KFOR shton patrullat dhe njësitë në veri të vendit

KFOR-i ka ndërmarrë edhe disa hapa të rinj në veri të vendit me shtimin e patrullave dhe njësive.

Zëdhënësi i KFOR-it, Antonio Minutella, në një përgjigje për Klankosova.tv, ka thënë se me veprimet e tilla synojnë që në mënyrë të shpejtë të qetësojnë situatën.

“KFOR ka ndërmarrë hapa të mëtejshëm në terren duke shtuar patrullat përgjatë rrugëve kryesore të cilat janë prekur nga vendosja e bllokimeve nëpër rrugë dhe duke vendosur njësitë tona në pikëkalimet kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, në përputhje me mandatin që ka nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999. KFOR gjithashtu ka zhvilluar bisedime me të gjitha palët e përfshira në ndërprerjen e protestave në veriun e Kosovës”.

“Masat e miratuara, të diskutuara më parë nga komandanti i KFOR-it me të gjitha Institucionet në Kosovë dhe me kryetarët e komunave të veriut, kanë për qëllim të qetësojnë shpejt situatën e tensionuar që u krijua javën e kaluar dhe rikthimin e një mjedisi të sigurt dhe lëvizjes së lirë për të gjitha komunitetet në Kosovë”.

KFOR sot ka dërguar trupa në veri të vendit pas situatës së krijuar nga vendosja e reciprocitetit për targat serbe nga ana e Qeverisë së Kosovës.