Kreu i LRE Galdini nga Asamblea e Tiranës: LRE shpresa e re e së djathtës dhe Opozitarizmit.

LRE – Lëvizja e Re ka vijuar aktivitetin e saj politik me takime ngado nëpër Shqipëri me anëtarët, aktivistët dhe simpatizantët e kësaj partie.


LRE është e vetmja parti e re që mori pjesë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, e cila pavarësisht rezultatit zhgënjyes që pati në këto zgjedhje, nuk e ndali ritmin dhe aktivitetin e saj politik.

Ditën e sotme LRE mblodhi Asamblenë e Degës së Tiranës.

Takimin e Asamblesë e hapi Sekretari i Përgjithshëm i LRE z. Luljan Strazimiri.

Z. Strazimiri u shpreh se:”LRE sot për sot është e vetmja alternativë reale e re përballë Rregjimit Postkomunist PS – PD – LSI – Tom Doshi. Unë kam jetuar 25 vite në SHBA dhe jam shtetas amerikan – vijoi Sekretari i Përgjithshëm i LRE z. Luljan Strazimiri – dhe jam rikthyer në Shqipëri vetëm për LRE. Në SHBA kam punuar në profesionin tim si Inxhinier dhe kam arritur deri edhe Drejtues i Lartë në Kompani Amerikane të Prodhimit dhe Robotikës me qindra punëtorë, por tani jam këtu në atdheun tim sepse dua që përvojën time profesionale në SHBA ta sjell në Shqipëri. E kam gjetur veten në LRE sepse e shoh LRE si të vetmen parti politike vërtetësisht idealiste, realisht të djathtë dhe sinqerisht të pastër.”

Më tej Asamblenë e LRE për Tiranën e përshëndetën Sekretarja e LRE për Tiranën znj. Kristina Nano dhe NënKryetarja e LRE për Tiranën znj. Elma Kraja e Sekretari Organizativ i LRE për Tiranën z. Tomorr Laze.

Në përfundim të Asamblesë, bëri përshëndetjen e tij edhe Kryetari i LRE z. Arian Galdini.

“Nuk është e lehtë të jesh Ideatori, Nismëtari dhe Kryetari i një partie të mohuar dhe dënuar me harresë nga Rregjimi Skuthokratik dhe i Korruptuar PS – PD – LSI – Tom Doshi. – u shpreh Kreu i LRE Arian Galdini -. Unë e vuaj shumë pamundësinë tonë për ta prezantuar tek shqiptarët projektin dhe komunitetin tonë politik. Por ja që Rregjimi Skuthokratik e i Korruptuar PS – PD – LSI – Tom Doshi, na ka dënuar me harresë dhe me mohim, refuzim, bllokim, izolim, e shpërfillje mediatike. Të qenurit parti e mohuar, na e vështirëson pamasë punën. Ama ne ja ku jemi, të mohuar, të dënuar me harresë, të pamediatizuar, por në rezistencë e aktivitet të pandalshëm politik. Jemi e vetmja parti reale e re politike që takon njerëz realë ngado nëpër Shqipëri. Jemi e vetmja parti e re djathtë politike që as kemi lindur e as ekzistojmë si fragmentatizim i PD apo i ndonjë partie tjetër. Jemi e vetmja parti e re e djathtë dhe opozitare që nuk jemi krijuar nga të pakënaqurit e PD, të zemëruarit e PD, të lënët pasliste nga PD… Askush nuk na akuzon dot se ne përçamë PD, kafshuam PD, lënduam PD apo i bëmë dëm PD… Askush. Sepse ne fushatën tonë elektorale e bëmë pa asnjë ekuivok dhe krejt të ndershme. Ne u thamë haptazi mbështetësve dhe votuesve tanë se ne nuk duam as votat dhe as mbështetjen e demokratëve të inatosur apo demokratëve të zemëruar apo demokratëve të pakënaqur me PD. Ne u thamë haptazi votuesve dhe mbështetësve tanë se ne nuk duam në LRE asnjë ish apo zyrtar të korruptuar të PD apo të pushteteve të PD. Ne u thamë haptazi e krejt ndershmërisht votuesve dhe mbështetësve tanë se LRE është qartazi kundër Rregjimit Skuthokratik PS – PD – LSI. Pra asnjë nga votat tona nuk do të kishte shkuar kurrë për PD. Kurrë. Pra ne si LRE nuk i kemi hequr asnjë votë PD. Kush ka votuar LRE nuk do ta kishte dhënë kurrë votën për PD. Me pak fjalë, 3771 votat e LRE janë prova se një e djathtë e re opozitare po lind në Shqipëri. Prandaj ne e kemi mision rritjen dhe fuqizimin e kësaj të djathte të re opozitare në vendin tonë. Ne jemi LRE, ne jemi e djathta humane, ne jemi shpresa e re që vjen nga Lëvizja e Re, jo nga fantazmat e së shkuarës. Ne jemi e djathta humane dhe partia opozitare antihajni, antikorrupsion, pro Reformës në Drejtësi dhe pro SHBA e pro BE.”