Pozita status kuo në marrëdhëniet me Bullgarinë është jashtëzakonisht e keqe. Politika aktuale e vetos presioni dhe shantazhi krijon ambient negativ dhe është investim në antagonizmin dhe bërjen e armiqësisë dhe jo të miqësisë, vlerëson zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov.

Në pjesëmarrjen në Ditarin e TV Sitell ai tha se me Bullgarinë “ndonjëherë sikur jetojmë në realitete paralele”. Theksoi se gjuhë e urrejtjes nuk ekziston nga përfaqësuesit zyrtarë të shtetit tonë ndërsa ajo që ka njerëz të cilët në media sociale private shprehin revoltë është rezultat i kësaj situate.

“Kur ju fqinjit tuaj do t’i thoni se janë rezultat i inxhinieringut etnik ose gjuha juaj nuk është gjuhë, kuptohet se do të ketë revoltë. Marrëveshja e miqësisë në Preambullë thotë se do t’i zhvillojmë marrëdhëniet në bazë të respektit të ndërsjellë”, tha Dimitrov, duke e komentuar anulimin e datës për fillimin e negociatave inkuadruese me BE-në për shkak të vetos së Bullgarisë, në kontekst të Raportit të ri të Komisionit Evropian për progresin e vendit, si edhe takimin e ri të Komisionit për Çështje Arsimore dhe Historike midis Maqedonisë dhe Bullgarisë.

Është keq për ne, tha, por edhe për vetë Bashkimin Evropian dhe për besimin në BE, ndërsa me këtë edhe ndikimin në një rajon të rëndësishëm për Evropën – Ballkanin Perëndimor. Pas të gjitha përvojave të deritanishme për mosdhënien e datës nga BE-ja, sipas tij, veçanërisht e rëndësishme për ne është të jemi, siç tha, tërësisht të sinqertë dhe shumë të kujdesshëm lidhur me shpresën, pritshmëritë, dëshpërimin…

“Ne i plotësuam kriteret, jemi të gatshëm, madje edhe më të përgatitur për anëtarësim se vendet të cilat janë në procesin e inkuadrimit për një pjesë të klastereve. Ne dhamë rezultate por BE nuk dha rezultate për ne. Mendoj se është koha të mos e kritikojmë të gjithë BE-në, pasi ka shtete të cilat në mënyrë transparente dhe shumë fuqishëm na japin mbështetje. Kemi problem me një vend”, tha Dimitrov.

Pyetjes nëse do të japë dorëheqje ai dhe Qeveria nëse në dhjetor nuk marrim datë për fillimin e negociatave me BE-në, u përgjigj se mund të flasë vetëm për veten dhe se kjo do të ndodhte nëse vlerëson se kjo do të ndikonte për të mirën e shtetit dhe për kauzën e NATO-s dhe BE-së.