Kancelari i ri austriak, Alexander Schallenberg, vizitoi Brukselin, e para kjo ndërkombëtare pas marrjes së postit. Duke paraqitur përparësitë e tij politike te zyrtarët e Bashkimit Evropian, Schallenberg tha se një nga përpjekjet kryesore do të ishte afrimi i Ballkanit Perëndimor me BE-në.

Schallenberg, i cili punoi në Bruksel dhe përfundoi studimet pasuniversitare në Kolegjin e Evropës në Brizh, e quajti udhëtimin në Belgjikë një “kthim në shtëpi” dhe theksoi se ishte një “sinjal i vetëdijshëm” që Austria dëshiron të punojë ngushtë me BE-në për të adresuar sfidat përpara, shkruan Euraktive.

Ai gjithashtu theksoi se dëshiron të vazhdojë rrugën e paraardhësit të tij, Sebastian Kurz, i cili u detyrua të jep dorëheqje pas skandalit me korrupsion.

Schallenberg tha se një nga shqetësimet e tij kryesore do të ishte afrimi i Ballkanit Perëndimor me BE dhe lehtësimi i hyrjes së rajonit në BE.

“Qëllimi më i rëndësishëm i Austrisë është që të mos ketë më ndarje në Evropë,” tha kancelari i ri austriak, duke shtuar se zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor ishte “një çështje emocioni”.

Schallenberg tha gjithashtu se nuk dëshiron të jep përshtypjen për anëtarët lindorë të BE-së se ata janë vende të klasës së dytë.

Sidoqoftë, ai dënoi ashpër zhvillimet e fundit në Poloni, gjykata kushtetuese e së cilës vuri në pikëpyetje përparësinë e BE-së mbi atë kombëtare. Schallenberg e quajti vendimin e javës së kaluar të Gjykatës Kushtetuese polake “jashtëzakonisht të rrezikshme”.

“Unë mendoj se qasja ndaj Polonisë është plotësisht e saktë. Sidoqoftë, gjërat varen nga mënyra se si komunikojmë me njëri-tjetrin,” tha Schallenberg.

Schallenberg tha në Bruksel se do të ndiqte politikën fiskale konservatore të paraardhësit të tij dhe qëndrimin e vendosur të Austrisë ndaj migrimit.

Kancelari i ri bisedoi në Bruksel më 14 tetor me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Layen dhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

Sipas agjencisë AFP, Von der Leyen vlerësoi gjithashtu se fakti që Schallenberg zgjodhi Brukselin për vizitën e parë, paraqet një “sinjal të fortë”.

“Pres një bashkëpunim të mirë. Ne kemi shumë të përbashkëta,” tha Ursula von der Leyen, duke treguar politikën evropiane të klimës, digjitalizimin dhe tejkalimin e pasojave të pandemisë.

“Mund të jeni të sigurt se Austria do të përpiqet të jetë konstruktive, por natyrisht, nëse është e nevojshme, një partner vokal në BE,” tha Schallenberg.