individuale (refuzimin estetik, siç shprehej Ibrahim
Rugova) dhe çlirimin e vetës nga shtrëngesat dogmatike si dhe kërkimin e lirisë kolektive (thelbësore)
dhe njerëzit duhej me u rreshtu me ata që refuzonin jo vetëm estetikisht regjimet diktatoriale në Lindje
(Havel, Walesa, Rugova);
Prandej edhe letërsia ishte e tillë, refuzuese, jokonformiste, çliruese.
Tashmâ jemi të lirë, si lexues shqiptarë, por nuk jemi prozaik. Nuk na intereson ma e vërteta. Fake News
âsht bâ armë për me marr pushtetin politik. Popullizmi âsht bâ ideologji që ia zen vendin të majtes e të
djathtës.
Fundi i narracioneve të mëdha e bâni letërsinë klasike dhe postmoderne me e rimendu veten. E poezia
nuk kërkon epoka speciale, ajo rikthehet e rikthehet. mjafton me e thânë t’pathanshmen, me i dhânë
gjuhë të nemitunes, asaj që s’ka gjuhë, psh si me i brit nji fluture që sapo shkon drejt shandanit: Ndalou.
Ktheu…!?
Që nga Iliada e Homerit e Shakespeare kritika e bân të njâjtën pyetje: Kush e shkruen tekstin e autorit? A
thue forca të padokshme totemike i flasin atij dhe i kërkojnë të mos zmbrapset nga rruga e tij, e kërkimit
estetik, e cila tashmâ kërkon tjera vlera e kode.
Në këtë kërkim pa fund, Tomas Mani shkruen se ne nuk mendojmë e veprojmë si subjekte autonome,
sepse tjerë mendojnë e veprojnë brenda nesh.
Âsht historia e tânë, që rri pas nesh e na i bân ‘refresh’ informatatat e kodifikueme nga e shkuemja jonë,
duke na dhânë ni forcë ose energji të re për ripërtrimje.
Sërishmi due me e përkujtu Eco-n, jo si definicion referencial, por kështu spekulativisht (epoka âsht
spekulative!?) se funksioni i kujtesës âsht që të ruajë, por edhe të hedhë tutje. Nëse do të mbanit mend
gjithçka, nga e gjithë jeta juaj, do të ishit të sëmurë, thojke ai.
Na, shkrimtarët nuk mund ta ndalim murtajën, por shkruajmë që të mos vdesim nga e vërteta.
Megjithse postmodernistët thojnë se ka vetëm interpretime dhe ky madje, âsht veç nji interpretim!?
E në shoqninë tonë pa u etablu fare modernja, ndodhi krisja, transicioni postmodern…
As botën nuk munemi me e bâ ma t’bukur e ma fine, vetëm dëshmojmë si të gjithë, vetëm se na,
tregojmë ato që kane ndodhë para mija vjetësh ose që munen me ndodhë mas mija vjetësh, te na apo
kudo tjetër. Tu e abstrahu faktorin kohë dhe vend!

Asgjâ e pamundshme nuk munet me u thanë në letërsi!
Pērndryshe âsht përrallë!

HEJZA: A shihni ndonjë rol në profilizimin e krijuesve të mirëfilltë nëpër portale apo redaksi elektronike
gjithëkombëtare që do të ishin nën përkujdesin institucional të shteteve tona shqiptare?

MATOSHI: Tregim i madh âsht mbyll. E ka grrye veten (Liotard); Me këtë s’ka ma as gazeta të shtypuna,
si Fjala e Sheshi, as platforma kombëtare e gjithkombëtare.
Shteti duhet me u përkujdesë për letërsinë në shkollë, si barometer se shoqnia (kohezioni kultural e
mental) nuk po shpërbahet në copëza të thyera të nji vegshi antik.
Nuk ka ma diçka që përkufizohet si ‘gjithëkombëtare’, sepse instancat që e përbâjshin atë janë
shpërbâ!?
Qendrat (piemontet) janë decentru.
Secili individ âsht i lirë me lexu po aq sa mos me lexu.
E shteti nuk munet me ndërhy në këso dimensionesh të lirisë.

HEJZA: Librin elektronik, bibliotekën elektronike, digjitalizimin e botimeve, e shihni si “vdekje të librit”
apo si një proces, të cilin detyrimisht duhet ta pranojmë dhe të jemi në hap me kohën! A mund ta
konceptojmë këtë proces të librit si fat i shkrimit të pergamenteve, të shkrimit nëpër lëvore drush, në
rrasa guri, në lëkurë kafshës, në shpat mali, në shpella!

MATOSHI: Libri nuk vdes, ai zen vén në hapsinat tona private e publike (caffe barët e modelit Dit’ e Nat’
në Prishtinë) ose e mbâjmë si qypat e Kinës, si veglat primitive muzeore, si makina e shkrimit e Danilo
Kiš-it apo si furka e nânës.
Libri ndërron formë po jo trajtë, ai gjithnji ka me u lexue, me zâ të brendshëm si dialog me botën,
moralin, estetikën dhe dilemat njerëzore, koftë edhe tue digjue në nji vegëz interneti.
Libri âsht mrekullia e fundit e njeriut, nga ai zbulohen fshehtësinat e botës sonë dhe të kozmosit, nga ai
u mësu me mendu Elon Musk!?
Edhe nëse kurrë s’ka lexu asnji libër!?
Libri âsht vet sekreti i botës, ka fuqi të pamatë, ai na tërheq si nji vorbull, ose si nji vrimë e zezë…
Libri na bân e na zhbân, sepse kjo fuqi i përket fjalës e ato banojnë nën strehën e qenies – në gjuhë, e
librat shkruhen në akëcilën gjuhë.

Biblioteka universale borgesiane nuk e bân dallimin në libër shtypi dhe libër digjital. Asht thjesht e
madhnishëm: Bibliotekë, si nji prodhim i mendjes universale.

HEJZA: A po e vuan kritika jonë letrare mungesën e gazetave dhe revistave kulturo-letrare! Nga ana
tjetër, janë të pakta edhe përpjekjet e kritikës sonë që të gjejë vend e strehë nëpër faqe profesionale,
nëpër rrjete sociale të profilizuar ku mund të japin kontribut të pamohueshëm.

MATOSHI: Kritika letrare, ajo formaliste dhe fenomenologjike ka qenë e zhvilluet n’Kosovë në vitet ‘70-
90 -të, por sot ajo ka pushu së ekzistuemi.
Hasim sporadikisht kritikë spekulative dhe copa ekspresioniste leximi kritik, por jo kritikë të gjithanshme.
Tregut i âsht lanë edhe përcaktimi i vlerave.
Shqiptarët ende nuk janë në atë shkallë sa me kriju nji instancë vlerësuese të pagabueshme letrare,
njifar arbitri, sepse faktorët jashtletrarë (nacionalizmi, elitat kombëtare) ndikoj ë në krijimin e nji
kierarkie vlerore!?
Pse u hesht aq gjatë Camaj? Pse edhe tash heshtet poeti briliant Rreshpja?
Pse asnji poet kosovar i brezit pas Podrimjes e Shkrelit nuk vlerësohet në Shqipni?
E plot pse tjera. Ne si shqiptarë nuk e dijmë ende ku jemi si letërsi, në skenën e përvotshme. Në
Prishtinë ka poetë të mirë por që s’ka kush me i vlerësu e n’Tiranë ka prozatorë mjeshtër, që n’Kosovë
padrejtësisht trajtohen si të ishin nën hijen e Kadaresë!?
Kadaresë i bâhet nji lexim politik, po get!?
E kritika informative, që i jep lexuesit nji orientim kah ajo që ia vlenë me e lexu, âsht e domosdoshme,
porse parimi Heideggerian se gjuha âsht tepër e rëndësishme me ja u lânë vetëm gjuhëtarëve, vlenë
edhe për letërsinë, âsht tepër e randësishme me ua lânë n’dorë vetëm kritikëve. Sepse, shqiptari ta fal
gjakun po jo suksesin, thojnë n’Gegni, e ec e besoja kritikës veprën letrare dhe rangimin në ndonjifar
kierarkie vlerore.