SHBA: Ndihmë ngërçit mes Shkupit e Sofjes

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndihmojnë procesin e zhbllokimit të ngërçit Shkup- Sofje, që po mban të bllokuar integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, por jo përmes kyçjes së drejtpërdrejt. Ambasadorja amerikane Kejt Bërns tha së SHBA-ja po bën gjithçka që është e mundur për ta çuar para procesin.


Ne e shohim të ardhmen e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe konfirmojmë rëndësinë e zgjidhjes së çështjeve dhe shpresojmë se do të vazhdojë deri në fund të vitit. Ne vazhdojmë bisedimet më të gjithë partnerët. Kemi bisedime me qeverinë në Shkup, bisedime me vendet fqinje dhe në gjithë Evropën dhe tani bëjmë gjithçka është e mundur për të shtyrë procesin përpara. Nuk kam ndonjë paralajmërim konkret për të bërë në këtë moment, përveçse të them se SHBA-të do të angazhohen në këtë çështje dhe në bisedimet, sepse të gjithë kemi të njëjtin vizion, që Maqedonia e Veriut të zërë vendin që meriton në BE”, pohoi Kate Mary Bërns, ambasadorja e SHBA-ve në Shkup.

Ndërkohë zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov tha se nuk ka atmosferë për realizimin e një dialogu të mirëfilltë mes Shkupit dhe Sofjes, ndërsa fajëson Bullgarinë për shkelje të marrëveshjes së fqinjësisë së mirë. Sipas Dimitrovit bukuria me forcë nuk arrihet.

Përgjegjësia e politikanëve është që të krijojnë atmosferë, ndërsa përgjegjësia e ekspertëve, akademikëve është të adresojnë çështjet historike. Ajo që ndodhi është se marrëdhënia ndryshoi, sepse Bullgaria shkeli nenin 2 ku thuhet se Sofja do të na ndihmojë në rrugën evropiane, dhe jo të na pengojë dhe aq më pak të na bllokojë. Në përjetuam dy veto. Përjetuam edhe problematizimin e diçkaje që është shumë e brendshme, gjuhën tonë, në nivel evropian dhe këto kanë bërë që realizimi I dialogut të vërtetë të bëhet shumë I vështirë”, deklaroi Nikolla Dimitrov, Sekretariati për Çështje Evropiane.

Nga ana tjetër lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski tha sot se nëse në librat e historisë fshihet fjala “bullgare” para “pushtuesit fashist”, nëse ndryshon qeveria aktuale dhe ai merr pushteti, atëherë tekstet do t’i kthejë në gjendjen e mëparshme.

Menjëherë, kur të ketë një ndryshim të qeverisë, ne do t’i kthejmë ato fakte historike të njohura nga historia botërore. ne nuk jemi talebanët për të fshirë faktet historike. Ata ishin fashistë, ne luftuam kundër atyre fashistëve. Në vend që të na kërkojnë të fshijmë tekstet shkollore, ata duhet të vijnë këtu dhe t’i kërkojnë falje këtij populli”, tha Hristjan Mickoski- VMRO-DPMNE.

Për mosmarrëveshjet midis Shkupit dhe Sofjes do të diskutohet edhe gjatë javës së ardhshme kur për vizitë në Shkup do të mbërrijë Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Layen.