Napoli është për titull, gabon Lazio

Napoli e ka mundur 4-0 Sampdorian për të rrëmbyer kreun në Serie A. Lazio ka marrë vetëm një pikë në udhëtim te Torino, madje me një gol në fund të ndeshjes, që përfundoi 1-1.


5 ndeshje, 5 fitore, 15 pikë – Napoli po tregon se është kandidat serioz për titull në Serie A.

Skuadra e drejtuar nga Luciano Spalletti, e mundi 4-0 Sampdorian në xhiron e pestë në Itali, sfidë në të cilën startoi nga minuta e parë kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani.

Ndeshja u zhbllokua që në minutën e 10 me sulmuesin Osimhen. Teksa po shkohej drejt mbylljes së 45 minutave të para, Ruiz dyfishoi epërsinë, të dy asitet e golave të para i bëri Insigne.

Me të filluar pjesa e dytë, përsëri Osimhen doli në skenë, që shënon golin e dytë personal dhe të tretin për skuadrën në minutën e 50’, këtë herë i asistuar nga Lozano.

Pak minuta më vonë, në atë të 59’, u shënua goli përfundimtar i ndeshjes, nga Zieliski.

Torino 1-1 Lazio

Lazio ka harruar të fitojë. Skuadra e drejtuar nga Maurizio Sarri nuk ka arritur të marrë më shumë se një pikë në udhëtim te Torino, ku golin e barazimit e shënoi vetëm në minutat e fundit të ndeshjes.

Pjesa e parë përfundoi në barazim pa gola, ndërsa në të dytën vendasit zhbllokuan rezultatin në minutën e 76 me Pjacan.

Teksa takimi po shkonte drejt fundit dhe Torino po bëhej gati të festonte, një penallti u akordua për miqtë e cila u konkretizua në gol nga Immobile duke barazuar rezultatin në 1-1, që doli të jetë rezultati përfundimtar i ndeshjes.

Lazio nuk fiton prej 3 ndeshjes radhazi dhe tani renditet në vendin e 7 me 8 pikë, ndërsa Torino në vendin e 10 me 7 pikë.