Iu mohua bashkimi me vajzën e sëmurë, deklarohet Ambasada e Austrisë në Shkup

Merita Hoxha-Maksuti ditë më parë ka treguar se i është pamundësuar takimi me vajzën e saj e cila është e shtrirë në një spital në Austri për shkak se është diagnostikuar me një sëmundje të rëndë.

Përkundër që ajo ka thënë se i ka kompletuar të gjitha dokumentet e nevojshme, për të katërtën herë i është refuzuar viza.

Hoxha-Maksuti pas shkrimit të saj gjeti përkrahjen e qytetarëve të cilët të shumtë në numër kërkuan sqarim nga Ambasada Austriake në Shkup.

E kjo e fundit sot ka dalur me një njoftim në rrjetin e saj social Facebook.

Nga kjo ambasadë kanë thënë se kur vendoset për lëshimin e vizës merret parasysh qëllimi i qëndrimit të aplikantëve dhe rrethanat e tyre personale ekonomike dhe sociale.

“Në këtë proces vendimmarrjeje, dokumentet e paraqitura nga aplikantët si dhe informacioni dhe deklaratat e tyre përbëjnë bazën për vendimmarrje. Ambasada duhet të kontrollojë informacionin nga aplikacioni për plotësinë dhe korrektësinë. Nëse dokumentet mungojnë ose nëse informacioni thelbësor rezulton i pavërtetë, përgjegjësia për këtë nuk është e ambasadës”, thuhet në shkrimin e kësaj ambasade.

Kujtojmë që Hoxha Maksuti kishte thënë se pasi i është mohuar e drejta e kujdesit për fëmijën e saj të sëmurë ajo do të niset për Austri në mënyrë jo ligjore.