Sot fillon fushata zgjedhore!

Medai Shaholli
Sot në ‘drzhavën’ tonë të dashur ‘severna’, fillon fushata për zgjedhjet vendore, ku pozita dhe opozita do ulërijnë për tre javë rresht se kush është më i zoti nga kandidatët për kryekomunar në komunat ku do të garojë secili nga përfaqësuesit e tyre.


Tre javë ata do t’i bien vërdallë fshatrave dhe qyteteve për të na prezentuar ‘bukuroshët’ e tyre si kandidatë më të mirë për kryetar komune nëpër ato komunat ku ata do të kandidojnë.

Si gjithmonë në shprehje do të vijnë lëvdatat për kandidatin dhe potencialin e tij që posedon si kuadër i partisë mëmë, se pa të komuna juaj nuk do të ecte kurrë përpara se ajo do ngelte në mëshirën e fatit nëse do fitonte kandidati i partisë kundërshtare dhe broçkulla të tjera të padëgjuara më parë.

Ajo do të nisë me shumë premtime si zakonisht për më shumë rrugë të asfaltuara dhe shërbime të tjera komunale siç janë ato për ujë të pijshëm dhe kanalizime, për më shumë rrugë të asfaltuara, parqe dhe kënde lojrash për fëmijë …!

Premtime rutinore këto që me përfundimin e fushatës dhe të zgjedhjeve harrohen shpejtë dhe ngelin si një kujtim i hidhur nëpër sirtaret e kandidatëve si letra të zverdhura pa vlerë.

Prandaj, elektorati i nderuar të mendoj mirë para se të shkojë të votojë dhe të kujtojë mandatet e kaluara se çfarë kanë bërë këto parti politike për qytetarët shqiptarë ndër vite që këta trimat të ‘zgjedhur për kryekomunarë’ vijnë t’i takojnë qytetarët e tyre vetëm kur mbahen zgjedhjet.

Çfarë kanë bërë kryetarët e tanishëm dhe ata para tyre për shqiptarët?
Veç ndarjes së tenderave mes tyre dhe klaneve mafioze ata kanë shtruar sa për sy e faqe edhe ndonjë rrugë të asfaltuar me cilësi të dobët, ku me kaq e kanë përfunduar mandatin.

Edhe këto zgjedhje si ato të kaluarat do të zhgënjejnë shumë nga ata që nuk janë pjesë e militantëve të partive politike pasi nuk do sjellin zgjidhje për qytetarin e thjeshtë.
Ata nuk do t’i lehtësojnë jetën qytetarëve si menaxhues të komunave as nuk mund të sjellin progres në komunat ku kandidojnë.

Ne, të gjithë së bashku, jemi dëshmitarë se këto parti që kemi si dhuratë të pushtetit që nga vendosja e ‘demokraqisë’ në vend e deri më tani nuk kanë ndryshuar për mirë në asnjë drejtim, siç janë shërbimet komunale dhe administrata, madje përkundrazi ato kanë ngelur po atë mentalitet meskin të zyrtarit mendjemadh dhe zhvatës ndaj qytetarit, kapadahinj dhe anadollakë si mbeturina të së kaluarës.

Ata nuk i kanë ofruar qytetarëve shërbime cilësore shëndetësore dhe publike, ujë të pijshëm dhe rrugë cilësore, ambiente çlodhëse dhe fusha sportive për rininë dhe për të gjitha grupmoshat, përkundrazi ata e kanë parë postin e kryekomunarit si trampolinë e kapjes së pushtetit lokal vetëm për leverditë dhe përfitimet personale dhe klanore që sigurojnë nga ajo karrige e pushtetit.

Ndëshkimi më i mirë në këtë rast për partitë politike shqitare është bojkoti, pasi të votosh i ndihmon atyre që do të vijnë në krye të komunës jo për të shërbyer qytetarin, por për të zhvatur dhe përvetsuar të ardhurat publike nga pushteti vendor për veten e tyre.