Qendra e re tregtare në Shkup – East Gate Mall filloi me punë! Sot edhe zyrtarisht hapi dyert për konsumatorët. Si zemra e re e Shkupit, East Gate Mall është përkufizimi i ri i një qendre tregtare origjinale dhe unike, në nivel të kryeqyteteve evropiane, që dallohet me një koncept modern arkitektonik dhe një gjeneratë të re të dizajnit të enterierit për objekte komerciale, të cilat e paraqesin qendrën tregtare në një dritë unike.

“Nga sot, East Gate Mall ndryshon me 360 shkallë konceptin se çfarë është një qendër tregtare në çdo stinë të vitit dhe kështu bëhet destinacioni më tërheqës për vizitorët nga vendet fqinje. Qëllimi është që të përmbushim dëshirën e secilit që të jetë pjesë e një lloji të ri të shopingut dhe përmbajtje argëtuese, gjë që paraqet një rifreskim në përditshmërinë e Shkupit”, tha Igor Davkov – drejtor ekzekutiv.

Me një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 160.000 m2, kjo qendër tregtare ka realizuar 1.500 punësime të reja dhe posedon 220 dyqane që ofrojnë një zgjedhje prej mbi 600 brendesh, nga të cilat 40 janë krejt të reja e që prezantohen për herë të parë në vend.

“Me krenari ju dëshirojmë mirëseardhje në hapjen e objektit tregtar më të madh në historinë e këtij vendi dhe një prej qendrave tregtare më të mira në Ballkan. Ideja për këtë Mall ka filluar vite më parë, por implementimi para 26 muajsh dhe ka pasur shumë zëra për një ndërtesë gjigande 160 mijë m2, me mbi 600 brende dhe parking gjigand me 2 mijë vend parkime”, shtoi Sotirios Janakudakis – menaxher i përgjithshëm.

Qendra e re tregtare që gjendet në lokacionin e ish Panairit të Shkupit, sipas menaxhmentit, pritet të tërheqë 12 milionë vizita në vit. Përveç vizitorëve vendas, priten klientë të rregullt nga Serbia, Greqia, Kosova dhe Shqipëria. Qendra tregtare është pjesë e projektit multifunksional „Skopje East Gate” i cili parasheh ndërtimin e kompleksit rezidencial dhe zyrave me bruto sipërfaqe të ndërtuar prej mbi 500.000 м2.