15 vjet nga rënia e Isa Likës – komandant Ilirit

Sot janë bërë 15 vjet nga vrasja në pabesi e komandantit të brigadës 112 “Mujdin Aliu” të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Isa Lika – komandant Iliri.


Edhe këtë vit u bënë homazhe dhe nderime pranë varrit të tij në varrezat e dëshmorëve në Tetovë ku morën pjesë bashkëluftëtarë, familjarë e miq të komandant Ilirit.

“Sot u bënë plot 15 vite nga dita e rënies së Isa Likës – Ilirit tonë, bashkëveprimtarit tonë të kauzës kombëtare. Me mall e kujtojmë atdhedashurinë dhe përkushtimin e tij që janë frymëzim i shumë gjeneratave për veprim në shërbim të jetësimit të idealeve të përparimit të kombit. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të gjithë dëshmorët e kombit! LAVDI!” ka shkruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

“Sot shënuam përvjetorin e 15-të të rënies të Komandant Ilirit – Isa Lika (Komandant i Brigadës 112 “Mujdin Aliu”), duke bërë homazhe pranë vendprehjes së tij në Kompleksin e varrezave të dëshmorëve. Ne sot, mes dhimbjes dhe krenarisë kujtojmë dhe nderojmë veprën e Komandant Ilirit! Lavdi!” ka shkruar Hazbi Lika.

“Homazhe dhe nderime me rastin e 15 vjetorit të rënies së Komandantit të Brigadës 112 “Mujdin Aliu” të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Isa Lika – Komandant ILIRI. Krenarë dhe kryelartë për të kaluarën dhe për të ardhmen. Lavdi” ka shkruar kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi.