Rikthimi i bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian mund të japë rezultate në arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, beson Sonja Biserko, presidentja e Komitetit të Helsinkut për të Drejtat e Njeriut në Serbi.

Biserko, në një intervistë dhënë KOHËS gjatë vizitës së saj disaditore në Kosovë, ka thënë se është në duar të SHBA-së dhe BE-së rezultati i bisedimeve. Ajo ka thënë edhe se është e kënaqur me zhvillimet në Kosovë, derisa ka kritikuar qasjen e vazhdueshme të Serbisë karshi ballafaqimit me të kaluarën.

KOHA: Zonja Biserko, ju keni qëndruar disa ditë në Kosovë, me ç’rast keni takuar edhe kryeministrin dhe përfaqësuesit e tjerë institucionalë, cila është arsyeja e kësaj vizite?

Biserko: Së pari, kam ardhur këtu që të marr pjesë në një panel në Universitetin Amerikan. Ishte pjesë e një projekti që jemi duke e vazhduar rreth historisë së Jugosllavisë dhe tema të diskutimit ishin çështjet e lëna pezull mes serbëve dhe shqiptarëve. Ishin 5 a 6 pjesëmarrës dhe më është dukur goxha interesante dhe ngacmuese. Së dyti, dje e kishim edhe një panel tjetër, “Turning the Page” (“Kthimi i faqes” v.j.), mbi marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ishte edhe ky gjithashtu një diskutim interesant, do të thosha. Pastaj kam takuar shumë njerëz që i njihja që më herët dhe që tashmë janë bërë palë udhëheqëse të këtij vendi, do të thosha se kam pasur një qëndrim shumë produktiv gjatë këtyre tri ditëve të fundit.

KOHA: Ju keni vizituar Kosovën shumë herë…

Biserko: Po, që prej të 90-ve jam këtu rregullisht, ky ishte mbase pushimi më i gjatë, do të thosha, për shkak të COVID-it, kështu që jam kthyer prapë.

Kosova – një transformim i jashtëzakonshëm

KOHA: Duke qenë se jeni përkrahëse e demokracisë dhe lirisë këtu që nga fillimi i viteve ’90. Si e shihni Kosovën sot?

Biserko: Si dikush që ka ardhur në Kosovë rregullisht që nga vitet ‘90, do të thosha se ka një transformim të jashtëzakonshëm në Kosovë, pikësëpari fizikisht e pastaj edhe përgjithësisht. Do të thosha se Kosova është një prej vendeve me shoqërinë më energjike në rajon, kështu e shoh unë, dhe mendoj se kam të drejtë. Kjo është gjëja që më impresionon secilën herë që vij këtu, pra është përnjëmend një shoqëri që po përpiqet për progres, për demokratizim. Mendoj që shumë projeksione nga jashtë, ndoshta edhe nga brenda po ashtu – si ta them – prisnin shumë që gjërat do të ndryshonin shpejt. Do të theksoja se faza e parë ishte vërtet revolucion kombëtar, vetëvendosja dhe një lloj formësimi i shtetit, e pastaj demokratizimi është një proces i gjatë dhe mendoj se është e padrejtë të flitet për dështimet e ndonjë qeverie këtu, sepse është një proces që ka rrugë të gjatë përpara. Mendoj se Kosova ka mjaftueshëm njerëz të rinj, njerëz të arsimuar këtu dhe jashtë, të cilët do të jenë në gjendje që ta marrin përsipër. Sigurisht se është një problem që shumë prej këtyre brezave duhet të mësojnë se si ta administrojnë vendin. Kjo është një gjë që mbase gjithashtu ka munguar gjithë këto vite, por mendoj se mund të kapërcehet me anë të, si ta them, energjisë që këta njerëz të rinj e kanë, andaj jam shumë pozitive në këtë aspekt. Gjëra negative janë në të vërtetë konteksti, problemi i sovranitetit të plotë të Kosovës në aspektin e brendshëm dhe të jashtëm dhe gjithashtu ajo që është duke ndodhur midis Beogradit dhe Prishtinës, që aktualisht nuk është fort premtuese, por shpresoj që edhe kjo do të ndryshojë.

Dialogu

KOHA: Një nga proceset, nëse mund të themi ndër më të rëndësishmit që po kalon Kosova, është dialogu me Serbinë. Si e shihni procesin dhe a ka gjasa që në fund të dialogut Serbia ta njohë përfundimisht Kosovën?

Biserko: Fillimisht dua të përmend se ka pasur ngërç në dialog që nga viti 2015, sepse ka pasur një tjetër agjendë të fshehur, që ishte ndarja, dhe për pesë vjet joshumëçka ka ndodhur në dialog. Këtë e shoh si përgjegjësi të barabartë të BE-së dhe gjithashtu të aktorëve të tjerë ndërkombëtarë, por edhe të disa liderëve politikë këtu dhe në Shqipëri. Gjithashtu do të doja të theksoja se shumica e qytetarëve në Serbi, si dhe në Kosovë ishin dhe janë kundër ndarjes, që gjithashtu është një gjë me rëndësi që të kihet në mendje. Çfarë do të ndodhë me këtë qeveri të re është ende e vështirë të thuhet, ngase, për aq sa e di, Serbia nuk është vërtet e interesuar që të bëjë ndonjë të arritur në këtë dialog. Kjo është në favor të konfliktit të ngrirë dhe mendoj se ajo çfarë do të bëjnë është se, sipas të gjitha gjasave, do të provojnë që të stimulojnë negociata. Kjo pak a shumë varet prej asaj se si BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara do të sillen dhe çfarë do të provojnë të përdorin si presion te të dyja palët, dhe, do të thosha se, që të dyja, BE-ja dhe SHBA-ja, kanë qenë të shkëputura për disa vjet. Kjo ka bërë që, si ta them, ky proces i gjatë të mos jetë i frytshëm gjatë viteve të fundit. Në tre vjetët e parë ishin nënshkruar marrëveshjet e Brukselit, por që është bërë pak në zbatimin e tyre, nuk ka pasur monitorim të procesit të zbatimit. Kjo nuk ndodhi vetëm këtu në Kosovë, por kjo i referohet gjithashtu Serbisë, por edhe të gjitha shteteve të reja të dala nga ish-Jugosllavia apo në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Disi komuniteti ndërkombëtar e ka përdorur, si ta them, vëmendjen në shkrimin e raporteve që pak a shumë ishin mirëdashëse, por që qartazi ishin negative, ngase jo shumëçka ka ndodhur në fushat kryesore, si sundimi i ligjit, gjyqësori, liria e mediave në Serbi, për shembull, dhe të tjera, që janë shumë të rëndësishme për anëtarësimin në BE. Andaj, le të shpresojmë se këto dy palë do të jenë në gjendje që në një pikë të avancojnë në dialog, por, siç e thashë, në këtë moment varet shumë nga ajo se si BE-ja e veçanërisht SHBA-ja do të pozicionohen për këtë çështje dhe natyrisht që ne presim shumë nga Shtetet e Bashkuara, që është aktor i cili perceptohet si më i rëndësishmi, më i fuqishmi, duke e pasur parasysh sjelljen e mëhershme gjatë luftës dhe më vonë. Fatkeqësisht, këtyre ditëve, si ta them, konteksti ndërkombëtar ka ndryshuar shumë dhe pavarësisht krejt atyre deklarimeve shumë pozitive, që vijnë nga administrata e re, këta të emëruarit e rinj që janë, si të them, diplomatë të kalitur me përvojë dhe njohuri enorme për rajonin, shumëçka varet prej asaj se sa do të jemi në gjendje që të bëjmë arritje të mëdha, ngaqë tanimë ka edhe aktorë të tjerë në rajon të cilët mund të shpërqendrojnë, të cilët mund të bëjnë pengesa…. Në këtë moment është vështirë të thuhet me saktësi se çfarë do të ndodhë dhe si do të ndodhë.

KOHA: Në dialog, por edhe në mënyra të tjera, Serbia vazhdimisht po i mohon shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës. A mund të arrihet normalizimi pa njohje?

Biserko: Mendoj e dini që problemi në Kosovë është, siç e thashë, se sovraniteti i saj përbrenda dhe nga jashtë është i sfiduar. Në BE, nga pesë shtetet që nuk e kanë njohur ende, mendoj se sikur ta kishin njohur Kosovën atëherë ajo do të ishte në një situatë krejtësisht ndryshe. Në anën tjetër, e keni komunitetin serb që e sfidon sovranitetin përbrenda vendit dhe mjerisht ky komunitet është nën ndikimin e Beogradit, sepse ata përnjëmend duan që të mbajnë një lloj konflikti të ngrirë dhe sigurisht që duan ta fajësojnë Kosovën për gjithçka që nuk po ecën. Pra, ka shumë gjëra që do ta përcaktojnë të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve. Në të njëjtën kohë, jam e sigurt se do të ishte shumë e rëndësishme që të përmirësohen marrëdhëniet mes dy shoqërive. Dua të them se ka pasur shumë ndërveprim ndërmjet të dy palëve gjatë viteve të fundit. Mendoj që duhet pasur dialog mes historianëve, shkëmbime kulturore, pra të kihet sa më shumë takime, të cilat disi do t’i ndërronin këta stereotipa që po dominojnë, mbase në të dyja anët, se si e shohim njëri-tjetrin dhe që kryesisht janë shpikur. Ka pasur shumë pika pozitive në të kaluarën në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, jo vetëm të serbëve këtu, por në kontekstin më të gjerë. Andaj është shumë e rëndësishme që të jemi të hapur për këtë lloj vlerësimi të historisë sonë, që nuk është vetëm e zezë, por është zi e bardhë, prandaj do të thosha se është me rëndësi që të prezantohen elementet e tilla në perceptimin tonë për njëri-tjetrin. Mendoj se do të ishte një aspekt lehtësues në marrëdhënie, sepse kur dialogut politik, normalizimit politik t’i vijë fundi, dy shoqëritë do të kenë një lloj përvoje nga ky shkëmbim. Kjo është më se e rëndësishme për gjeneratat e reja që u rritën me modele dhe perceptime të ndryshme. Është e rëndësishme të kemi një përvojë të takimit me njëri-tjetrin.

Serbia sot

KOHA: Kohë pas kohe kemi parë rritje të tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu, shohim se diskursi publik nga Qeveria serbe nuk është miqësor ndaj Kosovës. Ndonjëherë, gjuha që përdoret është e ngjashme me atë të viteve ’90, të kohës së Milosheviqit. A do të thotë kjo se Serbia nuk e ka ndryshuar mënyrën se si i sheh Kosovën dhe shqiptarët? Dhe nëse jo, si mund të ndryshojë Serbia?

Biserko: Pyetje e vështirë. Pyetje për një milion dollar. Por sidoqoftë, mendoj se Qeveria e tanishme ka një narrativë tejet toksike, jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë fqinjët. Kjo është një gjë që përnjëmend po i prish marrëdhëniet rajonale në kohë të caktuar, sidomos pas vitit 2000 po përmirësoheshin dhe arritën në një pikë ku dikush mund të thotë apo të presë ndonjë lloj normalizimi, jo në kuptimin që kur flasim kemi në mendje luftërat e fundit apo trashëgiminë e luftërave, por këtyre ditëve druaj se marrëdhëniet rajonale janë në nivelin më të ulët ndonjëherë dhe Beogradi, në shtrirjen më të gjerë, është më përgjegjësi për këtë. Druaj se propaganda dhe narrativi në sferën publike, në sferën mediale, janë gjithashtu në kundërshtim me interesin e Serbisë, sepse nuk duhet të harrojmë se qytetarët serbë janë gjithashtu të privuar nga informacionet e sakta, mediat e lira dhe shumë gjëra të tjera që janë relevante për demokratizimin e shoqërisë. Jeta politike është e shkatërruar, nuk ka pluralizëm të përnjëmendtë politik, nuk ka dialog, mbase presidenti do ta pretendonte të kundërtën, se opozita po planifikon që ta ekzekutojë atë dhe familjen e tij, e kështu me radhë, por unë e shoh një lloj zhvillimi që, si ta them, është i pafavorshëm edhe për Serbinë njashtu. Mendoj se për shkak të këtij angazhimi të Perëndimit dhe penetrimit të aktorëve të tjerë, veçmas Rusisë, Serbia mbështetet shumë në mbështetjen e saj. Rusia e ka interesin e vet, nuk e ndjek interesin e Serbisë, por si duket është këtu për ta kundërshtuar Perëndimin dhe të tregojë se ai nuk ka kohezion, që nuk ka imagjinatë, e kështu me radhë. Në shumë mënyra nganjëherë ka të drejtë dhe gjen mënyra për të kapitalizuar disa prej dështimeve të sjelljes perëndimore në rajon.

Roli i BE-së dhe mundësia për pajtim

KOHA: Dialogu ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Si Kosova, ashtu edhe Serbia synojnë të bëhen anëtarë të BE-së, por BE-ja duket të jetë e ngadaltë dhe ndoshta edhe jo e gatshme të na ketë anëtarë. Si e shihni këtë qasje të BE-së dhe si mundet BE-ja të jetë më efektive për të sjellë paqen dhe pajtimin ndërmjet popujve dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor?

Biserko: BE-ja ka mekanizma të ndryshëm. Strategjia e saj është që t’i përgatisë vendet e caktuara për anëtarësim. Kjo do të thotë se përqendrohet në sundimin e ligjit, lirinë e shtypit dhe të gjitha gjërat e tjera që janë relevante për këtë proces. Mjerisht, BE-ja po kalon nëpër turbulenca të caktuara shkaku se përbrenda BE-së keni demokraci joliberale dhe liberale. Gjithashtu përbrenda demokracive liberale keni lëvizje të forta joliberale, andaj mundësia për të vepruar më efektshëm është reduktuar. Kjo është edhe arsyeja pse SHBA-ja përherë është perceptuar si vendi më i fuqishëm që mund të ndërhyjë dhe të ofrojë ndonjë farë zgjidhjeje. Mendoj që edhe kjo ka ndryshuar, ngase edhe Amerika ka kaluar nëpër disa ndryshime përbrenda vetes dhe është shumë vështirë që në këtë moment të jesh i sigurt se si kjo strategji e re e shpalosur për rajonin do të zbatohet dhe sa do të jetë e mundur të kalojë. Do të duhej pasur kompromis edhe me Rusinë, ngase pozicioni i Rusisë është një faktor që duhet pyetur. BE-ja dhe SHBA-ja po mundohen t’i anashkalojnë, ngase Ballkani konsiderohet të jetë evropian e perëndimor … që është e kuptueshme dhe mendoj se e ardhmja e Ballkanit është në Bashkimin Evropian. Por në këtë moment kemi shumë trend negativ, prapakthim në akëcilin prej këtyre vendeve, në njëfarë pike secili prej tyre ishte duke shënuar përparim për aq kohë sa BE-ja e ka pasur një lloj efekti mobilizues në shoqëri, por që tani është humbur. Kështu që, tani disi kanë oferta të ndryshme nga anët e tjera, më kërkuese e më pak transparente, më të hapura për korrupsion dhe kritere që nuk janë kritere. Kjo e dobëson potencialin e BE-së.

KOHA: Përtej normalizimit politik, njerëzit kanë nevojë për normalizim të plotë – që përfshin pajtimin. Si mund të arrihet kjo nëse nuk ka njohje për krimet e bëra në të kaluarën, që në rastin e Serbisë janë krime shtetërore ndaj shqiptarëve të Kosovës? Dhe çfarë mendoni se mund dhe duhet të bëjnë shqiptarët për të arritur pajtimin me serbët?

Biserko: Në këtë moment është shumë e vështirë të shihet se si mund të merreni me Serbinë, sepse kjo vetë ka hequr dorë nga ballafaqimi me të kaluarën e saj brenda vendit, ngase janë shumë çështje të tjera me të cilat ne duhet të përballemi. Kosova nuk duhet vetëm të rrijë dhe të presë që Serbia t’i dalë përpara. Mendoj se Kosova duhet të vazhdojë me atë që tanimë është duke e bërë, që t’i delegojë këto çështje te historianët, avokatët, institutet dhe kështu me radhë, e të provojë që të depërtojë te pjesët e shoqërisë në Serbi, me të cilën, në njëfarë pike, do ta mundësojnë komunikimin normal mes dy shoqërive, kur vullneti politik në Serbi të jetë i atillë që të hapet kundruall normalizimit dhe njohjes. Kjo gjithsesi është ajo që do të duhej ta bënte një ditë po qe se vërtet do që të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.

KOHA: Ju keni qenë kritike të politikës së Serbisë ndaj Kosovës tash e disa dekada. Dhe jeni sulmuar, madje etiketuar si tradhtare nga nacionalistët dhe ekstremistët serbë. Pse është e rëndësishme për ju të flisni për Kosovën, të flisni për pajtim, për të kaluarën dhe të këmbëngulni për marrëdhënie më të mira mes Serbisë dhe Kosovës, serbëve dhe shqiptarëve?

Biserko: Pa përballjen me të kaluarën mendoj se nuk është e mundur që të definohet e ardhmja e vendit në mënyrën se si ata flasin. Gjithashtu mendoj se është shumë me rëndësi që të shkojmë te një e shkuar më e largët, si ajo e Jugosllavisë, dhe të shohim se nga kemi ardhur të gjithë, të shohim në mënyrë më objektive, asgjë nuk është bardhë e zi. Mendoj se është me rëndësi për të gjithë ne në rajon që t’i ndajmë disa përvoja që ishin në dobi të të gjitha kombeve në rajon, në rend të parë, të gjithë kufijtë që tashmë janë të njohur ndërkombëtarisht janë formuar nga ndarja e Jugosllavisë dhe ka pasur procese të modernizimit që kanë prekur krejt shtetet në rajon. Natyrisht që në nivele të ndryshme, varësisht prej asaj se si ishte situata e tyre paraprake, mendoj se edhe këto komunikime lidhur me spastrimin etnik ishin jashtëzakonisht të rëndësishme. Kjo disi e bëri Jugosllavinë një lloj qyteti kosmopolitan, mbase jo në të gjitha segmentet e shoqërisë, por përvoja e të pasurit të këtij lloji të shkëmbimit mes rajonit ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm, veçanërisht kur i shikojmë arritjet kulturore të Jugosllavisë së atëhershme. Keni pasur kulturë jugosllave, por keni pasur edhe kultura kombëtare të secilit komb, ishte një përzierje e atillë që e bëri Jugosllavinë një model, një shtet shumë interesant në sytë e botës dhe shumë perëndimorë e shikonin Jugosllavinë si një shembull se si një shtet multietnik duhet të duket. Mjerisht kanë edhe shumë të meta gjithashtu dhe ne përfunduam ashtu siç përfunduam. Mendoj që është me rëndësi që t’i kthejmë sytë kah këto përvoja nëse flasim për marrëdhëniet e ardhshme rajonale, që janë kriter i rëndësishëm për anëtarësimin në BE. Mandej mund të mësojmë diçka prej kësaj dhe të fillojmë të sillemi si rajon që ka interesa të përbashkëta, të kaluar të përbashkët. Duhet të ketë pika të rëndësishme që ne tani mund t’i ndajmë në të ardhmen gjithashtu.