Rruga e “Kazanxhinjve” në Çarshinë e Vjetër të Shkupit do të ketë kalldërm të re. Kryetari aktual i Çairit gjithashtu kandidat për mandat të dytë Visar Ganiu, sot në takim me esnafin e çarshisë paralajmëroi se përveç që do të rikonstruktohet rruga e tretë e Çarshisë së Vjetër poashtu do të rinovohet edhe infrastruktura nëntokësore.


“Shumë vite në këtë rrugë nuk kishte investime. Qëllimi jonë është që edhe kjo rrugë të zhvillohet si rrugët e tjera në Çarshi”, tha Ganiu, i cili theksoi se një nga punët kyçe do të jetë edhe për nevojën që Çarshia të ketë parkingje. Sipas tij, kjo çështje do të zgjidhet me ndërtimin e parkingut nëntokësor tek sheshi “Skënderbe”.

Në takim me esnafin e Çarshisë, mori pjesë edhe ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi i cili shtoi që së bashku me komunën e Çairit, do të subvencionoj ndryshime edhe të 450 vitrinave të Çarshisë së Shkupit. Deri më tani në bashkëpunim me këto komuna dhe me mjetet e Bankës Botërore janë ndryshuar 137 vitrina në Çarshinë e Vjetër të Shkupit dhe është kryer restaurim të një pjese të kalldërmës së rrugës së “Bitpazarit”.