LETËRSIA ËSHTË VETI E MREKULLI INDIVIDUALE

Faruk Myrtaj, prozator


Faruk Myrtaj u lind në Selenicë të Vlorës, ku kreu shkollën fillore dhe gjimnazin. Pas shërbimit ushtarak
të detyrueshëm, punoi pesë vite në minierën aty. 1983-1988 u diplomua si inxhinier miniere në
Universitetin e Tiranës. Në vitet 1989-2003 punoi në disa gazeta, ATSH,në Ministrinë e Kulturës dhe
Agjencinë e Librit, Tiranë. Prej Nëntorit 2003, jeton me familjen në Toronto, Kanada. Në vitin 2004 u
pranua anëtar i PEN Canada dhe i Shoqatës së Shkrimtarëve Kanadezë “The Writers’ Union ofCanada”
është autor i shumë veprave: "Dielli i nëntokës” (poezi), 1985, Sh. Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë,
"Rroba e fjalëve gjithnjë ngushtë më rri", (poezi) 1991, “Naim Frashëri”, Tiranë. "Njerëz që kam njohur",
(tregime) 1987, “Naim Frashëri”, Tiranë, "Marrëveshje për të jetuar", tregime-novele, 1989, “Naim
Frashëri”, Tiranë, “Nudo Zyrtare", 1996, tregime, “AQTLASH”, Tiranë, ribotuar nga “Vatra” Shkup,
"Njerëzit janë tepër", (tregime) 2000, “Vatra”, Shkup, Maqedoni, "Luftëtarët vriten në paqe", (tregime)
2003, “Rozafa”, Prishtinë, Kosovë, “Hijet e Virgjëreshave”, 2006, tregime, “Arbëria”, Tiranë, “Dritat e
Italisë”, 2009, tregime, “Ideart”, Tiranë, “Ndershmëria Vetëm”, tregime, 2016, “Milosao”, Sarandë,
“Këpucë për Gjyqin e Fundit”, tregime, 2018, “UEGEN”, Tiranë, “Qyteti i Ministrave”, 1998, “Toena”,
Tiranë, “Atdhe Tjetër”, 2012, “Milosao”, Sarandë, “Orë të Franc Kafkës” (2018)-ribotim i përmirësuar i
Atdhe Tjetër), “Përse druhemi nga nacionalizmi",(ese) 1995”, “Dardania”. Tiranë, “Markezë shqiptarë”,
(ese) 2002, , “UEGEN”, Tiranë. Vepra “Nudo Zyrtare”, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, u
shpall libri më i mirë me tregime për vitin 1996”. Myrataj ka përkthyer edhe shumë vepra nga anglishtja
në shqip

HEJZA: Larg atdheut, larg vlerave kulturore të kombit, me valixhet plot kujtime, ndrydhur në vetmi e
përmallime, lemeritur nga pesha e papërballueshme e asimilimit – ky është motivi krijues, apo, është ai
fat që i ndjek të mërguarit për të bërë letërsi të mirëfilltë. Dikur, krijuesit nga diaspora, shqetësimet
letrar si rrjedhojë e rebelimit shpirtëror anti-pushtet (disidenca), i orientonin në krijimin e kryeveprave
në letërsinë tonë shqiptare, sot këtë gjë e bëjnë me qejf, për ta përcjellë traditën e prurjeve të reja në
letërsi dhe, përgjithësisht, në kulturë! Apo ndoshta, tashmë, ky vlerësim është demode, sepse,
shkrimtari ynë sot, në kohën e globalizmit, kudo qoftë në botë, ai është në atdhe!

FARUK MYRTAJ: Largësia nga “atdheu i hapur” nuk e ka ngarkesën e dikurshme. Aq më pak si largësi nga
vlerat kulturore që tashmë, nëse mbeten kulturore,linden, barten e qarkullojnë si përpjekje për
integrim. Shkrimtari e merr gjuhën me vete, e pasuron atë, më shpejt se sa pasurohet në punët e
përditshme për ekzistencë. Le të jemi më të kujdesshëm: kurrkush prej shqiptarëve s’ka mërguar për tu
bërë shkrimtar apo poet! Letërsia shqiptare, siç shpirti shqiptar, prej që-kur, është mbajtur gjallë e
kultivuar përtej kufijve. Liria për shqiptarët e Londinezes, mbetet e brishtë për shkak të sunduesve të vet
që-për ego të lënduar, i vonojnë si evropianë. Ndaj, sot e kësaj dite, inspirimi vjen prej jashtë. Paçka se,
në legjendë, Shpëtuesi tha: Lirinë e paskeni pasur këtu! Si mjeshtërues të propagandës, jesmenët e
fundit të Tiranës tentuan t’i joshnin të mërguarit me Ministri Diaspore. Dështuan në mënyrë

spektakolare dhe e shkrinë edhe formalisht. “Kompetencat ia kaluam Ministrisë për Punët e Jashtme!
”Kësisoj po, janë të sinqertë! Por, letërsia është qasje, veti e mrekulli individuale, s’ka lidhje me kufijtë a
qeveritë. Është ndër të rrallat krijimtari që edhe kur shkruhen në një provincë të thellë, janë menjëherë
globale. Nëse ajo shkruhet si universale, e ka edhe kombësinë brenda. Fare rrallë e vërtetë e kundërta.

HEJZA: Gërshetimi i kulturës hispane me kulturën e indigjenëve përgjatë kolonializmit të “kontinentit të
ri” (Amerikës), solli deri te “lindja e madhe” e Letërsisë Hispano-amerikane, e cila, botës letrare i dhuroi
kryevepra të paarritshme, nxori një plejadë shkrimtarësh mbase të papërsëritshëm ndonjëherë! Mund
të vërehet ndonjë element i tillë gërshetues te krijimtaria letrare e krijuesve tanë në diasporë?

FARUK MYRTAJ: Nëse Amerika e Veriut është diverse deri në kundërti, për shkak të Lirisë si askund-
tjetër, pra edhe në ngjyrimet e nuancat letrare, Amerika Latine në thelbin e saj kulturor, besoj se është
inversi i relievit dhe larmisë ballkanike. Në Ballkan kemi kombe secili më vetjak se tjetri, të gjithë nguten
të shpallen më të hershëm se tjetri, të gjithë bashkë më të vjetër se tërë bota, secili shkëlqen në
mëvetësi kulturore. Dhe, në fakt perandoritë më të mëdha, që kanë qenë Perandori edhe në kulturat që
kanë ngritur, e kanë pasur përherë Ballkanin pjesë të tyre. Në Amerikën Latine klimën dhe relievin e
kanë krijuar autorë, individë shkundës. Në shumicë, ata u kuruan, rritën e madhështuan tjetërkund.
Duke marrë me vete shpirtrat e vuajtjen e popujve, jo ngutin bezdisës për të fituar doemos çmime. Nuk
besoj, dot, se mes të lindurve e ngjizurve kulturalisht në një Shqipëri të izoluar, me bibliotekë të njëjtë
në çdo shtëpi, repart dhe hierarki politiko-letrare, do mund të dalin autorë kryeveprash letrare si të
letërsive më sipër. Edhe pse ndokush në Tiranë, bën thirrje të bëhet një listë e re, rezervë, për Nobelin,
që jo vetëm ta pretendojnë por ta marrin prej vërteti çmimin! Në faqen e parë të librit “Bartebly&Co” të
Enrique Vila-Matas, një blatim i mrekullueshëm fisnikërie ndaj të pafatëve në letrat, lexojmë: “The glory
or the meritofcertain men consists in writingwell; thatof the othersconsists in not writing.” Që mund të
përkthehet edhe kësisoj: “Fama apo merita e disa individëve të caktuar konsiston në të shkruarin mirë,
gjë që tek të tjerë qëndron në të mos-shkruarin!” (Jean de la Bruyère). Nuk nxitoj ta lexoj si aludim për
ata që do bënin më mirë të mos shkruanin. Një numër autorësh, të pohuar në fillimet më të talentuar se
të tjerë më vonë Fitues të Mëdhenj, por që për njëmijë arsye nuk vazhduan të shkruanin, mbetën
megjithatë të nderuar në sy të kolegëve dikur…Le të kujtohemi sërish: krijues shqiptarë, të para e pas
Luftës së Dytë, me ndonjë përjashtim, nuk e patën luksin të mërgonin si shkrimtarë. Dhe s’e kanë as sot.
Dalja e tyre, ikja për tek kultura, liri dhe shpirtëri me të tjera, mbajtja gjallë e dëshirës për të eksploruar
veten duke udhëtuar në botën e munguar, do të nderohet më vonë. Kur pasardhës të dëshiruar të tyre,
që do rriten e maturohen në mjedisin favorizues që të parët e tyre i sollën, të provojnë të shëmbëllejnë
duke ushqyer shpirtrat e tyre me përvojën e letërsive të këndejshme, për të cilat pyetët edhe ju.

HEJZA: Është më me vlerë ndjekja e traditës për të sjellë “krijime unikale”, apo, të bëjmë përpjekje që
letërsinë tonë ta sjellim në gjuhën e popujve me të cilët bashkëjeton diaspora jonë! Sa stimulohet
përkthimi, a kemi përkthyes të mirëfilltë në diasporë. Bibliotekat si dhe libraritë tona, gjithandej viseve
etnike, po “gogësijnë” nga veprat e përkthyera nga letërsia botërore. Apo ndoshta ndani mendimin se
çështja e përkthimit të veprave tona nga shqipja në gjuhë të ndryshme, është problem që duhet ta
zgjidhin ekskluzivisht institucionet tona qeveritare dhe nacionale!

FARUK MYRTAJ: Le ta cenojmë rendin e pyetjeve: krijime unikale do mund të vijnë prej motivesh
unikale. Më natyrshëm duke përpjekur të linden si letërsi, pa cilësime të domosdoshme etnike apo
kombëtare. Të ushqyer me lexime e kulturë pa-lirie, druaj se do t’u duhet ende kohë “bashkë-vuajtësve
të shkronjave tona”,për vepra të tilla, unikale…Besoj se ne vazhdojmë të humbasim “Kohën e humbur”,
me të cilën ende lëvdohen pluhur-alistët, intelektualët e krijuesit që më herë kishin artikuluar
socializmin dhe letrat e tij. Ata hoqën dorë nga zotimi solemn për ta shkruar vet historinë e letrave
shqipe! U bënë ideues dhe zota pa garë edhe të tranzicionit. Koha që u pranua si munguese deri ’90-ën,
e pa shqyrtuar, po përdoret për fazat e më-në-fund me rilindur. Ende nuk arrijmë të perceptojmë se gjer
edhe letërsia kineze, prej së cilës dikur morëm Lejfenizmin për t’ia shtuar Fuat Çelës së pafaj, po u
gëzohet 20 vjetëve diferencë të pas-prishjes me shokun Enver dhe shkrimtarët e Lidhur në ideologji të
rrëzuar. Tashmë jemi prapa tyre. Duke e pasur në limfë kulturën e hershme kineze, një varg autorësh të
atjeshëm, edhe pse nën atmosferë ‘sovrane’, bëjnë letërsi sa më universale.

HEJZA: Cili është raporti i atdheut me krijuesit shqiptarë të diasporës! Shtëpitë tona botuese që i kemi
me bollëk, dinë gjë për këta shkrimtarë, apo, nisin e i njohin sapo ndonjëri prej tyre të shpreh gatishmëri
për vetëfinancim të veprave të veta? A mendoni se vetëfinancimi i botimeve është një “korrupsion
kulturor” i cili duhet të ndiqet, madje edhe me mbyllje të shtëpisë botuese, nga organet respektive
shtetërore?

FARUK MYRTAJ: Në një prozë të gjatë titulluar “Atdhe Tjetër” (2012), ribotuar si “Orë të Francë Kafkës”
(2019), heroi im lirik u drejtohet miqve të vet në vendlindje: Unë s’kam ikur prej aty! Nëse nuk jam aty
fizikisht, e kam marrë atdheun me vete; jo Atdheun tuaj, atë që shihet, gëzohet e vuhet prej jush; kam
marrë me vete një lloj Atdheu Tjetër, ngjizur prej inspirimesh e ëndrrash thellësisht individuale,
gëzimesh e dertesh shpirti shqipërisht testamentale, atë mëmëdhe që secili Individ e ka hequr mënjanë
me kohë, përpara se të niset për të mërguar, atë ka marrë me vete, pa lejen e ndonjë reforme apo leje
legalizmi! Brenda asaj praktike, imponuar e mbikëqyrur, vepronte një rregull i pashkruar: lipseshin nja 10
vjet të haje veten, të veje e vije redaksive dhe, nëse ia dilje të mbeteshe, nëse nuk uniformizoheshe sa të
mos ishe Vetja, edhe nëse pengoheshe apo e pësoje, pashmangshëm do bije në sy. Sot, duket sikur të
gjithë bëhen krijues dhe botues. Liria punon, për këdo. Autor bëhesh, dhe libra nxjerrin shumë syresh.
Është pa dyshim më bukur se me një shtëpi botuese të vetme. S’të është e nevojshme t’i falënderohesh
kujt për një rekomandim apo parathënie se je i talentuar! Por, të bëhesh botues, do duhet së paku të
provosh shijen tënde në sy të lexuesit, aftësinë në treg, nëse jo, së paku ca para fillestare, sa të sigurosh
një bërthamë autorësh që të çmojnë edhe ty si të tillë. Një armatë vullnetarësh do ta gjejnë edhe ata
botuesin, financuar prej tyre, pse jo?! Shteti s’ka rol, përveç taksave e detyrimeve përkatëse, nëse
s’është në gjendje të ndihmojë veprimtari të veçanta, ndaj kulturës e letërsisë së traditës. Jo thjesht të
privilegjoj me libra që paguhen prej tij me gjasa burgjet apo autorë që bëjnë hosana ndaj qeverisë së
radhës. Anëtarët e komisioneve të Ministrisë së Kulturës, bie fjala, por moralisht edhe ata të gazetave të
pavarura, do duhet të pranojnë paraprakisht kushtin qe vota dhe opinionet e tyre për librat konkurrues
të mund të bëhen publike, në rast se qoftë konkurrues në këto konkurrime do të kërkonin diçka të tillë.

HEJZA: A e ka thënë akoma fjalën e vet kritika letrare për krijimtarinë që po zhvillohet në diasporë. Apo,
janë dy vlera që po ecin paralelisht dhe assesi të takohen diku sy më sy!

FARUK MYRTAJ: Krijimtaria në diasporë po zë vend më qartë si shije tjetër. Autorët e atjeshëm jetojnë
në hapësirë e mjedis ku jetët çmohen e respektohen ndryshëm. Edhe vetminë, largësinë nga atdheu dhe
e shkuara dikur, kanë shans ta kthejnë në kapital. Ata s’ndjejnë detyrim të shtiren, s’kanë kufizime prej
njohjeve, siç ndodh pafajshëm me kolegët në vendlindje. Nuk është e rastit që në ngulime kulturore
autorësh shqiptarë janë ravijëzuar edhe kritikë të veçantë, të pakrahasueshëm jo vetëm me ata që
s’mbetën dot nga autoriteti i centralizuar, por as edhe me të sotmit në vendlindje, të cilëve ua ngushton
frymëmarrjen tranzicioni dhe detyrim-përcaktimet prej lordëve të politikës. Të lirë e të kamur me
përvoja të tjera, shfaqen shumë artikulime kritike, profilizime krijuesish që e kapërcejnë krijimtarinë e
autorit të zgjedhur për t’u marrë në shqyrtim. Kritika e tyre është njëherazi edhe krijimtari e mirëfilltë e
tyre. Megjithatë, është realitet se “kritikën” në masë e bëjnë gjithnjë e më shumë vet autorët. Opinione,
rrëfime, mënyra të lexuari dhe shijuari që, kur shpëtohet prej “friend-ve” bëhen arritje jo pak serioze.

HEJZA: Antologjitë e më hershme të poezisë, por edhe të tregimit shqiptar, nuk janë llogaritur si të
“kompletuara” pa përfshirjen e autorëve shqiptarë të diasporës! Sa vend zënë sot krijuesit nga diaspora
nëpër antologjitë e tilla bashkëkohore? Apo nuk njihen fare nga hartuesit e antologjive, aq më pak nëse
nuk paguajnë për përfshirje!

FARUK MYRTAJ: Le t’i vështrojmë si të pafajshëm përgatitësit e të gjithë Antologjive! Është më mirë të
besojmë se aq mundën, edhe pse mund të ishin më të kursyer në titujt: “poezi/tregime të shekullit”,
“letërsi kontemporane”! Jemi dëshmitarë të antologjive Dikur, i harruam ato dhe përgatitësit e tyre
mbahen mend prej të ‘antologjuarve’ që u realizuan si autorë më vonë. Në liri, bëhemi të falur më
shpejt. E sigurt është se, sado të pa përkryera, ato nuk e vogëlojnë krijimtarinë e të pa-përfshirëve! Kot
nxitohemi t’i mbiquajmë fatkeqësi kombëtare antologjitë e pa miratuara…nga kush?! Nëse nuk je
përfshirë, dhe e ke problem, të duhet të durosh fare pak: del një antologji tjetër! Nëse në këto antologji
shkohet përmes parave, në lekë apo valutë, është tjetër gjë. Është ende fëmijëri e krijuesve, qenia gati
për të paguar për lavdi të parakohshme; vetiu të fyer janë autorët që ofrojnë, sigurisht më pak
përgatitësit. Këta thjesht respektojnë ekonominë e tregut! Dhe, le të kujtohemi se rrekje të tilla, jo veç
me mërgimtarë shqiptarë, ka edhe këndej…

HEJZA: Jeta letrare e shqiptarëve sot është më e pasur se dikur apo më e varfër?

FARUK MYRTAJ: Padyshim më e pasur sot. Janë lënduese, qytetarisht të papërgjegjshme, mendje të pa-
çliruara, ende-robinë të së djeshmesh, ende-lëvdimet për kulturën masive, krijimtarinë e programuar
apo procesin e djeshëm botues, në raport me lirinë e sotme, me gjithë brishtësitë e saj. Edhe letërsinë
on-line, madje edhe në atë hapësirë të paktë sa mundëson Face-book gjen larmi krijimesh si kënaqësi
lexuesi edhe në shqip. Mbase s’jam dot dëshmitar i jetës letrare të sotme në atdhe, por dimë pafund

titujsh përkthyer në shqip. Letërsia e djeshme është zëvendësuar me letërsi më humane. Pa llogaritur
opinionet e shqiptarëve në botë, si lexues dhe përcjellës të realiteteve letrare të andejshme. Shqipja
dhe shqiptarët janë pjesë e botës. Si të mos jetë më e pasur jeta e tyre?!