Ka dy javë që ka nisur të aplikohet doza e tretë e vaksinës anti-covid në vendin tonë. Përgjatë kësaj periudhe me dozën përforcuese apo “boostër” janë imunizuar 782 qytetarë. Pa marrë parasysh se çfarë vaksina kanë pranuar qytetarët, doza e tretë duhet të jetë vetëm Pfizer, thonë nga Ministria e Shëndetësisë. Në pyetjen se a mund të ketë efekte anësore përzierja apo kombinimi i vaksinave anti-covid, ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe thotë se çdo individ që nga fëmijëria merr lloj-lloj vaksinash dhe nuk ka rrezik, por ka përfitime.


“Ne në jetë kemi marrë shumë vaksina, të llojeve të ndryshme dhe asnjëherë nuk ka antagonizëm mes atyre vaksinave, kështu që kjo shkon në atë drejtim. Pa marrë parasysh se çfarë lloji keni marrë dy vaksinat e para, doza e tretë nuk bën dallim a është i prodhuesit të njëjtë ose të ndryshëm apo a është e tipit të njëjtë ose jo”, u shpreh ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Qries

Duke ndjekur përvojat e vendeve evropiane dhe Shteteve të Bashkuara, Ministria rekomandon dozë të tretë të Pfizer për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga mosha dhe nëse ata janë të sëmurë kronikë ose jo. Kryetarja e Komitetit për Imunizim Aleksandra Grozdanova vlerëson se kombinimi i vaksinave do ta rrisë mbrojtjen apo imunitetin e qytetarëve ndaj virusit korona.

“Tashmë disa muaj gjatë verës Emiratet e bashkuara Arabe dhe Turqia i kombinojnë vaksinat kineze dhe si vaksinë të tretë e japin Pfizerin, po ashtu rezultatet e tyre kanë treguar një mbrojtje të shkëlqyeshme, që e siguron vaksina Pfizer posaçërisht ndaj variantit Delta. Për momentin ajo që shohim si përvojë dhe rekomandim edhe nga ana e CDC edhe nga ana e trupave rregullator evropianë, është se kombinimi i vaksinave, sidomos me dhënien e dozës së tretë, te rasti ynë ajo do të jetë Pfizer, me dy doza të dhëna paraprakisht nga tip i ndryshëm, bile edhe e rrit apo e zgjeron imunitetin”, shtoi Aleksandra Grozdanova – kryetare e Komitetit për Imunizim.

Qendra për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve (CDC) është duke zhvilluar një hulumtim, e deri në fund të tetorit do të vendosë nëse do të rekomandojë kombinimin e vaksinave anti-covid, ka thënë drejtoresha e kësaj qendre, Rochelle Walensky.

Ndryshe një studim i Universitetit të Oksfordit në qershor zbuloi se marrja e një vaksine të AstraZeneca e shoqëruar më pas me Pfizer krijon përgjigjen më të lartë të qelizave imune që sulmojnë dhe shkatërrojnë qelizat e infektuara. Një studim tjetër i kryer nga Agjencia e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve të Koresë zbuloi se marrja e një vaksine AstraZeneca e shoqëruar më pas nga një vaksinë Pfizer-BioNTech rrit nivelet e antitrupave gjashtë herë më shumë sesa marrja e dy dozave Astra-Zeneca./TV21