Shtatë persona u vranë të premten nga një shpërthim në një fabrikë baruti në Rusi. Zyrtarët e emergjencës në vend njoftojnë edhe për 9 të zhdukur.

Ministria e Situatave të Emergjencave në vend, tha se shpërthimi ndodhi në fabrikën “Elastik” në rajonin Ryazan, i pozicionuar rreth 270 kilometra në juglindje të Moskës.

Në raportimet e mediave ruse, thuhet se 9 të zhdukurit me shumë gjasa mund të kenë vdekur.

Po ashtu, një person u shtrua në spital me lëndime të rënda, sipas zyrtarëve lokalë.

Për të vënë zjarrin nën kontroll u angazhuan 170 punonjës të urgjencave dhe 50 automjete.

Zyrtarët po hetojnë për mundësinë e shkeljeve në procedurat e sigurisë në fabrikë, apo nëse një qark i shkurtër mund të ketë qenë shkaku i mundshëm.