Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve hodhi poshtë të gjitha ankesat e subjekteve politike për zgjedhjet e 17 tetorit. Ankesat e shqyrtuara ishin të pakta, meqë partitë tërhoqën vetë pjesën më të madhe të tyre para fillimit të seancës. Ankesat plotësisht i kishte tërhequr LSDM-ja dhe BDI-ja, kurse VMRO-DPMNE-ja kishte lënë vetëm dy ankesa për heshtjen zgjedhore, të cilat po ashtu u hodhën poshtë. Ankesa që supozohej se mund të ndryshonte rezultatin zgjedhor në Dibër ishte ai për vendvotimin 0543. Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa si parashtrues të ankesës besonin se ka pasur parregullsi në mbushjen e procesverbalit, mungonin firmat e anëtarëve të këshillit zgjedhor dhe se procesi ishte drejtuar nga një kryetar i këshillit i cili paraprakisht ishte shkarkuar nga Komisioni Komunal Zgjedhor. Ata kërkuan rivotim në këtë vendvotim. Kjo gjë shkaktoi reagime mes anëtarëve të KSHZ-së. Krenar Lloga thotë se procesverbali nuk është i vlefshëm sepse nuk është firmosur nga shumica e anëtarëve të këshillit zgjedhor dhe vendvotimi është drejtuar nga një kryetar i shkarkuar më herët.

Sipas ankesës, janë plotësuar të gjitha kushtet që vendvotimi 0543 të shkojë në rivotim. Para nesh e kemi procesverbalin nuk është i firmosur nga këshilli zgjedhor dhe nuk është firmosur as sipas nenit 117, paragrafi 4, nga Komisioni Komunal Zgjedhor- deklaroi Krenar Lloga, anëtar i KSHZ.

Parashtruesi i ankesës ka edhe anëtarin e saj në këshillin zgjedhor i cili supozoj se ka qenë prezent gjatë votimit dhe në procesverbal nuk kanë shënuar asnjë vërejtje kurse tani dorëzojnë ankesë. Kjo për mua është e palogjikshme- pohoi Boris Kondarko, anëtar i KSHZ-së .

U hodhën poshtë edhe gjashtë ankesat e Të Majtës të cilat kishin të bënin me parregullsi që ata besonin se kanë ndodhur në disa vendvotime në Shtip dhe Kisella Vodë. Anëtarët i cilësuan ankesat të pabaza kurse përfaqësuesi i “Të Majtës” pranoi se kanë lëshime në posedimin e fakteve.

Unë jam i vetëdijshëm për lëshimet që i kemi bërë si parti në dorëzimin e këtyre ankesave por si parti të drejtën e interpretojmë si gjë që duhet ta ruaj më të dobëtin nga më i fuqishmi- tha Përfaqësues i Të Majtës.

U refuzuan edhe ankesat nga Lëvizja “Të vendosur për ndryshime” dhe Partia Demokratike e Turqve.