ASH-AAA ia mësyn drejtorive të BDI-së në Shkup! Bekteshi: Për ne nuk janë të rëndësishme drejtoritë

Zekirija Ibrahimi pretendon se pas përfundimit të procesit zgjedhor të gjitha ndërmarrjet publike në kuadër të Qytetit të Shkupit me të cilat udhëheq BDI, do t’i kalojnë koalicionit ASH-AAA. Ai është i bindur për këtë pasi koalicioni ASH-AAA është pjesë e shumicës në së këshilltarëve në Qytetin e Shkupit.

“Emërimet e drejtorëve të ndërmarrjeve të Shkupit bëhen në Këshillin e Qytetit, e i bie që në parlamentin e Shkupit pjesë e shumicës jemi edhe ne koalicioni ASH-AAA dhe gjitha drejtoritë me të cilat ka menaxhuar BDI nga e hëna e tutje i takojnë koalicionit tonë”, tha Zeqirija Ibrahimi nga Alternativa.

ASH-AAA synon ndërmarrjet publike me të cilat udhëheqin Ardijan Muça dhe Abdusamed Shabani të BDI-së.

“Ne jemi të interesuar që ta kemi “Higjienën komunale” dhe “Parqe dhe gjelbërime” dhe të kemi post të lartë në “Ujësjellësi dhe kanalizimi”, ashtu që edhe aty ku nuk do kemi postin e parë vendimmarrja do të jetë e përbashkët dhe gjitha emërimet dhe avancimet por dhe çdo projekt që do të bëhet në interes të qytetarëve nga këto ndërmarrje do të bëhet edhe nga ne”, shtoi Zekirija Ibrahimi.

U përgjigjen nga BDI. Kreshnik Bekteshi thotë se për integristët nuk janë të rëndësishme drejtoritë, por programi që i ofrojnë qytetarëve.

“Partitë politike serioze siç është BDI paraprakisht nuk bisedojnë për drejtori por bisedojnë në kuadër të programeve, me anë të cilës ja ofrojnë qytetarit, për ne nuk janë të rëndësishme drejtoritë, por është i rëndësishëm të realizohet në përpikëri programi me të cilin ne kemi dalë në zgjedhje dhe kemi fituar besimin e qytetarëve dhe ajo ndodhi me 17 tetor”, potencoi Kreshnik Bekteshi nga BDI.

Bekteshi gjithashtu i bëri thirrje Alternativës që t’i tërheq drejtorët në nivel qendror, që i kanë ngelur kur kanë qenë pjesë e qeverisë.

“Sa i përket drejtorive në nivel qendror është e ndershme që drejtorët që kanë mbetur nga koha kur ishte AAA në Qeveri të japin dorëheqje, mos t’i mbajnë funksionet meqë nuk pajtohen me programin i cili impelementohet nga ana e Qeverisë, por kur vjen puna për karriget e tyre ata nuk janë të gatshëm që ta bëjnë atë”, tha Kreshnik Bekteshi nga BDI.

Përndryshe koalicioni ASH-AAA bashke me VMRO-DPMNE-në me të cilën kanë bashkëpunuar për zgjedhjet lokale kanë grumbulluar 40% të votave, ndërsa BDI me LSDM-në 34% të votave për Këshillin e Shkupit.