Kurti thotë se gjendja e mediave në Kosovë nuk është më e mira, por as më e keqja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përgjatë një takimit që pati me delegacionin e rrjetit të Agjencive të Lajmeve të Evropës Juglindore (ABNA), ku ka dhënë një vlerësim edhe për mediet në Kosovë.


Siç njofton Zyra e Kryeministrit nëpërmjet një komunikate, Kurti citohet të ketë thënë se gjendja e mediave në Kosovë nuk është më e mira, por as nuk është shumë keq.

“Ai tha se mediat në përgjithësi kanë kontribuar në informimin e publikut për gjendjen epidemiologjike. Por, vazhdoi ai, ka pasur edhe media që shpesh i kanë dëmtuar përpjekjet për menaxhimin e pandemisë, duke raportuar lajme të paverifikuara dhe dezinformata, të lansuara madje edhe nga deputetë opozitarë”, thuhet tutje në komunikatën e Kryeministrisë.

Kjo është hera e parë që Kurti ka folur për rrethanat e mediave në Kosovë, prej se ka marrë ulësen e kryeministrit.

Deri më tani, i pari i ekzekutivit ka dhënë vetëm një intervistë në Radio Televizionin e Kosovës, që prej se ka marrë pushtetin.