Krijuesit e artit figurativ duhet të trajtohen si një vlerë e pazëvendësueshme kombëtare, për më tepër,
sepse janë të po asaj linje që kontribuuan në zhvillimin e mendimit dhe të civilizimi njerëzor që nga
parahistoria e deri më sot


Komuniteti që përfaqëson artin figurativ shqiptar (skulptorë, piktorë, grafistë, dizenjerë etj.) pa dyshim
që njihen në mes vete, takohen, respektohen, zhvillojnë debate mbi kahet dhe rrjedhat e llojeve të artit,
mbi nivelet e artit bashkëkohor shqiptar në raport me artin botëror të sotshëm, etj. Kemi artistë nga
zhanret e ndryshme të artit figurativ që i kanë dhënë botës vepra antologjike, kemi nga krijuesit e rinj të
cilët në artin botëror kontemporan tashmë po lënë gjurmë të pashlyeshme.
Natyrisht, kjo veprimtari arti është mjaft e kushtueshme, që nga kornizat, pëlhura, ngjyrat, mjetet e
ndryshme e deri te përgatitja e katalogëve dhe organizimi i një ekspozite. Ç’është e vërteta, institucionet
shtetërore edhe ndihmojnë sadopak në hapjen e ekspozitave nëpër galeritë nacionale përkatëse, në të
cilat mund të shijohen eksponatet nga vizitorët brenda dy-tri jave dhe, pastaj, “magazinohen” nëpër
atelietë e tyre.
Hapësirat shqiptare shtrihen përtej rrugës, lagjes, qytetit ku gjendet galeria nacionale dhe, çdo ekspozitë
do të duhej të organizohej në sa më shumë qytete dhe shpenzimet do të duhej të ishin brengë e
rretheve, komunave, institucioneve relevante. Të supozojmë se një pretendim i tillë do të ishte shumë
megaloman dhe tepër i kushtueshëm për buxhetet tona! Megjithatë, kemi një trekëndësh Tiranë-
Prishtinë-Shkup, apo Shkodër-Prizren-Tetovë, apo Fier-Ferizaj-Gostivar, ose Gjirokastër-Gjakovë-Strugë
etj .etj. qendra këto që do të duhej të kishin “shtëpi koloniale” të artistëve tanë, të cilët, nëpër periudha
të caktuara do të dislokoheshin togje-togje nëpër vende të veçanta dhe në telajo do të derdhnin gjithë
inspirimin e tyre, duke na sjellë, pse jo, prurje kryeveprash. Kësisoj, artistët kombëtarë do të ishin më
pranë shijuesve të veprave të tyre dhe, përveçse kësaj, nga çdo koloni do të organizoheshin edhe
ekspozitat.
Nga ana tjetër, është koha e fundit që ministritë përkatëse njëra tjetrës t’ia ofrojnë programin e
ekspozitave vjetore nga krijues të vendeve respektive. Është e pakuptueshme në këto kohë e kushte që
ekspozitat, kryesisht kolektive, t’i kemi vetëm sezonale. Do të kishin vlerë edhe më të madhe sikur ato
ekspozita t’i kemi lëvizëse, të organizohen nga një qendër në qendrën tjetër, duke i mbuluar shpenzimet
secili institucion i shtetit përkatës, madje që nga sigurimi i veprave, transporti e deri te ekspozimi.
Ekspozita e Prishtinës, patjetër që duhet të ekspozohet në Shkup e në Tiranë dhe anasjelltas! Programi i
këtyre eventeve duhet të dihet që në fillim të vitit, madje edhe katalogët duhet të jenë të gatshme, si
për ekspozitat kolektive ashtu edhe për ato personale. Veprat e një krijuesi të artit figurativ nga
Gjirokastra pse të mos ekspozohen në Gjilan, madje pse ato vepra mos të nxirren në ankande si për
qytetarët ashtu edhe për institucionet komunale. Të thyhet ai “monopol korruptiv”, i cili një artisti ia

mundëson që të gjitha institucionet shtetërore t’i ketë “tezgë personale” ku i shiten si hallvë të gjitha
veprat.
Krijuesit e artit figurativ duhet të trajtohen si një vlerë e pazëvendësueshme kombëtare, për më tepër,
sepse janë të po asaj linje që kontribuuan në zhvillimin e mendimit dhe të civilizimi njerëzor që nga
parahistoria e deri më sot. Niveli i përkujdesit institucional dhe nacional ndaj kësaj shtrese krijuesish,
dëshmon për nivelin civilizues të çdo populli. Piktori kombëtar mund të ofrojë kryevepër, por
institucionet shtetërore duhet të jenë ato që do ta bëjnë të kapshme, të prekshme, të shijueshme për
mbarë popullin, cep më cep ku shtrihet ai!
Kjo shtresë krijuesish heshtin dhe krijojnë, janë të pazhurmshëm dhe pa kurrfarë kërkesash. Heshtin, por
një shoqëri e ndërgjegjshme heshtjen e krijuesve të artit figurativ duhet e trajtojë si dhembje të
papërballueshme të mbarë shoqërisë. Galeritë e arteve janë farmaci e ilaçeve të shpirtit!/HEJZA/