Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti i ka falënderuar qytetarët shqiptarë për mbështetjen në zgjedhjet e djeshme lokale ku edhe njëherë u dëshmua se Bashkimi Demokratik për Integrim është forca më e madhe politike shqiptare në vend. Kryetari Ahmeti e ka vlerësuar fushatën zgjedhore si të qetë dhe demokratike ku të gjithë kandidatët kanë shpalosur programet e tyre zgjedhore. “Bashkë ia dolëm edhe kësaj here dhe unë jam shumë mirënjohës e falënderuar për kontributin e secilit prej jush gjatë fushatës dhe ditës së djeshme.
BDI është e juaja, është proekt kombëtar ku hise kemi të gjithë dhe unë ju premtoj se asnjëherë nuk do të ju zhgënjej. Përgjegjësinë që ma ngarkoni mbi supe me besimin tuaj e konsideroj si bekim dhe shtytje për të bërë edhe më shumë, edhe më mirë. Jemi bashkë në këtë rrugëtim dhe çdo hap do ta ecim bashkërisht me të gjithë qytetarët. Kjo fitore është e juaja, e të gjithë qytetarëve, thuhet në falënderimin e kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti.