Ministri i Brendshëm në Serbi, Aleksandar Vulin, deklaroi sot se Ministria e Punëve të Brendshme, njësitë e saj dhe Ushtria Serbe janë të gatshme t’i përgjigjen çdo përshkallëzimi të situatës në veri të Kosovës.

Por, ai shtoi se do të bëjnë gjithçka për të parandaluar çdo konflikt.

“Serbia ka të drejtë të përdorë helikopterë për të kontrolluar çdo pjesë të territorit të saj deri në vijën administrative, dhe këto janë aktivitetet tona të rregullta. Sigurisht, tani interesi ynë është forcuar më tej për atë zonë dhe ne jemi të shqetësuar se njerëzit e armatosur qëndrojnë përballë civilëve të paarmatosur”, ka deklaruar Vulin pas tensioneve të krijuara në veri të Kosovës.

Vulin, i cili njihet për retorikën e tij nacionaliste, është shprehur se për të ndezur luftën duhet vetëm një budalla dhe ai ndodhet në Prishtinë.

“Nevojiten të paktën dy persona për ta bërë paqen, ndërkaq për luftën dhe konfliktin mjafton vetëm një budalla dhe ai ndodhet në anën tjetër në Prishtinë”, ka thënë Vulin shkruan RTV.rs.

“Serbia nuk negocion kur i vë një armë në ballë. Serbia, e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiç, ka dinjitet dhe qëndrim, e di se çfarë dëshiron dhe e di shumë mirë atë që nuk e dëshiron. Ata menduan se Presidenti Vuçiç do të pajtohej me një kompromis ditën e parë vetëm për të qetësuar situatën, dhe tani ata nuk dinë se çfarë të bëjnë”, tha ministri Vulin.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm është djegur nga serbët Qendra e Regjistrimit në Zubin Potok, pasi nuk po pranojnë reciprocitetin për targat.

Ndërkohë, serbët kanë hedhur granata dore edhe në Qendrën e Regjistrimit në Zveçan, por që nuk kanë arritur ta djegin.