“Kintsugi” është praktika japoneze që përdoret për riparimin e një objekti të thyer. Vendin e plasaritur, ata e mbushin me ar dhe jo me materialin e vetë objektit. Sipas tyre, një objekt që ka një histori të vetën, nuk duhet hedhur tutje, edhe pse mund të pësojë dëme. Në vend të hedhjes, ai objekt duhet ‘shëruar’. Duhet shëruar, por duke mos ia fshehur plasaritjet. Kjo për shkak se janë pikërisht ato plasaritje, që e bëjnë atë unik.


Ngjashëm me trupin e objektit, edhe zemrat tona kanë nevojë për “kintsugi”, për shërim, për mos-fshehje, për “mbushje me ar”. Plagët e brendshme nuk na shëmtojnë; përkundrazi, ato na bëjnë më të ndjeshëm, më njerëzorë e më shpirtbukur. Edhe nëse dhimbjet shërohen, ne s’kemi pse të hiqemi sikur s’kanë ekzistuar kurrë. Ato janë aty, brenda nesh, ‘të mbushura me ar’, për të na kujtuar ato kohë të vështira. Janë aty për të na kujtuar forcën që patëm për të arritur dritën në fund të tunelit.