Kurti për sulmet në Zveçan dhe Zubin Potok: Të nxitura nga Serbia në sy të ndërkombëtarëve

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, vlerëson se sulmet në Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok dhe në Zveçan janë veprime të nxitura nga Serbia.


Kurti thotë se individë ose grupe që siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë Kosovën dhe po cënojnë paqen, njofton Klankosova.tv

“Hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale por e qëllimshme. Edhe në Zveçan kanë hedhur dy bomba dore, po ashtu në ndërtesën e qendrës së njëjtë për regjistrimin e automjeteve, por ato fatmirësisht nuk kanë eksploduar. Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”.

Tutje Kurti u bën thirrje të gjithë qytetarëve në veri pavarësisht nacionalitetit që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.

“Sulmet e këtilla zjarrvënëse dhe kriminelët që i bëjnë ato nuk do të tolerohen. Policia e Kosovës është institucion profesional që duhet respektuar nga të gjithë. U bëj thirrje qytetarëve, sidomos në veri të Ibrit, pavarësisht a janë serbë, shqiptarë, boshnjakë apo romë, që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.