Maqedonia e Veriut është shembull se si të ndihmohet në zvogëlimin e papunësisë së të rinjve në Ballkanin Perëndimor duke e zbatuar programin e parë “Garanci për të rinjtë”, tha sekretarja e përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (KBR), Majlinda Bregu.

“Papunësia e të rinjve në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në vitin 2020 ishte 35.1 përqind, krahasuar me Bashkimin Evropian, ku kjo përqindje është 16.8 për qind. Vetëm nëse e pranojmë se ky është një problem i madh, ne mund ta zgjidhim atë, ndërsa programi Garancia për të rinj mund të na ndihmojë me këtë, për çka e uroj Maqedoninë e Veriut, e cila ishte e para që e zbatoi atë”, tha Bregu në konferencën e parë vjetore “Rimëkëmbja dhe rritja ekonomike pas Kovidit. “

Ajo paralajmëroi se KBR do të ngritë Koalicion rajonal për punë dhe aftësi për të siguruar punë dhe të rinj të aftë për të qëndruar në rajon. “Ky është një nga shembujt konkret se si të bëhet një hap përpara në çështjen e lëvizshmërisë rajonale. Kjo është mënyra se si ne do t’i mbajmë të rinjtë në rajon.”

Sekretarja e përgjithshme, siç njoftoi KBR mbrëmë, thekson se “ka ende interes të madh nga të rinjtë për të qëndruar në rajon dhe ky është avantazhi ynë”.

“Ata janë burimi ynë më i madh. Ata janë nxitësit e bashkëpunimit rajonal dhe aderimit në Bashkimin Evropian, sepse i shohin mundësitë dhe nuk janë të ngarkuar me konfliktet e gjeneratave të mëparshme”, tha Bregu në konferencën që po mbahet për të dytën ditë në Shkup.