Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se synojnë që të ulin importet nga Serbia, derisa ka shtuar se “kemi strategji të qartë të marrëdhënieve tona tregtare në të ardhmen”.


Këtë deklaratë shefi i qeverisë e ka bërë në foltoren e Kuvendit të Kosovës të hënën, derisa është pyetur nga lideri i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Ramush Haradinaj, për rritjen e importeve nga Serbia krahasuar me vitin 2019 e 2020.

Kësaj pyetje Kurti i është përgjigjur duke thënë se nëse duhet bërë krahasim, atëherë duhet bërë me gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, kur në krye të Qeverisë ishte Haradinaj.

Sipas tij, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018 janë importuar 212.1 milionë euro mallra nga Serbia, apo 60 për qind më shumë se vlera e importeve në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

“Krahas kësaj ulje të ndjeshme të importeve nga Serbia, unë pajtohem se duhet ulur më shumë e synojmë ulje të mëtejme përmes masave që do të marrim. Kemi strategji të qartë të marrëdhënieve tona tregtare në të ardhmen, e duhet të keni durim e besim. Nuk jemi në vitin e fundit të mandatit, por në muajin e shtatë të tij”, është shprehur kreu i ekzekutivit.