Kryeministri Zoran Zaev është duke pritur raportet e gjetjeve të ekspertëve gjermanë dhe më pas do të shprehë mendimin e tij për dorëheqjet për rastin tragjik në Tetovë.

Ka apeluar deri te Prokuroria Publike që sa më shpejtë të përfundojë hetimi.

“Jo, vetëm do të përsëris atë çfarë e kam deklaruar me gojë dhe me shkrim nëpërmjet kumtesës. Do të presim raportet forenzike, përfshirë edhe ato gjermane të cilët duhet të kompletohen në afat sa më të shpejtë. Procedurën e udhëheq prokuroria publike dhe unë vetëm mund të dërgoj apel për atë çfarë e kërkojnë qytetarët dhe ajo është që të përfundojë në tërësi në mënyrë profesionale dhe eksperte dhe sa më shpejtë që mundet, sepse qytetarët presin përgjigje. Kur do të kumtohen gjetjet nga ekspertiza dhe forenzika, atëherë unë do ta them edhe mendimin tim për dorëheqjet e drejtorit ekonomik, drejtorit të Spitalit Klinik të Tetovës, zëvendësministrit dhe ministrit të Shëndetësisë”, tha Zaev në Shtip, transmeton TV21.

Dorëheqje si shenjë përgjegjësie morale kanë dhënë ministri dhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe Ilir Hasani dhe dy drejtorët e Spitalit Klinik të Tetovës, Florin Besimi dhe Artan Etemi./