Për të dytën ditë rradhazi në sheshin e qytetit po qëndron i vendosur shtandi për mbledhjen e nënshkrimeve për zgjidhje të problemit me qentë e pastrehë.

Ky peticion i cili deri më tani ka mbledhur një numër të madh të nënshkrimeve nga qytetarët, ka treguar se problematika me qentë endacak është shqetësuese për të gjithë.

Anëtari i iniciativës Gostivari që dua, Bedri Osmani, përmes një deklarate për media u shpreh se qentë e pastrehë janë një nga problematikat që kërkon zgjidhje urgjente, sepse nga to po rrezikohen të gjithë e me theks të veçantë fëmijët.

Në deklaratë Osmani theksoi se qytetarët në çdo lloj orari gjatë lëvizjes nëpër qytet ndihen të rrezikuar nga qentë endacak për faktin se të njejtët janë agresiv dhe sulmues.

“Ndodhemi në sheshin e qytetit në Gostivar ku prej ditës së hënë është vendosur shtandi për mbledhjen e nënshkrimeve për peticionin e inicuar nga nisma Gostivari që dua, për zgjidhjen e problemit me qentë e pastrehë. Parashtrohet pyetja se përse erdhëm deri te kjo iniciativë. Ky fenomen i cili është kthyer në ankth për gostivarasit duhet të gjej sa më parë zgjidhjen e nevojshme, prandaj Iniciativa Gostivari që dua fton të gjithë qytetarët që ti bashkangjiten kësaj nisme”, tha Osmani.

Kujtojmë që 73 qytetarë të Gostivarit janë sulmuar dhe kanë pësuar lëndime nga qentë endacak që nga viti 2018 – dhe këto janë vetëm disa nga incidentet të cilat janë raportuar në polici. Ne të gjithë ende e mbajmë mend 6 Nëntorin e vitit 2018, kur një vajzë 17 vjeçare u mbyt nga qentë! Dhe akoma nuk është bërë asgjë për t’i mbrojtur qytetarët e Gostivarit!

Ne, qytetarët e Gostivarit, i bëjmë thirrje kryetarit të ardhshëm të Gostivarit dhe të gjithë anëtarëve të këshillit komunal të qytetit që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për t’i dhënë fund këtij ankthi dhe për ta bërë Gostivarin përsëri të sigurt!

Ne kërkojmë që menjëherë të zbatohet ky plan veprimi prej 5 pikash i cili ka për qëllim sigurinë e fëmijëve tanë:
1). Një ekip për kapjen e qenve dhe për ndërhyrjen në raste emergjente
2). Të ndërtohet një strehimore e qenve jashtë qytetit
3). Sterilizimi i të gjithë qenve endacakë në Gostivar
4). Eutanizimin e menjëhershëm të qenve endacakë agresivë
5). Menaxhimi profesional i deponisë Rusino dhe menaxhimi i mbeturinave në qytet për të zvogëluar furnizimin me ushqim për qentë endacakë.

Grumbullimi i nënshkrimeve do të realizohet edhe në ditët në vijim. Apelojmë deri tek të gjithë qytetarët që të dalin në shesh dhe të nënshkruajnë peticionin.

Kujtojmë se shtandi për nënshkrimin e peticionit për zgjidhje të problemit me qentë endacak do të jetë i vendosur për disa ditë rradhazi në qendër të qytetit nga ora 12:00 deri më 14:00.