Një deklaratë e Bashës pa bosht

Eshref Ymeri

Në deklaratën e Bashës “Nuk ka kthim pas”, të
botuar sot, 17 shtator 2021, në Portalin “Fjala e Lirë”,
më bëri shumë përshtypje fjalia në vijim:
“Nuk kam asgjë për t’i shtuar asaj që kam deklaruar
një javë më parë sa i përket kontributit të Sali Berishës
për zhvillimin e Shqipërisë, demokracisë dhe aleancës me
Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Domethënë, Basha nxjerr në pah kontributin e
Profesor Berishës për zhvillimin e aleancës me Shtetet e
Bashkuara të Amerikës”.
Po atëherë cila na qenkej arsyeja që Profesor Berisha
duhej përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë
Demokratike? Sepse kështu dëshironte ambasadorja Juri
Kim, e cila, sipas faqes së internetit “evropaelirë”, 30
korrik 2021, kërkonte largimin e Berishës nga grupi
parlamentar?
Ne e dimë që prapa ambasadores Juri Kim qëndron
Sekretari i Shtetit Blinken, i cili e shpalli Berishën
“person të padëshirueshëm” në Shtetet e Bashkuara të
Amerikës. Por deri tani nuk ka bërë publik asnjë fakt për

afera korruptive të Berishës. Prandaj edhe Juri Kim
vërtitet e vërtitet në takime me Bashën për “armatosjen” e
tij kundër Berishës, por nuk po na nxjerr në shesh të
mejdanit asnjë fakt konkret. Nëse faktet i ka, atëherë le t’i
bëjë publike, t’i nxjerrë në sheshin e mejdanit, në mënyrë
që opinioni i gjerë të sqarohet përfundimisht për
drejtësinë e vendimit të Blinkenit dhe të Bashës dhe të
mbajë qëndrimin e duhur ndaj Profesor Berishës.
Por në këtë mes ka diçka sa të çuditshme, aq edhe
befasuese.
Në një informacion mjaft interesant, të botuar në
internet më shumë se tre muaj e gjysmë më parë, thuhet:
“Në rrethet diplomatike, flitet se rreth 200 zyrtarë dhe
biznesmenë të korruptuar, të lidhur me Edi Ramën, janë
në listën e zezë, ndonëse emrat e tyre nuk janë bërë
publike ende nga DASH… Edi Rama parashikon se edhe
ai një ditë do të ketë fatin e Sali Berishës, pas largimit nga
pushteti. Gjatë këtyre tetë viteve në pushtet, Edi Rama ka
thyer çdo rekord korrupsioni dhe plaçkitjeje.
Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin e fundit për
zhvillimet në Shqipëri, thotë se korrupsioni është shtrirë
në çdo degë të qeverisjes së Edi Ramës.Për herë të parë,
DASH ka dhënë alarmin se korrupsioni nën drejtimin e
Edi Ramës tashmë është kërcënim për sigurinë kombëtare
të Shqipërisë. Nga Brukseli ka raporte po aq shqetësuese,
ku Shqipëria është përfshirë në zonën e rrezikut, sa i
takon pastrimit të parave të pista nga drejtorët, ministrat
dhe kryebashkiakët e Edi Ramës… Në raportet

ndërkombëtare për korrupsionin, Shqipëria, nën
qeverisjen e Edi Ramës, listohet si vendi më i korruptuar
në Evropë dhe ndër më të korruptuarat në botë” (Citohet
sipas: “Pse është tmerruar Edi Rama, ka hallin e fatit të
tij apo të ministrave të korruptuar?! Heshtja dhe një
mesazh që paralajmëron tërmet”. Gazeta “Plisi”. Faqja
e internetit “gazetaora”. 28 maj 2021).
Nga ky informacion mjaft trishtues për fatet e vendit
tonë që të sëmbojnë në zemër, vetvetiu, dalin disa
përfundime:
Së pari, Departamentit të Shtetit dhe Brukselit nuk i
bëka fare përshtypje korrupsioni i përmasave skanadaloze
të qeverisë Rama gjatë këtyre tetë vjetëve. Madje
Blinkenit i bëka përshtypje korrupsioni i Berishës i shumë
viteve të shkuara. Tani hajde të rrimë dhe të vrasim
mendjen se cila qenka arsyeja e vërtetë e vendimit të
Blinkenit kundër Berishës, korrupsioni i Berishës i viteve
të shkuara, apo kritikat e tij të forta kundër Sorosit, mikut
të Blinkenit dhe të Ramës?
Së dyti, sipas informacionit të mësipërm, rezulton se
Rama parashikuaka se edhe ai një ditë do të ketë fatin e
Sali Berishës, pas largimit nga pushteti. E pabesueshme,
por realitet. Domethënë, kryepushtetari te ne, që drejton
një qeveri të korruptuar deri në vesh dhe që, për pasojë, e
ka shndërruar vendin tonë në më të korruptuarin në
Evropë dhe ndër më të korruptuarit në botë, mund të
vjedhë dhe të plaçkitë sa t’i dojë qejfi sa ka pushtetin në
dorë, se nuk do të ketë asnjë pasojë as nga Departamenti i

Shtetit, as nga Brukseli. Pasojat Rama dashka t’i ketë,
demek, pas largimit nga pushtetit!!! Po si shpjegohet që
Departamenti i Shtetit që drejton Blinkeni dhe
kryestrukturat e Brukselit nuk kërkojnë largimin e Ramës
nga pushteti? Qytetetarët e thjeshtë të vendit tonë a kanë
të drejtë të dyshojnë dhe të shtrojnë pyetjen: mos vallë
korrupsioni skandaloz i Ramës dhe i qeverisë që drejton
ka stërpikur edhe strukturat e larta të Brukselit, me
zgjatime deri te Blinkeni? Dhe mandej Blinkeni apo
pasardhësi i tij do t’u kujtuakan për ndëshkimin e Ramës
për korrupsion pas largimit të tij nga pushteti? Kjo është
sa për të qeshur, aq edhe për të vënë ulërimën. Sepse vjen
përfundimi i vetvetishëm për qëndrimin e Perëndimit ndaj
kryepushtetarit shqiptar: vidh dhe plaçkit sa të duash sa je
në pushtet, se kur të largohesh nga pushteti do të
mjaftohemi vetëm me një shpallje vendimi si i
padëshirueshëm, se kapitalet e vjedhura nuk do të të
preken kurrë.
Së treti, për dijeninë e ambasadores Juri Kim dhe të
shefit të saj Blinken, Profesor Berisha ka përkrahje dhe
gëzon një mbështetje të fortë në radhët e një përqindjeje të
konsiderueshme bashkatdhetarësh. Ai, gjithashtu, gëzon
mbështetjen e fuqishme të shumicës së bashkëkombasve
tanë në Republikën e Dardanisë, sidomos pas ndërtimit të
Rrugës së Kombit, e cila i vëllazëroi edhe më shumë
qytetarët e dy shteteve tona. Në atë Rrugë, për fatkeqësinë
tonë kombëtare, Rama ngriti trarin e tradhtisë në hyrje të
tunelit të Kalimashit, duke ngjallur pakënaqësinë e

shtetasve të Dardanisë, të cilët janë në mëri me Ramën jo
vetëm për shkak të trarit të tradhtisë, por edhe për shkak
të flirteve të tij me kriminelin e Dardanisë Vuçiç, për
nismën e të ashtuquajturit Ballkan i Hapur.
Në këto kushte, vendimi i Blinkenit kundër Profesor
Berishës i lë qejfmbetur me Shtetet e Bashkuara shumë
bashkëkombas të të dyja shteteve tona. Një gjë e tillë
është në dëm të vetë politikës së jashtme të Shteteve të
Bashkuara, të cilat, për arsyet që dihen mirë, te kombi
shqiptar kanë besnikun më të madh, jo vetëm në Evropë,
por edhe në mbarë botën. Hedhja në mëri e shqiptarëve
me Shtetet e Bashkuara, ka qenë dhe vazhdon të mbetet
në rendin e ditës të trekëndëshit ortodoks Beograd-Athinë
Moskë. Prandaj qëndrimi i Blinkenit ndaj Profesor
Berishës më sjell në kujtesë senatorin e ndjerë John
McCain, i cili, që në vitin 2014, kur Blinkeni qe zgjedhur
zv.Sekretar i Shtetit, pati deklaruar:
“Në këtë rast, ky individ ka qenë në të vërtetë i
rrezikshëm për Amerikën dhe për të rinjtë dhe të rejat që
po luftojnë dhe i shërbejnë asaj” (Citohet sipas:
“Afganistani / John McCain në 2014: Blinken i
rrezikshëm për SHBA”. Faqja e internetit “Syri”. 19 gusht
2021).
Tani, duke u rikthyer te Basha, dëshiroj të ritheksoj
se ai, vitet e fundit, në çdo hap të jetës së tij si polikan në
krye të Partisë Demokratike, e ka vërtetuar se është
“tredhur” politikisht që prej takimit të fshehtë me Ramën
këtu e më shumë se katër vjet të shkuara. Ai takim

vazhdon të mbetet njollë e zezë në karrierën e tij politike,
ai ka mbetur rob i atij takimi, është zhveshur tërësisht nga
dinjiteti personal, duke mbetur pa shtyllë kurrizore. Atë e
tërheq për hunde Juri Kim, e cila, me qëndrimin e saj ndaj
Profesor Berishës, sipas porosive të Blinkenit, dhe me
përkrahjen që i jep Ramës, të krijon përshtypjen sikur
është anëtare e asamblesë së Partisë Socialiste. Vetë
deklarata e Bashës që citova në fillim, dëshmon fare qartë
se ai mori një vendim absurd kundër Berishës, pa u bërë
fillimisht publike faktet për vendimin e Blinkenit, çka
dëshmon mungesën e shtyllës kurrizore në formimin e
vet.
Në mbyllje dëshiroj të theksoj se shqiptarët duhet të
vetëdijëson një herë e mirë, nëse nuk dëshirojnë të
shpërbëhen si komb krejtësisht, se demokracinë në trojet e
tyre nuk e sjell as Vashingtoni, as Brukseli. Ata mund të
merren si modele të ndërtimit të saj, por jo si “punëtor
krahu” në shërbim të hapjes së rrugës drejt demokracisë
shqiptare. Shqiptarët duhet “të shpërveshin mëngët” vetë
dhe të ndërtojnë një shtet demokratik të tipit perëndimor,
duke nxjerrë në krye të tij intelektualë të zgjedhur, me
dinjitet personal dhe kombëtar. Qoftë Vashingtoni, qoftë
Brukseli, nisen nga parimi hyjnor “ndihmo veten, të të
ndihmoj unë”. Deri tani, sidomos këto tetë vitet e fundit,
shqiptarët kanë dhënë prova boll të mjaftueshme se nuk
kanë aftësi për ndërtimin e demokracisë, për vendosjen e
shtetit ligjor, prandaj edhe pushtetin e kanë rrëmbyer dhe
po e përdorin për vetëpasurim lloj-lloj horrash politikë.

Duke ndjekur qëndrimin e shumicës së shqiptarëve, që i
kanë lejuar vetes të shndërrohen në mercenarë të tregut të
shitblerjes së votës, Perëndimit s’i mbetet gjë tjetër, veç
t’i urojë ta gëzojnë pushtetin e kryehajdutëve me nam.
San Diego, Kaliforni
17 shtator 2021