Rrjeti televiziv britanik, Sky News, ka siguruar pamjet e marra nga kamerat e sigurisë të cilat tregojnë një burrë të quajtur Ali Harbi Ali duke ecur përgjatë një rruge në veri të Londrës, disa orë para vrasjes së deputetit konservator në Mbretërinë e Bashkuar, David Amess.

Sipas mediumit në fjalë, 25-vjeçari, i cili është arrestuar nën dyshimin për vrasjen Amess, shihet duke ecur përgjatë trotuarit të premten në mëngjes.

Pamjet video janë filmuar nga jashtë një dyqani në Highgate Road në orën 8.44 të mëngjesit.

Ali, i cili jetonte disa blloqe larg ngjarjes, mendohet se ishte duke ecur në stacionin hekurudhor Gospel Oak në atë kohë.

Policia po heton lëvizjet e Ali në orët para sulmit.

Deputeti konservator u godit me thikë për vdekje të premten ndërsa ishte duke realizuar një takim elektoral në një kishë. 69-vjeçari ishte duke u takuar me votuesit kur ndodhi sulmi.