NGA MERXHAN JAKUPI

Sipas analistëve dhe ekspertëve që janë njohës të mirë të rrethanave politike në Ballkan, shtetet e këtij rajoni po u kthehen viteve të 90-ta, të lojës me nacionalizëm dhe pritet vetëm momenti i rrëshqitjes së tyre në humnerë. Simptomat e kësaj diagnoze tashmë po vërehen te disa liderë politikë, madje po kapin do ethe të konflikteve të mundshme, ndërsa nga unitarizmi dhe hegjemonizmi serbomadh janë të rrezikuara tre shtete: Bosnja, Kosova dhe Mali i Zi. Disa prej tyre vlerësojnë se “fuçia e barotit” është para shpërthimit, aq më shumë kur dihet se lideri i Republikës Serbe dhe i Lidhjes së Pavarur Socialdemokrate, partisë në pushtet, Millorad Dodik, i ka bërë thirrje gjithë elitës politike dhe liderëve të Federatës boshnjake dhe kroate për projektin e ndarjes së Bosnjë-Hercegovinës me mjete paqësore. Motoja e Dodikut është “Të ndahemi si vëllezër, pa konflikt e në mënyrë paqësore”. Kështu do të bëhet mirë dhe do të lirohemi nga kjo barrë e shtetit artificial që i mbanë peng të tre popujt.
Ndërkaq, lideri boshnjak, Bahir Izetbegoviq është shprehur publikisht se nuk do të lejojë shpërbërjen e Bosnjës. Gjithë populli dhe në mënyrë institucionale, me të gjitha forcat dhe mekanizmat do ta mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit. Gazetari i Rojter-it kishte pyetur liderin boshnjak çka do të bëhej nëse do të ketë luftë, Izetbegoviq ka thënë se nuk do të ketë luftë. Gazetari i kishte thënë se babai i tij, Alija Izetbegoviq, i cili kishte karizmë tek populli, kishte thënë se nuk do të ketë luftë, por, megjithatë pati luftë.
* * *
Bosnja u ngjanë shteteve rebeluese afrikane, me tribunë, puritanë dhe klane, siç është lideri serb, i cili hyn në parlament si muzikant, duke kënduar: “Nema te vishe Alija” (S’është më Alija), ndërsa nëpër media e TV serbe ekspozon hartën e ndarjes së Bosnjës. Sipas disa opinionistëve, ky lider duhet t’i nënshtrohet kontrollit psikiatrik. Javët e fundit, ky lider ka paraqitur projektin dhe planin secesionist për Bosnjë-Hercegovinë. Strategjia politike së pari do të mobilizojë forcat e mbrojtjes dhe policinë. Në fazën e dytë, është bllokada e kazermave dhe, në fund, ndarja dhe kontrolli i kufijve mes Republikës Serbe dhe Federatës së Bosnjës. Ky skenar s’është asgjë tjetër, pos një lufte të re, ku pika më e nxehtë do të ishte qyteti Bërçko. Së pari, mendohet marrja në dorë e këtij qyteti, që paraqet të vetmin korridor që lidh dhe e bashkon Republikën Serbe, ndërsa pa këtë nuk mund të realizohet bashkimi. Një situatë e ngjashme është edhe me kroatët e Bosnjës. Lideri i partisë HDZ, Dragan Çoviq, ka paralajmëruar se nëse Republika Serbe ndahet, edhe atyre nuk u mbetet ndonjë opsion tjetër.
Një mik imi, boshnjak, nga Mostari, ish-prefekt i qytetit, me të cilin jam njohur në rivierën turke, më ka thënë se të tre popujt janë tepër të hasmuar. Po të lejonte faktori ndërkombëtar, ata menjëherë do t’ia fillonin luftës. Sipas tij, struktura demografike ka ndryshuar pas luftës. Shumica e refugjatëve nuk janë kthyer në vendbanimet e tyre. Duke u mbështetur në këto ndryshime demografike, liderët serbë dhe kroatë kanë plane që në të ardhmen të realizojnë ndarjen e Bosnjës. Sipas planit, Republika Serbe do t’i bashkëngjitej Serbisë, ndërsa kroatët-Kroacisë. Ndërmjet do të mbetej një mini-shtet i boshnjakëve, si një sandviç mes Serbisë dhe Kroacisë.
* * *
Lideri i serbëve të Bosnjës ka filluar me avantazh për ndarjen e Bosnjës. Për momentin askush nuk është duke e ndalur këtë lider aventurier. Ky është fillimi i puçit, thotë anëtari i Kryesisë së Bosnjës, Shefik Xhaferoviq. Dodik po tenton të fillojë me incidente, si në fillim të viteve 1992, që pas incidenteve ta shkallëzojë situatën në gjendje lufte. Për këto, deri më tash nuk ka pasur reagime nga bashkësia ndërkombëtare, e cila vetëm që po bën sehir.
Sipas marrëveshjes së Dejtonit, diplomati dhe i dërguari i posaçëm, Kristian Shmid, ka të drejtë të suspendojë dhe të burgosë ata që shkelin kriteret dhe nxisin konflikte. Dodik është duke i manipuluar ndërkombëtarët. Sipas analistëve, Dodik e ka përkrahjen e Putinit dhe Vuçiqit, sidomos pas ikjes nga dora e tij e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, shtete këto që u bënë anëtare të NATO-s. Interesi gjeopolitik dhe gjeostrategjik i Putinit është që këto dy shtete të jenë në kuadër të miqësisë vëllazërore ortodokse pan-sllaviste dhe t’i mbajë larg BE-së. Raketat e stacionuara në Rumani, pas shpine e kanë Serbinë. Nuk ka reaguar as presidenti serb, Vuçiq. Ai përsërit formalisht retorikën e tij se është për sovranitetin e Bosnjës, pa e përmendur integritetin territorial. Pa mbështetjen e Putinit dhe Vuçiqit, nuk do të mund të fillonte politika aventuriere e Dodikut. Ai shpesh ka thënë, me ironi, se atë mund ta largojnë myslimanët e Teheranit (Sarajevës), po të duan.
* * *
Në një intervistë në gazetën gjermane “Die Zeit”, kryetari i Kryesisë së Bosnjës, politikani i moderuar dhe pragmatik, Zhelko Komshiq, kishte thënë se do ta mbrojnë Bosnjën në mënyrë institucionale nga veprimet e Dodikut, për ndarjen e shtetit, në radhë të parë sipas Kushtetutës, pastaj edhe Gjykatës Supreme. Ai ka deklaruar se Bosnjë-Hercegovina nuk është ajo e periudhës së shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Sllobodan Millosheviqi, me gjeneralët dhe ushtrinë jugosllave mori gjithë arsenalin e ushtrisë jugosllave dhe sulmoi disa nga republikat e saj, duke bërë gjenocid në Bosnjë dhe Kosovë.