Kurti i përgjigjet Haradinajt: Sikur sot të kishim termocentral me gaz do të duhej ta ndalnim

Kryeministri Albin Kurti i është përgjigjur deputetit të AAK-së Ramush Haradinaj i cili e pyeti për gazsjellësin duke thënë se kur mendon që të sjellë gaz në Kosovë më lirë sesa me grantin e MÇ-së.

“Imagjinojeni sa lajm i keq është që pas tre vjetësh punë intensive dhe dakordimi që në nëntor të ndodhë investimi në gazsjellësin amerikan, kryeministri na njoftoi se ky ka vendosur në emër të Kosovës t’i devijojë ato fonde për aspekte të tjera energjetike. Ende s’i ka marrë ato pare, derisa ky zotnia ka vendosur me i çu në drejtime të tjera te energjisë. Meqë keni vendosur me i çu në drejtime të tjera të energjisë, a mundesh me na tregu kur kemi me sjellë gaz në Kosovë më lirë sesa me 200 milionë pare falas të Amerikës, 100 milionë kredi prej të cilave 20 milionë grant. Kur keni me mrri me ia jap Kosovës këtë shans? A doni ju me buxhet të Kosovës me sjell gazin ndonjëherë, apo e keni alternativën diku tjetër?”, e pyeti Haradinaj.

Kurti tha se e ka sqaruar dhe po e risqaron se granti i MCC-së nuk është humbur dhe se i njëjti nuk ishte i dedikuar vetëm për infrastrukturë gazi, prandaj edhe kanë vendosur që ta shfrytëzojnë në aspekte të tjera energjetike.

“Së pari fizibiliteti bëhet që të kuptohet se kur çka është më së miri, prandaj edhe bëhet fizibiliteti. Ne e kemi qartësuar disa herë dhe nuk është hera e parë që i përgjigjem pyetjes së njëjtë, granti nuk është humbur dhe as nuk ka qenë në rrezik që të humbet në asnjë moment. E kemi qartësuar gjithashtu se granti deri në 200 milionë dollarë nuk është ndarë për infrastrukturë gazi specifikisht, megjithëse ky opsion ka qenë duke u studiuar, sepse përndryshe do t’i kishim humbur fondet. Ne kemi vendosur që grantin ta shfrytëzojmë për investime të tjera”.

“Qeveria e Kosovës nuk ka vënë kushte sa i përket këtij projekti, e as MCC-ja nuk i ka vënë kushte qeverisë. Ka qenë dhe mbetet partneritet mes qeverisë dhe MCC-së ku së bashku janë trajtuar çështje si dizajni teknik dhe fizibiliteti ekonomik. Qeveria e Kosovës thjesht e ka vlerësuar me kujdes projektin dhe ndikimin në çmimet e energjisë. Kriza energjetike botërore e cila parashikohet nga ekspertë se do të zgjasë deri nga mesi i vitit tjetër nuk ka të bëjë asgjë me këtë projekt dhe as me gazin. Termocentrali me gaz i paraparë në atë projekt do të hynte në përdorim pas tetë vjetësh, as tetë jave e as tetë muaj, por tetë vite. Ju po flisni për një krizë e cila parashikohet të përfundojë pas tetë muajsh. Oferta e pamjaftueshme për gaz dhe çmimet e larta të gazit në fakt janë ndër shkaktarët kyçë të kësaj krize. Sikur ne sot të kishim termocentral me gaz do të duhej ta pezullonim përdorimin e tij për shkak të çmimit të lartë, siç po ndodh gjithandej në Evropë. Çmimi i gazit është trefishuar në Evropë e në disa vende si Polonia është shtatëfishuar, prandaj po ta kishim do të duhej ta ndalnim. Ne jemi të përgjegjshëm”.