Pas rreth tre vitesh jashtë funksionit, tre aeroplanët për shuarjen e zjarreve do të servisohen. Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Maksuti, nënshkroi marrëveshjen me kompaninë “ Titan”, përfaqësues të së cilës gjatë ditës së hënë pritet të vijnë në Maqedoninë e Veriut, për të dërguar aeroplanët për servisim në Valencia të Spanjës.

Servisimi do të duhet të përfundojë në afat prej 60 ditësh, nga momenti kur do t’i marrin aeroplanët nga Maqedonia e Veriut. Pra ky është maksimumi i afatit sa do të zgjasë servisimi. Ne shpresojmë që para vitit të ri t’i kemi të kthyer në vend të gjithë aeroplanët. 25 milion denare për të tre aeroplanët – tha Bekim Maksuti- drejtor drejtorisë për Menaxhim me Kriza.

Maksuti thotë se aeroplanët nuk ishin servisuar deri tani për shkak se kompania kishte bërë ofertë për 40% më të lartë se mjetet financiare që drejtoria kishte në dispozicion si dhe, siç thotë, për shkak të vendimeve të gabuara të paraardhësve të tij. Për drejtimin e këtyre aeroplanëve drejtoria ka në dispozicion 5 pilotë.

Fatkeqësisht njëri nga ata me të cilit është nënshkruar konratë para disa vitesh, vitin e ardhshëm pensionohet. Në këtë drejtim ne do jemi të hapur, pasi mendoj se ka nga ata të rinj që kanë një pjesë të certifikimeve, t’i marrim në drejtori dhe t’i dërgojmë në trajnime -deklaroi Bekim Maksuti- drejtor drejtorisë për Menaxhim me Kriza.

Mosfunksionimi i aeroplanëve vendit i ka kushtuar shtrenjtë, shumë zjarre që kapluan terrenet e ashpra në vend nuk mund të fikeshin nga toka. Gjatë verës vendi u përball me vatra të shumta zjarresh, ku zjarrfikësit nuk mund të kishin qasje dhe as ushtria nuk mund të bënte shumë. Në mungese të aeroplanëve tanë, mbetëm në mëshirë të vendeve fqinje. Fluturimi i një aeroplani për shuarjen e zjarrit kushton më së paku nga 2 mijë deri në 3 mijë euro.