Njëzet lojtare të ekipit kombëtar të futbollit të femrave në Venezuelë kanë akuzuar ish-trajnerin e tyre për ngacmim dhe abuzim seksual.


Lojtaret nënshkruan një letër duke bërë akuzat kundër Kenneth Zseremeta, i cili drejtoi ekipin kombëtar të femrave në nivele të ndryshme në Venezuelë për 9 vjet derisa u shkarkua në vitin 2017.

Ylli i Atletico Madridit, Deyna Castellanos nënshkroi dhe publikoi letrën e përbashkët në mediat sociale si dhe bëri një deklaratë personale në lidhje me një skandal që tronditi Ligën Kombëtare të Futbollit të femrave të SHBA-së javën e kaluar.

24 lojtaret venezueliane thanë se “kishin vendosur të thyejnë heshtjen për të shmangur situatat e abuzimit dhe ngacmimit, fizik, psikologjik dhe seksual”.

Në letër thuhej se një lojtare zbuloi vitin e kaluar se ishte abuzuar seksualisht nga trajneri që kur ishte 14-vjeçe. Letra nuk e identifikoi futbollisten.

Në letrën e lojtareve thuhet se Zseremeta i ka pyetur vazhdimisht për seksualitetin dhe orientimin seksual të tyre, duke shtuar se kishte raste të seancave të “abuzimit fizik dhe psikologjik gjatë stërvitjes”.

Forma të tjera të pretenduara të “ngacmimeve të shpeshta” përfshinin telefonata me ftesa, masazhe dhe dhurata të papërshtatshme.

“Sot ne e kuptojmë se këto veprime kishin për qëllim të na manipulonin dhe të na bënin të ndiheshim fajtorë. Lojtarët e komunitetit LGBTI u pyetën vazhdimisht për orientimin e tyre seksual dhe ngacmimi i heteroseksualëve (lojtareve) ishte i vazhdueshëm”, thuhej në letër.

“Kishte kërcënime dhe manipulime për t’u treguar prindërve të lojtareve për orientimin e tyre seksual nëse ata nuk bindeshin ose performonin siç kërkohej”.

Zseremeta, i cili u kthye në Panama dhe vazhdoi të stërviste ekipet e femrave, nuk iu përgjigj menjëherë akuzave. Gjithashtu edhe Federata e futbollit venezuelian nuk është prononcuar për rastin.

Ai arriti vendin e katërt me Venezuelën në Kupën e Botës U-17 në vitin 2014. Kjo ishte hera e parë që një ekip kombëtar venezuelian, meshkuj apo femra, arriti në gjysmëfinalen e një turneu global të organizuar nga FIFA.

Federata e futbollit venezuelian shkarkoi Zsemereta-n, i cili ishte atëherë trajneri i ekipit kombëtar të femrave nën 20-vjeç, disa ditë pasi disa nga lojtarët e tij u ankuan për kequshqyerje gjatë krizës së rëndë ekonomike të vendit.

Shkarkimi i tij ndodhi pasi skuadra u rendit e treta në një garë me 5 skuadra në Kolumbi në fund të vitit 2017. Venezuela ishte favorite për të fituar titullin pavarësisht mungesës së Castellanos. Federata venezueliane aso kohe deklaroi se vendimi ishte për shkak të rezultateve të dobëta.

Akuzat në Venezuelë vijnë në vazhdën e skandalit në SHBA, ku lojërat në ligën e femrave të nivelit të lartë u anuluan fundjavën ndërsa komisioneri i NWSL u largua mes një ngacmimi seksual dhe akuzash për sjellje të pahijshme që përfshinin një trajner të vjetër.

Dy ish-lojtare dolën me akuza për ngacmim, përfshirë dhunën seksuale, kundër trajnerit të klubit, North Carolina Courage, Paul Riley.

Riley u shkarkua menjëherë nga Courage ndërsa FIFA dhe US Soccer filluan hetimet se si ai ishte në gjendje të vazhdonte stërvitjet edhe pasi lojtarët shprehën shqetësimet e tyre në ligë. Riley tha për The Athletic se akuzat ishin “plotësisht të pavërteta”.