Më shumë se 1 mijë tërmete janë regjistruar në 5 ditët e fundit në ishullin La Palma në Kanarie, në Oqeani Atlantik.

Ekspertët kanë vënë re një rritje në aktivitetin sizmik dhe zhvendosje të magmës nën vullkanin e La Cumbre Vieja, i cili ka shpërthyer në vitin 1949 dhe 1971, ndërsa prej asaj kohe nuk ka qenë më aktiv.

Daily Mail shkruan se frika për riaktivizimin e vullkanit është rritur ndjeshëm, ndërsa zona është një nga destinacionet më të frekuentuara turistike e ka një popullsi prej 85 mijë banorësh.

Sipas Qendrës Kombëtare të Vullkaneve në Kanarie, Involcan, tërmeti më i fortë, mes rreth 1 mijë lëkundjeve, ishte 3,4 i shkallës rihter.

Në një studim të vitit 2001 pretendohet se një shpërthim i madh i vullkanit është i mundur dhe rrezikon shkaktimin e një cunami gjigant, i cili mund të arrijë deri në Amerikën e Veriut.

Autoritetet e ndryshuan së fundmi alarmin nga jeshil në të verdhë, i cili është niveli i dytë nga katër të tillë, në zonat përreth vullkanit. Pas këtij alarmi, zyrtarët e mbrojtjes civile informojnë qytetarët për të marrë masa paraprake për një shpërthim të mundshëm të vullkanit.