Ankara, 17 tetor – Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan sot deklaroi se SHBA- ja i ka ofruar Turqisë t’i shesin aeroplanë luftarak F-16 në zëvendësim për investimin e saj për F-35.

Erdogan paraprakisht citoi se Turqia dëshiron kompensim në vend të investimit prej 1,4 miliard dollarë për blerje të aeroplanëve F-35. Turqia kishte porositur mbi njëqind aeroplanë F-35, por SHBA-ja u tërhoq nga shitja në vitin 2019 prejse Ankaraja furnizoi sistem raketor rus C-400.

Në pesë vitet e fundit janë përkeqësuar marrëdhëniet ndërmjet dy armatave më të mëdha në NATO për shkak të mospajtimeve për Sirinë, afrimin e Ankarasë me Moskën, ambiciet turke në Mesdheun lindor, gjendjen me të drejtat e njeriut dhe liritë mediatike në Turqi. Vendimi për blerje të C-400 rezultoi me sanksione amerikane.

Në dhjetor të vitit 2020, Uashingtoni i vendosi në listë të zezë Drejtorinë e industrisë mbrojtëse turke, shefin e saj Ismail Demir dhe tre të punësuar tjerë. Prej atëherë SHBA-ja gjatë gjithë kohës e paralajmëron Turqinë të mos blejë armë plotësuese ruse.

Erdogan deklaroi se Ankaraja edhe më tutje planifikon ta blejë serinë e dytë të sistemeve C-400, që mundet plotësosht ta thellojë kontestin me Uashingtonin.

Kërkesa për blerje të aeroplanëve amerikan vështirë se do të marrë miratim nga Kongresi amerikan. Demokratët dhe republikanët në Kongres bëjnë përpjekje ta detyrojnë administratën e presidentit Xho Bajden ta përforcojë presionin ndaj Ankarasë, para se gjithash për shkak të blerjes së armëve ruse dhe gjendjes me të drejtat e njeriut.