Humbi në shtëpi me Egnatian, trajneri i Laçit jep dorëheqjen

Trajneri i Laçit, Vukeçeviç, mori përgjegjësitë për humbjen, duke dhënë dorëheqjen nga ekipi kurbinas.


“E vërteta është që nuk e kuptoj se kemi luajtur shumë mirë në pjesën e parë. Nuk e lejuam kundërshtarin, ndërsa ne kishim 4-5 raste të qarta. Për fat të keq, nuk shënuam, dhe në pjesën e dytë nuk ishim aty. Nuk e besoj që e merituam këtë humbje, por në futboll ndodhin edhe raste të tilla.

Është e vështirë për të dalë nga kjo situatë, ia kam bërë të qartë dhe lojtarëve që me 2 pikë në 5 javë nuk është situata që donim. Kemi bërë lojëra të mira, por kemi hasur gabime individuale dhe fakti është qe kemi vetëm dy pikë. Është e qartë se në një situatë të tillë trajneri duhet ta lërë klubin, që ata të punojnë si duhet.

I falënderoj të gjithë, kemi punuar shumë mirë, kemi pasur marrëdhënie shumë të mira por nëse nuk ke rezultate fati i trajnerit dihet. Më vjen keq për presidentin, që besoi te puna ime, për tifozët, unë pres që të ringrihen dhe të kthehen në rrugën e tyre normale”, u shpreh trajneri i kurbinasve.