Asnjë program për artin

Ilir Muharremi, kritik i artit
Goja e kryetarit duhet të jetë ajo e popullit. Sa qesharak, laramanë, brinjadalës duken gjatë fushatës kërkuesit dhe servilet për votën tonë. Janë si lepuj të veshur me mendafsh. Më duken sikur dhelpra dhe krijesa me njëmijë maska teksa pozojnë dhe belbëzojnë në ekran. Mjerë veshët e popullit dhe mjerë ngjyrat në ekran që ju bëjnë vend këtyre. Stomaku i popullit vërtetë është stomak durimi dhe i urritur, ndërsa stomaku i këtyre manekenëve është ai i shqiponjës sepse ju pëlqen mishi i qingjit. Ende nuk doli ndonjë këmbë e kalit që do të shkel mbi këto pengore.
Programet që i shpalosin janë fluturake, përtej gjithë kufijëve, duken sikur këngëtar të popullit që thurrin tekste dhe këngë tallava. Broçkulla të përsëritura dhe të zakonshme: rregullimi trafikut, krijimi i parkingjeve nën tokë, ndalimi i ndërtimeve pa leje, menaxhimi i ujit të pijshëm, krijimi i vendeve të reja të punës, rregullimi i nxehjes aty ku mungon, vendosja e tranvajave, vetëm mungonte edhe propozimi abstrakt krijimi i ndonjë metroje në Prishtinë. Këto batuta dhe barsoleta tashmë janë stërholluar, zhvatur dhe i ngjajnë një mendje të sëmurë, sepse njëriu me çregullime mendore përsërit shpesh batuta të njëjta duke hulumtuar arsyen dhe rezultatin i cili ekziston në pikënisjen e tij, pra kthimi i mendimit në pikën zero.
Kush janë artistët? Janë njerëzit që derdhin shpirtin vuajtjes, mjerimit, hidhërimit, nganjëherë ju duket e rëndë toka dhe jeta. Vuajtja e tyre strehohet shpesh pas veprës artistike, ndërsa vepra artistike frymon si një fëmijë jetim në këtë shtet që nuk ndjen, nuk sheh dhe as që do të di për artistët dhe artin. Cili nga kandidatët për kryetar të ndonjë komune përmendi në hollësi detaje për artin? Asnjëri dhe këtu shihet se ata nuk jetojnë me dashuri të shëndetshme dhe të mbarë. Arti krijon dashuri për të afërmit, kurse shushunjëzat na distancojnë nga dashuria.
Performanca e tyre ishte naive. Njëri bredh nëpër rrugët e Prishtinës me helmetë në kokë dhe trotinet. Na joshë sikur qysh joshen fëmijët me çrast për ta penguar dashurinë ndaj vetes dhe na rëndonë ende më shumë shpirtin. Puna e këtij performuesi në mendjen e tij është e pakursyer, ai ashtu gjykon, ndërsa ofertat për artistët janë si sofra boshe me një mbulesë ngjyrë të kuqe të grisur. Asnjë pjat artistike nuk rëndon aty. A është kjo mungesë kulture, mungesë njohurie ndaj piktorëve, aktorëve, muzikantëve? Piktori ka nevojë për atelie, bojëra, menaxhim, Galeri Arti, hapësirë dhe rezultat. Aktori për teatër dhe role, drama, regji dhe Festivali. Aktori te ne është vetjak, egoist sepse mentaliteti i jonë e bëri ashtu. Aktori ka nevojë për pamje të hijshme dhe vërbëri të zgjuar. Cili nga kërkuesit e votës përmendi piktorët ose aktorët? Vetëm kaluan në formë sipërfaqësore nëpër ta. Sa i lënduar dhe i fyer ndjehem si artistë që jam në Kosovë. Arti në vete ka ushqime të shijshme e këto nuk i shijojnë amatorët.
“Ka shumë raste kur krijimtaria artistike është mësuesja e vërtetë e popujve.”, thotë Hegeli. Është e vërtetë. Për politikën tonë, arti renditet i fundit dhe nuk konsiderohet si mëseusja e vërtetë. Arti flet për të vërtetën, ngjizë shpirtin, liron forcën e shpirtit dhe njeriut ja bën kohën dhe jetën më të bukur. Jo më kot thotë Gorki se “Të flasësh dhe të shkruash të vërtetën është arti më i rëndë nga të gjitha artet.” Populli jeton për të vërtetën dhe mbi të vërtetën. Populli beson në shtetin, shteti nuk beson në popullin. Artisti si një anëtar i këtij populli, dergjet dhe strukët në studion e tij, duke rrënkuar vet për të vërtetën e tij, duke plasuar dhimbjen dhe fatet tij mbi telajo. E kur telajo bëhet e kapshme, e bukur, tërheqëse dhe thyen kufijtë, atëherë kthetra politike krenohet, lavdërohet dhe bëhet pjesë e këtij arti. Atëherë duhet të jetë vonë, sepse për artistin kosovar askush në fushatë nuk qau hallin. “Fantazia e artistit është realitet më i bukur se realiteti i rëndomtë,” shkruante Ashi. Artisti vuan për të tjerët dhe gjuha e tij është gjuhë kolektive, e këtij kolektiviteti arti nuk duhet t’i servilet, por ta lehtsoj të jetuarit. “Kur artisti zbulon realitetin e ri ai s’e bën këtë për vete, ai e bën ketë për të tjerët, për të gjithë ata që duan të dinë në çfarë bote jetojnë, nga vijnë dhe ku shkojnë. Ai prodhon për bashkësinë.” Thotë Fisheri. Pra arti i jep indentitet një populli, ringjallë historinë e shuar, forcon etnogafinë, kulturën e promovon. Për t’i hyrë më thellë kësaj duhet besuar në thënien e Shumanit “Të shpjerë dritë në thellësinë e zemrës së njeriut, ja detyra e artistit.” Mirëpo, thellësia e zemrës së artistit përjeton revolten, dhembjen dhe vuatjen për t’u kënaqur të tjerët.
Përmes artistit popullin tonë e njeh bota. Filmi promovon skenarin, pra skenari i nënshtrohet realitetit sepse artisti kufizohet nga realiteti i tanishëm, pastaj regjia ndërton partiturën dhe tekstin e dytë mbi këtë skenar, aty hyjnë detajet, estetika dhe gjetjet unike. Ky art kolektiv shprehë narracion të një kombi. Artisti nuk i shijon gjërat ashtu siç janë, por më të plota, më të thjeshta dhe më të forta. Arti është një pranver pjellorie dhe një dehje e përhershme magjike mbi popullin dhe të ardhmen.
A duhet artisti t’i besoj kandidatëve politik, dhe t’i përkrahë mbas mendimit të tij? Si mund ta bëj një gjë të tillë derisa në program ai është i përjashtuar. Artisti gjithmonë do të mbetet vetmitari më i madh i kësaj bote, dhe kërkesa më e madhe nga të tjerët atëherë kur të kaplohen nga bollëllëku, monotonia, humbja e kuptimit të jetës ose edhe depresioni kolektiv.