Prof.dr. Eshref Ymeri

Me zhvillimin e teknologjisë së internetit dhe me botimin e teksteve
mësimore me vlera praktike, sot është bërë e mundur që kushdo që ka dëshirë dhe
talent, mund t’i hyjë studimit të një gjuhe të huaj në mënyrë të pavarur. Madje në
internet mund të pajtohen edhe pedagogë për mësimdhënie. Por, në të shumtën e
rasteve, dijet e përftuara gjatë studimit të një gjuhe të huaj, nuk janë të
mjaftueshme për t’u marrë me përkthim në një mënyrë profesionale. Sepse
zotërimi në nivele të kënaqshme i një gjuhe të huaj, nuk do të thotë se mund të
arrish të bëhesh edhe përkthyes.
Herë-herë hasen njerëz të talentuar, të cilët, gjatë përkthimit gojor, arrijnë të
përballojnë përkthimin e shumë fjalëve apo shprehjeve të vështira, madje pa pasur
as arsimimin, as përvojën e duhur. Por këto janë raste të rralla në jetë dhe përbëjnë
përjashtim nga rregulli i përgjithshëm. Megjithatë, duhet theksuar se në jetë u
qëllon të gabojnë edhe diletantëve, edhe profesionistëve. Por nganjëherë gabimet e
përkthyesve tingëllojnë kaq absurde, saqë ato i përmendin si anekdota.
Jo rrallëherë si shkak për gafa të tilla në përkthim shërbejnë të ashtuquajturit
“miq të rremë të përkthyesit” ose omonimet ndërgjuhësore. Kështu, p.sh., fjala
mjaft e përhapur e anglishtes “magazine”, në gjuhën shqipe s’përdoret absolutisht
në kuptimin “magazinë”, por në kuptimin “revistë”. Fjala e italishtes “lunatico”
dhe e anglishtes “lunatic” kanë kuptime krejt të ndryshme në gjuhën shqipe: e para
përdoret në kuptimin “njeri që ecën në gjumë, që vuan nga makthi i natës,
somnambul, kurse e dyta përkthehet “i marrë, i çmendur”.
Në vijim po i njoh lexuesit me disa gabime në përkthim, të cilat janë bërë
shkak edhe për skena humori, edhe për keqkuptime në sferën e tregtisë, e
diplomacisë, edhe për ndonjë ndëshkim të rëndë financiar, edhe për ndonjë ngjarje
tragjike të përmasave katastrofike.

Një etiketë me zarar

Arsyeja kryesore e gabimeve në përkthimin gojor është horizonti i
pamjaftueshëm kulturor i përkthyesit. Për pasojë, ai nuk i njeh traditat historiko-

kulturore të një vendi të caktuar, me të cilin bën tregti një sipërmarrës që ka këkuar
ndihmën e tij. Kështu, një prodhues i njohur i verërave rumune të qytetit Myrfatlar,
dikur mendoi të hidhte në tregun ndërkombëtar një prodhim të ri. Verës që
mendonte ta tregtonte në disa vende të botës, përfshirë edhe Rusinë e Bullgarinë,
në konsultim me përkthyesin, i pati vënë etiketën “Zaraza”. Ky emër lidhet me një
legjendë të Bukureshtit të viteve 30-40 të shekullit të kaluar. Skenaristi rumun
Serxhiu Nikolaesku (Sergiu Nicolaescu – 1930-2013) e pati përdorur këtë legjendë
në filmin “Supravieţitorul” (I mbetur gjallë), i cili pati dalë në ekran në vitin 2008.
Heroina e filmit, Zaraza, që në rumanisht do të thotë “e mrekullueshmja”,
ishte njëra nga prostitutat më të magjishme të klubeve elitare të natës në
Bukuresht. Ecjet e saj të shkujdesura dhe ngjyrat e fustaneve të saj magjepsëse, i
linin meshkujt pa mend. Emri i heroinës romantike, i njohur për shumicën e
rumunëve, në përfytyrimin e tregtarit të verërave, vendoste një lidhje të
hamendësuar me pasionin dhe me dashurinë e zjarrtë për një damë të magjishme.
Por përkthyesi, dhe bashkë me të edhe tregtari, kishin harruar më të rëndësishmen:
ç’kuptim kishte kjo fjalë në gjuhët e vendeve ku do të tregtohej vera rumune?
Kjo fjalë përdoret në spanjisht. Haset në Meksikë, si emërtim i një lëngu
frutash. Kurse në Venezuelë kështu quhet një qendër banimi, pra, përdoret si
emërvend (toponim). Por si do të pritej kjo llojë vere në Rusi dhe në Bullgari?
Sepse në rusisht dhe në bullgarisht kjo fjalë do të thotë “sëmundje ngjitëse,
epidemi”. Merret me mend fare lehtë se si do të reagonin konsumatorët rusë dhe
bullgarë ndaj kësaj vere me një të tillë etiketë. Askush nuk do të kuturiste t’i
afrohej.

Gabime në sferën
e diplomacisë

Është e panumërt moria e incidenteve politike dhe diplomatike që janë
krijuar për shkak të përkthimit të gabuar në gjuhën angleze të fjalës së frëngjishtes
“demander” (pyes, lyp), një folje kjo e ngjashme për nga tingëllimi dhe
drejtshkrimi me foljen e gjuhës angleze “demand” (kërkoj).
Aty rreth vitit 1830, mes Parisit dhe Vashingtonit lindën debate të zjarrta
lidhur me taksat. Prandaj presidenti Xhekson (Andrew Jackson – 1767-1845) mbajti
një fjalim në Kongres, duke propozuar masa të jashtëzakonshme.
Mesazhi që Franca i dërgonte Shtëpisë së Bardhë fillonte në këtë mënyrë:
“Qeveria e Francës lutet…”.
Përkthyesi e pati përkthyer:
“Qeveria e Francës kërkon…”
Presidenti Xhekson reagoi shpejt dhe prerazi, duke deklaruar, se, në qoftë se
qeveria franceze do të guxonte të kërkonte, atëherë ajo nuk do të merrte asgjë. Për
fat të mirë, gjithçka u vu në vijë, sapo përkthimi qe ndrequr.

Publicisti amerikan Xhon Koulman (John Coleman – 1935 ), në njërin nga
librat e vet rrëfen për një takim të një delegacioni spanjoll me një delagacion
francez. Njëri nga delegatët spanjollë që mori fjalën për të diskutuar, meqenëse
kishte ngjirje zëri, iu drejtua të pranishmëve:
“Ju lutem të më falni se jam ftohur”.
Përkthyesi i frëngjishtes, duke mos qenë fort i kujdesshëm, këtë fjali e
përktheu si më poshtë:
“Më falni, unë jam kaps”.
Delegacioni francez u shkul së qeshuri aq shumë, saqë shkundi tërë sallën
dhe ngjalli kureshtinë e të gjithë të pranishmëve. Përkthyesi, i zënë ngushtë, u
mundua të jepte shpjegime, por më kot.
Në vitin 1980, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të
Bashkuara Kurt Vald-hajm (Kurt Waldheim – 1918-2007), bëri një vizitë në Iran
për të zhvilluar bisedime për lirimin e pengjeve amerikane. Kur arriti në Teheran,
ai deklaroi:
“Unë kam ardhur si ndërmjetës, për të diskutuar kushtet e kompromisit”.
Në këto fjalë e sipër, u krijua një keqkuptim: fjala persiane, e përshtatshme
për fjalën “kompromis”, ka një ngjyrim negativ, të përafërt me fjalën “tradhti”, si,
fjala vjen, në shprehjen “parimet tona qenë tradhtuar”. Po ashtu, fjala persiane që
i përshtatet fjalës “ndërmjetës”, ka më shumë kuptimin “transportues” sesa
“ndërmjetës” që mund të jetë i dobishëm.
Me fjalë të tjera, kuptimi tërësor i fjalëve që shprehnin qëllimin e vizitës së
tij, qe përkthyer në persisht: “komprometim i moralit femëror”, me qëllim
poshtërimin e Iranit.
Një orë pas kësaj deklarate të Kurt Vald-hajmit, iranianët e egërsuar filluan
ta qëllonin me gurë makinën e tij.
Në librin e vet me titull “Undiplomatic Activities” (Puna jodiplomatike), që
e ka hedhur në qarkullim Shtëpia botuese “Scribe Publications”. Melbourne, 2007,
Riçard Vulkoti (Richard Woolcott – 1927), i cili, gjatë katër vjetëve, ka qenë
ministër i punëve të jashme të Australisë, rrëfen se çfarë grackash i presin
përkthyesit gojorë.
Ai tregon se si një diplomat australian në Francë, duke folur para francezëve,
deshi të thoshte:
“Duke hedhur vështrimin mbi karrierën që kam lënë pas, mendoj se ajo
ndahet në dy etapa: mërzia që më ka ndjekur në të gjitha vendet ku kam punuar më
përpara dhe jeta në Paris”.
Sipas fjalëve të Vulkotit, mendimin e vet diplomati e shprehu në këtë
mënyrë:
“Duke hedhur sytë mbi prapanicën time, po vërej se ajo përbëhet prej dy
pjesësh”.

Vulkoti kujton një çast kur pati mbajtur një fjalim gjatë një vizite që kishte
bërë në Palembang, fill pasi kishte filluar punën në ambasadën australiane në
Indonezi:
“Zonja dhe zotërinj,
Në emrin tim dhe të bashkëshortes sime, dëshiroj të them se jemi të lumtur
që erdhëm në Palembang”, – shqiptoi ai në anglisht.
Përkthyesi indonezian shqiptoi një frazë që s’kishte asgjë të përbashkët me
ato që tha ambasadori:
“Zonja dhe zotërinj,
Duke ndenjur ulur në fytyrën e bashkëshortes sime, jam i lumtur që erdha në
Palembang”.
Sipas fjalëve të Vulkotit, ish-kryeministri australian Bob Houk (Bob Hawke –
1929), dikur e pati vënë në siklet të madh auditorin japonez, kur, në përgjigje të
disa pyetjeve të mërzitshme të ca personave zyrtarë japonezë, deklaroi:
“I am not here to play funny buggers” (Unë nuk jam këtu për të bërë shaka).
Ai përdori një shprehje frazeologjike nga anglishtja e folur australiane.
Për përkthyesit japonezë, kjo fjali e thjeshtë paskej qenë një kockë e fortë.
Ata u mblodhën kokë më kokë dhe filluan të pëshpërisnin me njëri-tjetrin se si
duhej përkthyer në japonisht shprehja “funny buggers”. Mbasi e përfunduan
konsultimin, ata e përkthyen fjalinë si më poshtë:
“Unë nuk jam këtu që të luaj me ju si puna e homoseksualëve që qeshin nën
hundë”.
Sipas fjalëve të Vulkotit, kur nisesh nga qëllimi për të bërë një përkthim të
saktë të një fjalimi, përgjithësisht, është më mirë të mos e përkthesh. Për të
argumentuar mendimin e vet, ai rrëfen për një ministër të një vendi aziatik, i cili,
në një banket që qe organizuar në Seul, filloi të tregonte një anekdotë të gjatë.
Përkthyesi korean s’po merrte vesh asgjë, por nuk e bënte veten. Ai shqiptoi nja dy
fjali. Sakaq auditori ia dha të qeshurit dhe filloi duartrokitjet. Më pas përkthyesi e
pranoi se cila kishte qenë arsyeja e vërtetë që të pranishmit i kishte bërë për të
qeshur. Ai iu drejtua ministrit:
“Po ju them me ndershmëri, zoti ministër: anekdotën tuaj nuk e kuptova dhe
prandaj thashë në koreanisht: ministri rrëfeu anekdotën e vet të radhës, prandaj
tani, ju lutem, të gjithë së bashku qeshni dhe duartrokitni”.
Një përkthim i gabuar
i shakasë së Boris Jelcinit

Në tetor të vitit 1995, presidenti rus Boris Jelcin (1931-2007) ndodhej për
vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në konferencën e shtypit që u dha në
Nju Jork, në prani të Presidenti Bill Klinton, Jelcini u tha gazetarëve amerikanë:
“Tani po ju deklaroj se ju keni dështuar”.
Konteksti i plotë i kësaj fjalie ishte si më poshtë:

“Në gazetat e djeshme ju parashikuat se takimi ynë i sotëm me Billin do të
dështojë. Atëherë sot, për herë të parë, po ju deklaroj se jeni ju ata që keni
dështuar”.
Më vonë gazetarët, të cilët presidenti rus u mundua t’i thumbonte, e patën
etiketuar atë fjalim të Jelcinit si “shfaqja e Borisit”.
Ja se si e kujton atë ditë një dëshmitar, Stroub Telboti (Strobe Talbott –
1946), diplomat dhe politolog amerikan:
“Diplomacia, ashtu siç e zbatonte Jelcini, gjithmonë ishte një lloj shfaqjeje
në kuptimin e vet, kurse kur ishte i dehur, shfaqja vinte dhe shndërrohej në parodi:
ky ishte njëri nga incidentet më të këqinj që kishin ndodhur deri tani. Klintoni,
gjithsesi, u shkri së qeshuri, i rrahu krahët Jelcinit dhe filloi të fshinte lotët:
“Vetëm të jeni i bindur se gjithçka ne e kemi kuptuar drejt, – tha ai, – duke iu
afruar mikrofonit dhe duke vazhduar të qeshte, paksa i sforcuar dhe në një mënyrë
jo bindëse””, – shkruan Telboti në librin e vet me titull “The Russia Hand: A
Memoir of Presidential Diplomacy” (Dora e Rusisë: kujtime për diplomacinë
presidenciale). Random House Publishing Group. 2007.
Përkthyesi, duke përkthyer frazën shakatare të Jelcinit “Tani po ju
deklaroj se ju keni dështuar”, pati zgjedhur në anglisht shprehjen “you had a
disaster”. Këtë shprehje përkthyesi e sajoi krejtësisht kot, sepse në anglisht kjo
shprehje do të thotë “ju jeni dhier në brekë”.
Klintoni, që t’i japësh hakun, filloi të qeshte me bubullima, si ndonjë fëmijë
shkolle, saqë i dolën lot, çka bëri që të çtensionohej situata.
Së pari, një shprehje e tillë në anglisht nuk ekziston.
Së dyti, përkthyesi nxori nga goja fare qartë jo shprehjen “you had a
disaster”, por shprehjen “you are a disaster”. Përgjithësisht, nuk u kuptua se kush
dhe si ia kapi veshi fjalën “had”.
Atëherë cila qe arsyeja që Klintoni u shkri gazit?
Sepse në përkthim fjalët e Jelcinit tingëlluan afërsisht në këtë mënyrë:
“Ju keni thënë se do të dalë një katastrofë. Ju jeni vetë katastrofa!”. Për më
tepër, kjo është një shprehje tipike për të folurën e fëmijëve në gjuhën angleze. Në
gojën e përkthyesit pikërisht e tillë tingëlloi dhe Klintoni me siguri që e mori si një
shaka të qëllimshme nga ana e Jelcinit.

Një gabim përkthimi
në hapësirat e Bashkimit Evropian

Është vështirë ta besosh se si në botën e sotme të globalizuar dhe konkretisht
në hapësirat e Bashkimit Evropian, vazhdojnë të bëhen gabime përkthimore në
çështjet e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në nëntor të vitit 2013, krejt shtypi
spanjoll, nën ndikimin e agjencive të informacionit, shkroi sikur përfaqësuesi
zyrtar i Komisionit Evropian e paskej quajtur “rubbish” (pleh) deklaratën e
ministrit spanjoll të arsimit Vert (José Ignacio Wert Ortega – 1950). Në të vërtetë,

përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për çështjet e arsimit Denis Ebot (Dennis
Abbot), pati përdorur fjalën rubbish, e cila me të vërtetë mund të ketë kuptimin
“pleh”, por, në kontekstin e dhënë, përkthimi i saktë do të ishte “absurditet”,
“budallallëk”. Por kjo nuk është e njëjta gjë. Eboti u mundua ta ndreqte një gabim
të tillë, por pa ndonjë sukses të dukshëm. Ky gabim, i cili shtypit, përgjithësisht, i
erdhi në osh, nuk del përtej caqeve të një kurioziteti, por çfarë mund të ndodhte kur
bëhet një trajtim i tillë i gabuar në rastin e një gjendjeje të tensinuar? Çfarë ndodh
kur një gabim i përkthyesit gojor merret si i vërtetë?
Gabime me pasoja
në histori

Le të njihemi më poshtë me disa gabime në përkthimin gojor, mes të cilëve
ka pasur edhe ndonjë të atillë që ka lënë gjurmë të rënda në histori.
Përkthyesit gojorë i quajnë luftëtarë të një fronti të padukshëm. Ata edhe
mund t’i zbutin bisedimet, si edhe mund të shpërthejnë sherrin mes
bashkëbiseduesve në gjuhë të ndryshme. Por kur gabimet në përkthim prekin rëndë
marrëdhëniet mes shteteve, atëherë pasojat mund të jenë shumë tragjike.

Kërcënimi i Hrushovit

Në vitin 1956, kur lufta e ftohtë ishte në kulmin e saj, Hrushovi mbajti një
fjalim në një banket, të organizuar në ambasadën polake në Moskë, ku merrnin
pjesë shuë ambasadorë të vendeve perëndimore.
Mysafirët e pranishëm ngrinë në vend, kur dëgjuan fjalët që Hrushovi nxori
nga goja:
“Ju pëlqen apo nuk ju pëlqen një gjë e tillë, historia është në anën tonë. Ne
do t’ju groposim!”.
Në kushtet e një gare të shfrenuar armatimi, shtypi perëndimor i perceptoi
këto fjalë si një kërcënim të drejtpërdrejtë. Por pala sovjetike nxitoi të deklaronte
se Hrushovin e paskeshin kuptua gabim, se fjalët e tij qenkeshin shkëputur nga
konteksti. Në të vërtetë, udhëheqësi sovjetik paskej pasur parasysh një frazë të
Marksit nga vepra “Manifesti i partisë komuniste”, ku thuhet se “borgjezia pjell
varrmihësit e vet”.
Përkthimi i saktë i fjalimit të tij, i cili jo detyrimisht duhej të ishte i
fjalëpërfjalshëm, duhej përcjellë afërsisht në këtë mënyrë:
“Ju pëlqen apo nuk ju pëlqen, historia është në anën tonë. Ne do të jetojmë
deri atëherë kur të shikojmë se si juve do t’ju groposin”.
Nuk mund të thuhet se kjo ishte ndonjë frazë miqësore, por, sidoqoftë, ajo,
sipas palës sovjetike, paskej qenë një parullë ideologjike dhe jo një kërcënim.

Një gabim i rrezikshëm në përkthimin
e porosisë së Fidel Kastros

Fidel Kastroja pati deklaruar dikur se kriza e Karaibeve qe shkaktuar për faj
të përkthyesit. Në të vërtetë, udhëheqësi kubanez i kishte thënë qeverisë sovjetike

të mos sillte raketa në Ishullin e lirisë, siç e quante ai, por fjalët e tij qenë përkthyer
gabim, dhe raketat sovjetike u instaluan në Kubë. Pra, një përkthim i gabuar gati sa
nuk çoi në një konfrontim bërthamor mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe
Bashkimit Sovjetik

Gabimet e përkthyesit
të presidentit Karter në Poloni

Situata krejtësisht absurde mund të krijohen edhe atëherë kur përkthyesit
gojor i mungon përvoja dhe përgatitja e mjaftueshme profesionale. Dikur, në
mbarë botën, pati shpërhyer një zhurmë e madhe për gabimet e përkthyesit të
presidentit Karter gjatë vizitës së tij në Poloni. Pra, ajo vizitë në dhjetorin e vitit
1977 për pak sa nuk përfundoi me një skandal ndërkombëtar për shkak të
paaftësisë së përkthyesit sinkronist. Përkthyesi arriti t’i lejonte vetes gafa të tilla në
përkthim, të cilat e ndryshonin tërësisht kuptimin e disa fjalive të presidentit.
Pra, kur presidenti Karter po bëhej gati për atë vizitë, përgjegjësi i seksionit
të përkthimit në Departamentin e Shtetit, bëri një marrëveshje me përkthyesin
amerikan me prejardhje polake Stiven Seimurin (Steven Seymour), i cili dinte
polonisht, por asnjëherë nuk ishte marrë me të në një mënyrë profesionale.
Siç dihet, asokohe Polonia ishte pjesë e kampit socialist dhe Karteri u
mundua të fitonte simpatinë e popullit polak, duke mbajtur një fjalim miqësor. Por
përkthyesi nuk dihet se për ç’arsye ngeci. Karteri e filloi fjalimin e vet me fjalët
“Unë u nisa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot në mëngjes”, kurse
përkthyesi e perktheu “Unë u largova nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të
mos u kthyer më kurrë atje”. Shprehja “kur qe themeluar kombi ynë…”, tingëlloi
“kur qe thurur kombi ynë…”, kurse fjalia “Pothuajse gjashtë milionë amerikanë
kanë prejardhje polake”, në përkthim mori një kuptim krejtësisht tjetër: “Polonia
është atdheu i dhjetë milionë amerikanëve”. Kur presidenti tha “Unë erdha për të
mësuar mendimin dhe dëshirat tuaja për të ardhmen”, përkthyesi la të kuptohej
sikur Karteri paskej pasur një pasion seksual ndaj polakëve. Madje fraza e patëkeq
se sa i lumtur është Karteri që po viziton Poloninë, në gojën e përkthyesit u përcoll
me fjalët “ai është i lumtur që pa pjesët intime të Polonisë”.
Kjo ishte një gjë e tmerrshme. U desh të thirrej një tjetër përkthyes. Ky e
zotëronte mirë polonishten, por kishte dobësi në zotërimin e anglishtes. Gjithçka
shkoi keq dhe madje nuk ishte për të qeshur. Ai thjesht nuk ishte në gjendje të
përkthente.
Me siguri që polakët e patën kujtuar për një kohë të gjatë atë vizitë të
presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Një përkthim me rrezik
për Lindjen e Mesme

Në vitin 2006, sipas versionit të përkthyesit gojor, presidenti i Iranit
Ahmadinexhad (1956) pati bërë thirrje për Izraelin “to be wiped off the map”(të

fshihet nga faqja e dheut). Kjo shprehje u studiua më vonë dhe doli që ajo që ishte
thënë, në të vërtetë, kishte kuptimin “the regime occupying Jerusalem must vanish
from the page of time” (qeverisja që mban të pushtuar Jeruzalemin duhet të marrë
fund).
Pavarësisht nga mendimi që krijohet për këtë deklaratë, qëllimi i saj ishte i
ndryshëm nga ajo çfarë kishte kuptuar përkthyesi. Në një rajon të botës, aq delikat,
si Lindja e Mesme, një gabim i një shkalle të tillë në përkthim, mund të sillte si
pasojë ndërlikime shumë të rënda, deri në shpërthimin e luftës.

Një përkthim me pasojë
71 milionë dollarë dëmshpërblim

Në vitin 1980, Vili Ramires (Willie Ramirez) qe shtruar në njërin nga
spitalet e Floridës. Ai ndodhej në një gjendje shumë të rëndë. Të afërmit e tij nuk
ishin në gjendje të sqaronin se çfarë kishte ndodhur me të, meqenëse nuk dinin
anglisht. Ata, sipas hamendjes së tyre, u thanë mjekëve se Ramiresi qenkej
helmatisur nga ushqimi. Përkthyesi bëri një gabim gjatë përkthimit të termit
spanjoll “intoxicado”, që do të thotë “i helmatisur” ose që “ka reaksion alergjik”.
Ai e përktheu “intoxicated”, një fjalë kjo, e cila në anglisht përdoret vetëm në
rastet kur njerëzit kanë pirë një dozë të lartë narkotikësh ose alkooli.
Megjithëse të afërmit e Ramiresit shkonin me mendimin se ai paskej
gastroenterit (infeksion të cipës së stomakut dhe të zorrëve të holla), në të vërtetë,
ai kishte gjakrrjedhje në tru (hemorragji). Për shkak të kësaj pakujdesie në
përkthim dhe, për pasojë, të kurimit të gabuar, Ramiresi pati një paralizë të të katër
gjymtyrëve (tetraplegji), kurse spitalit iu desh t’i paguante një kompensim prej 71
milionë dollarësh.

Një përkthim me pasoja
dy bombardime atomike

Më 26 korrik të vitit 1945, vendet e koalicionit antihitlerian botuan
Deklaratën e Potsdamit, në të cilën qenë përcaktuar kushtet e kapitullimit të
perandorisë japoneze në Luftën e Dytë Botërore dhe nënvizohej se në rast refuzimi,
atë e pret “një shfarosje e shpejtë dhe e plotë”. Deklarata ishte një ultimatum tipik.
Kryeministri i Japonisë Kantaro Suzuki (1868-1948) thirri një konferencë
shtypi, në të cilën deklaroi:
“No comment. We are still thinking about it” (Pa komente. Ne po vazhdojmë
ta mendojmë një gjë të tillë).
Për fat të keq, version i përkthyesit ishte:
“We are ignoring it in contempt” (Ne e shpërfillim këtë me përbuzje).
Vetëm dhjetë ditë pas konferencës së shtypit të kryeministrit japonez,
presidenti amerikan Truman ( Harry Truman – 1884-1972) ia sqaroi botës se çdo të
thotë “një shfarosje e shpejtë dhe e plotë”, me urdhrin që dha për bombardimin
atomik të dy qyteteve japoneze.

————————-
Shënim.
Ky material përbën pjesën përmbyllëse të librit tim “Arti i përkthimit
gojor”, të botuar në tetor të vitit 2019. Libri, me një vëllim prej 532 faqesh, është
botim i studios “Intergrafika”, Tiranë. Aty pasqyrohet përvoja e përkthyesve të
disa personaliteteve të ndryshme të politikës botërore gjatë shek. XX, duke filluar
nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deri në Kinë dhe Japoni.