Pamje nga tërmeti i fuqishëm në Greqi (VIDEO)

Një tërmet i fuqishëm ka goditur ishullin e Kretës, në Greqi, paraditen e sotme, rreth orës 09:17. Mësohet se tërmeti me magnitudë 5.8 i shkallës Rihter është regjistruar në thellësi vetëm 10 km pranë zonës Arvis, 23 km në veriperëndim të qytetit Iraklios.

Sipas informacioneve të para nga mediat greke raportohet se një person ka humbur jetën, ndërsa dëmet materiale sikurse shihet edhe nga pamjet janë të shumta.

Bëhet fjalë për një 58 vjeçar që ka humbur jetën pasi është shembur një pjesë e kishës në fshatin Arkalohori. Gjithashtu ka informacione për dy persona të lënduar në fshatin Patsidero dhe tre persona që janë bllokuar brenda një shtëpie e cila ka pësuar dëme të mëdha në fshatin Arkalohori.

Lëkundjet kanë qenë tejet të forta saqë banorët kanë dalë të tmerruar nga banesat e bizneset e tyre, ndërsa tashmë ndodhen në rrugë.

Mbrojtja Civile ka aktivizuar me njëherë planin “Tërmeti” ndërsa një grup i ekipit të shpëtimit EMAK është nisur me një avion C130 bashkë me zyrtarë të qeverisë për të inspektuar gjendjen dhe për të dhënë ndihmën e parë në zonat e dëmtuara. Dëme materiale vazhdojnë të raportohen në disa fshatra të zonës afër epiqendrës së tërmetit.

Ndërkohë vazhdojnë të regjistrohen edhe lëkundje të tjera dy prej tyre me fuqi 3.7 dhe 4.5 shkalla Rihter./TCh