Krejt çka u tha dje në Këshillin e Sigurimit për Kosovën

Në Këshillin e Sigurimit gjatë ditës së djeshme u diskutua për tensionet në veri të Kosovës.


Aty konkretisht u fol për çështjen e targave, aksionin e Njësisë Speciale të Kosovës në veri dhe operacionin e Policisë së Kosovës për konfiskimin e mallrave të kontrabanduara, shkruan Klankosova.tv.

Para Këshillit të Sigurimit duke komentuar zhvillimet në Kosovë, mbajtën fjalime: Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq, përfaqësuesja e Francës në Këshill të Sigurimit, përfaqësuesi i SHBA-së si dhe Vasily Nebenzya, përfaqësuesi i Federatës Ruse në Këshill të Sigurimit në OKB.

Osmani, OKB-së: Një ditë do t’ju bashkohemi në tavolinë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka folur para Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Para 22 viteve kam dëgjuar takimet e OKB-së për fatin popullit tonë përderisa kam qenë refugjate dhe tani si Presidente dua të ju falënderoj unë dhe populli ynë, pasi shohim shtetin tonë i cili është i pavarur dhe sovran, dhe kjo është bërë më ndihmën e aleatëve tanë”, tha Osmani, transmeton Klankosova.tv.

“E ardhmja jonë është e ndritur dhe një ditë do iu bashkohemi në tavolinë. Ne kemi kaluar shumë, sakrifica jonë ka qenë shumë e madhe që të kthehemi mbrapa, andaj shohim para”, shtoi tutje presidentja.

Tanin para Këshillit të Sigurimit: Bashkësia ndërkombëtare nuk u informua paraprakisht për reciprocitetin me targat

Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, ka thënë se bashkësia ndërkombëtare nuk është informuar paraprakisht për reciprocitetin e targave me Serbinë nga Kosova.

Ai në seancën e Këshillit  të Sigurimit të OKB-së të Kosovës gjatë prezantimit të raporti 6 mujor deklaroi se duhet të kishte komunikim të hershëm për targat.

“Në mëngjesin e 20 shtatorit Prishtina ka nisur një operacion policor në veri të Kosovës me qëllim të zbatimit të masave të reja të vlefshmërisë së targave. Duke marrë parasysh diskutimet e ndjeshme të kamotshme për lirinë e lëvizjeve të realizuara nga vitet e kaluara përmes dialogut do të ishte natyrshme të pritet një komunikim i hershëm dhe i qartë me ata që preken”.

“Megjithatë komunikimi ka qenë i pakët apo fare nuk ka ekzistuar. Bashkësisë ndërkombëtare në terren duke përfshirë KFOR-in nuk i është dhënë njoftim paraprak. Rrjedhimisht është krijuar një bllokadë në veri ku serbët bllokuan trafikun në pikat kufitare për gjatë kufirit administrativ”.

Tanin ka përmendur zhvillimet e 13 tetorit në komunat veriore në kuadër të operacionit të policisë për kontrabandë.

“Gjatë ditës ky operacion provokoi protesta dhe konfrontime mes policisë dhe qytetarëve. Popullata në veri raportoi dëme nga gazilotsjellës dhe granatat, protestuesit gjuajtën me gurë dhe sipas policisë disa serbë gjuajtën me armë. Këto veprime të fundit thelluan mosbesimin tek popullata serbe dhe quan reagime të forta në Beograd”.

Ai ka folur edhe për vazhdimin e procesit të dialogut, si dhe ka thënë se duhet të vazhdojnë nismat për Ballkanin Perëndimor që janë.

Përfaqësuesi i SHBA-së në OKB: Kriza në veri dëshmoi se misioni i UNMIK-ut duhet të përmbyllet

Përfaqësuesi i SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka thënë se e mirëpresin marrëveshjen e arritur për targat mes Kosovës dhe Serbisë duke thënë se kjo është dëshmi që kur udhëheqësit angazhohen mund të gjejnë gjuhë të përbashkët nga e cila përfitojnë dy palët.

“Dëshiroj të filloj duke mirëpritur marrëveshjen për çështjen e targave të arritur mes Kosovës dhe Serbisë të cilën e ka ndërmjetësuar Përfaqësuesi Special i BE-së Mirosllav Lajçak. Kjo marrëveshje është një hap përpara për Kosovën, Serbinë dhe për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Kjo marrëveshje është dëshmi që kur udhëheqësit angazhohen në mënyrë të hapur dhe serioze mund të gjejnë gjuhë të përbashkët duke përfituar të gjithë qytetarët e tyre. Inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë të ndërtojnë mbi këtë progres duke zbatuar këtë marrëveshje, duke i respektuar marrëveshjet paraprake, duke u përmbajtur nga provokimet dhe duke u përkushtuar në zgjidhjet përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dialogu mbetet platforma kryesore për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe për normalizimin e marrëdhënieve duke arritur në fund një marrëveshje për njohje të ndërsjellë”.

Ai në Këshill të Sigurimit ka thënë se misioni i UNMIK-ut në Kosovë duhet të përmbyllet, duke shtuar se tensionet në veri e dëshmuan se ky mision nuk duhet të jetë më i pranishëm në Kosovë, njofton Klankosova.tv.

“UNMIK-u nuk ka luajtur rol kritik në zgjidhjen e tensioneve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e targave. De-eskalimi i kësaj çështje me përkrahjen e përkohshme të ofruar nga KFOR-i tregon se organizatat e tjera mund ta luajnë këtë rol më mirë. Ngjarjet e fundit demonstruan prapë se UNMIK-u e ka plotësuar qëllimin e tij siç është paraparë në mandatin e tij fillestar. Duhet ta kuptojmë këtë realitet dhe të shkojmë drejt mbylljes së tij.

Përfaqësuesja e Francës në Këshill të Sigurimit: Kriza në veri, ilustrim se s’ka alternativë tjetër pos dialogut

Përfaqësuesja e Francës në Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara ka kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi që të vazhdojnë dialogun si të vetmen alternativë për zgjidhjen e kontesteve mes tyre.

“Zgjidhja e kontesteve mes Beogradit dhe Prishtinës është çështje e sigurisë evropiane. Tensionet e fundit në veri të Kosovës janë përkujtuese për këtë, në këtë aspekt ne mirëpresim marrëveshjet e bëra në Bruksel më 30 shtator me lehtësimin e Përfaqësuesit Special të BE-së Mirosllav Lajçak. Ne kërkojmë nga të dyja palët që të arrijnë deri te një zgjidhje afatgjate për këtë çështje. Kjo krizë është ilustrim i mëtutjeshëm i faktit se nuk ka alternativë tjetër ndaj dialogut, qoftë për Kosovën dhe qoftë për Serbinë”.

“Nuk ka asnjë rrugë tjetër përpos një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse ligjore për një zgjidhje të qëndrueshme për kontestin mes dy vendeve. Ne kërkojmë nga Beogradi dhe Prishtina që të vazhdojnë me dialog konstruktiv në frymën e kompromisit të lehtësuar nga BE-ja. Kemi nevojë që t’i ikim çfarëdo akti të njëanshëm që mund ta minojë këtë dialog. Marrëveshjet për këtë të arritura përmes dialogut që nga viti 2011 kanë krijuar përparësi të dukshme tek popullata dhe mbesin obligative për të dyja palët. Ne i kërkojmë që të gjitha palëve që të respektojnë dhe zbatojnë të gjitha obligimet e tyre të arritura përmes dialogut”, u shpreh ajo.

Rusia në OKB: Kosova qëllimisht po ngacmon tensionimin e serbëve që ata të ikin nga Kosova

Vasily Nebenzya, përfaqësuesi i Federatës Ruse në Këshill të Sigurimit në OKB, ka thënë Kosova qëllimisht po e “ngacmon” situatën në veri të vendit që të nxisë serbët ta lënë vendin.

Për më tepër, ai tha se kur u vendos reciprociteti për targat e veturave pati viktima civile nga serbët dhe se ata dhe qytetarët tjerë joshqiptarë “në vazhdimësi sulmohen”, njofton Klan Kosova.

“Ne po dëgjojmë nga Osmani propagandën për një Kosovë paqësore shumëetnike që ka arritur sukses në madh drejt presperiteti dhe demokracisë. Këto fjalë të mira nuk përkojnë me realitetin dhe prapë Osmani na ofroi versionin e saj se çka ka ndodhur muajt e fundit në Kosovë. Ne nuk jemi të bindur me këtë dhe jeni duke e çorientuar Këshillin e sigurimit dhe bashk ndërmokmbëtare. Fjalimet e tua të zjarrta nuk do të ndryshojnë faktet. Situata në veri të krahinës autonome të Kosovës është përkëqësuar ditëve të fundit dhe si rezultat transporti u ndalua”.

“Në atë vend shkuan Policia Speciale e Kosovës me automjete të blinduara dhe ka pasë viktima civile si rrjedhojë e kësaj, por falë ndërmjetësimit të BE-së duket se çështja është zgjidhur. Ngjyra në këtë marrëveshje sa ishte terur kur më 13 tetor ndodhën incidente të tjera gjatë kontrolleve të dhunshme të shitoreve dhe farmacive në Mitrovicë dhe Zveçan kur Njësistë Speciale të Kosovës kanë sulmuar qytetarët me armë të gjata dhe gaz lotsjellës. Këto ne i shohim si të qëllimshme për të ngacmuar tensionim të serbëve në mënyrë që ata të ikin nga Kosova. Këto lojëra me zjarr kanë edhe dimensionin politik, nacionalizmi dhe radikalizmi përqafohen para zgjedhjeve komunale”.

“Ka sulme të shpeshta ndaj serbëve dhe joshqiptarëve të tjerë dhe ka edhe sulme ndaj pronës dhe në vitin 2020 këta numra janë dyfishuar. Ne mirëpresim sjelljen e përgjegjshme ndaj Beogradit si reagim ndaj papërgjegjësisë së shqiptarëve të Kosovës”, u shpreh ai.

Ministri i Jashtëm i Serbisë: Prishtina po provokon serbët me ritëm të shpejtuar

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq, ka thënë se serbët në veri të Kosovës çdo ditë janë duke pasur dhunë.

Ai në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të Kosovës gjatë prezantimit të raportit 6 mujor deklaroi se institucionet e Kosovës janë duke diskriminuar serbët, sipas tij kjo duhet të ndalohet.

“Janë rritur shqetësime të mëdha sepse gjendja e sigurisë në Kosovë në periudhën e kaluar është shënuar me një numër të rritur të sulmeve të ndryshme të motivuara etnikisht dhe me incidente që kanë pasur shënjestër serbët”.

“Institucionet e Kosovës kanë vazhduar të ndërmarrin hapa të njëanshëm dhe kanë refuzuar të zbatojnë marrëveshjet e arritur në dialogun e Brukselit. Ky diskriminim nga institucionet ndaj serbëve ka vazhduar, jemi dëshmitar se provokimet e rrezikshme nga Prishtina po bëhen çdo ditë me një ritëm të shpejtuar dhe janë duke e rrezikuar sigurinë e serbëve në Kosovë dhe janë duke shkelur marrëveshjet e arritura nga dialogu”,ka thënë Selakoviq.

Selakoviq ka deklaruar se në operacionin e policisë për kontrabandë që e kishte zhvilluar më 13 tetor ku serbët e kishin kundërshtuar ka vdekur një qytetare e këtij komuniteti dhe 10 persona të tjerë ishin lënduar.

“Gazilotsjellës dhe dhuna po bëhen çështje e jetës së përditshme të serbëve në veri të Kosovës dhe kjo duhet të ndalohet. Në sulmin e fundi me armë të zjarrit, nga kimikalet e përdorura nga forcat speciale të Prishtinës një 76 vjeçare ka vdekur si rezultat i këtyre kimikaleve të përdorura, po ashtu janë shënuar edhe 10 civil pa armë dhe një 36 vjeçar është lënduar me armë të gjatë”, ka thënë Selakoviq.

Ai ka shtuar se Serbia është pro arritjes së një zgjidhje por sipas tij Prishtina nuk është pasi thotë se janë duke shkelur marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut.

Farrey vlerëson se Kosova ka shënuar hapa pozitivë drejt një demokracie të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëve

Koordinatorja Politike e Mbretërisë së Bashkuara, Sonia Farrey, ka vlerësuar se Kosova ka shënuar hapa pozitivë drejt një demokracie të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëve.

“Ne vërejmë trajektoren e përgjithshme pozitive të situatës në Kosovë të përcaktuar në konferencën e zotit Tanin dhe në raportin më të fundit të Sekretarit të Përgjithshëm”, tha ajo.

Ajo gjithashtu foli edhe për zgjedhjet që do të mbahen nesër në Kosovë, njofton Klankosovat.tv.

Në takimin e fundit, ne përshëndetëm trajtimin e zgjedhjeve parlamentare nga autoritetet kosovare dhe formimin e suksesshëm të një qeverie të re. Takimi i sotëm zhvillohet pak para zgjedhjeve lokale të cilat fillojnë më 17 tetor, pas përgatitjeve të cilat janë menaxhuar në mënyrë efektive. Ashtu siç bëmë në prill, ne dëshirojmë të theksojmë raportet e votuesve serbë në Kosobë. Çdokush në Kosovë ka të drejtë të marrë pjesë në zgjedhje të lira dhe të ndershme pa frikë”, tha Farrey.

Farrey tha se ata mbështesin fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Theksojmë mbështetjen tonë të vazhdueshmee  të fortë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE mes Serbisë dhe Kosovës nën Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajçak, duke punuar drejt një marrëveshjeje të normalizimit gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme nga e cila do të përfitojnë të dyja vendet”, u shpreh Farrey.